Dedikim

Dhe 9-vjeçarja iku...

Kjo është letra e mësueses Evlonda Përlala e cila dikton emocione, kujtime e mesazhe drejtuar nxënësve të klasës së saj kujdestari që kanë përmbyllur ciklin e mesëm të ulët të shkollës "Nazif Zhavari". Një letër e sinqertë e cila na kujton se këta janë mësuesit dhe nxënësit që duam!

Nuk e kisha menduar se do ndihesha kaq e përhumbur, kaq nostalgjike e kaq bosh njëherësh...

E nisëm udhëtimin tonë në orët e gjuhës në klasën e gjashtë (e në të shtatën edhe si mësuese kujdestare).

Aty u prezantuam (edhe pse njiheshim nga larg).


Aty nisi gjithçka, në shkollën "Nazif Zhavari". Në atë klasën e vogël e me pak lagështi, në katin e dytë, ku ishim me fat nëse na binte dielli mbi dritare ndonjëherë (nga pozicioni i klasës ), me banka dhe karrige që i riparuam shpesh.


Klasë që më ne e bëmë folezën tonë, shtëpinë tonë, madje e quajtëm "Leksik" për efekt të fjalëve të reja që krijuam bashkë (sigurisht me bazë shqipen tonë të shtrenjtë).


Dua t'u bëj me dije se nuk ishte hera e parë që merrja një klasë në kujdestari (pasi në këto 17 vite në arsim çdo vit kam pasur klasë në kujdestari, ose në 9-vjeçare, ose në të mesmen), por me ju qe krejt ndryshe.


Në fakt, çdo klasë që kam pasur kështu ka qenë; kam qenë me fat (ndoshta), nuk rri dot pa e thënë këtë dhe pa i kujtuar me shumë dashuri edhe ata në këtë ditë.

Kaluam ditë të bukura, të lodhshme, argëtuese, me pluhur shkumësi, plot përgjegjësi, me mbingarkesë detyrash që nuk harrohen.

Kaluam ditë të vështira, që na bënë të njohim më mirë njëri-tjetrin, na afruan më pranë, na bënë të nervozohemi, të themi ndonjë fjalë pa takt e të pamenduar mirë, por në fund të fundit, na rritën këto ditë, na bënë të fortë.


Përgjatë dy viteve të fundit, vite që ishin sfidë për të gjithë për shkak të pandemisë, ishin vite sfilitëse për mua, sigurisht edhe për ju, edhe për prindërit tuaj.

Doja të veçoja ata nxënës të cilët kanë qënë aq të përpiktë, sidomos në mësimet online (sepse ne mësuesit e dimë mirë se me çfarë jemi përballur).

Kanë shfaqur vlera të veçanta dhe qytetari model.

Ata të cilët nuk pata nevojë t'i telefonoja që të futeshin në mësim, që të vinin në orar (kur filloj shkolla), që mos të harronin uniformën, maskën, dizinfektantin.


Në vitet e kaluara bashkë pashë se sa bukur festohen datëlindjet edhe në grupin e whatsapp-it, se sa zemër të madhe ka secili/secila prej jush kur dikush ka nevojë.

Pashë se sa me përgjegjësi dhe përparësi respektoni rregullat, udhëzimet e mësueses kujdestare dhe mësuesve të tjerë.

Pashë lojërat në pesë minutat e pushimit të shkurtër, të cilat ua kritikova me qindra herë.

Zhurmën, e cila shpeshherë më ka mërzitur.

Një falënderim me përulje për nxënësit që edhe në pesë minutsh ishin me kokë mbi libra, pa parë fare se ç'po ndodhte rreth tyre, pa u ankuar asnjëherë për këtë.

Pashë lot, dhe buzëqeshje në këto vite, por pashë më shumë jetë. Jetë kaq të pastër dhe të denjë tek secili prej jush!


Të gjithë fëmijët vijnë në shkollë për të marrë dije, por, po aq të rëndësishme janë edhe vlerat njerëzore, vlerat qytetare, për të cilat kaq pak flitet.


Në këtë ditë të fundit mësimore dua të jem po aq e sinqertë sa çdo ditë me ju:

Dolëm nga vetja disa herë: unë për ardhjet me vonesë, uniformat, librat, detyrat, maskat, mungesat, notat...(unë nuk jam perfekte, por jam përpjekur të bëj më të mirën e mundshme) dhe ju për arsyet tuaja e të moshës (që mund t'i thoni vetë më mirë).


U rikthyem me dashuri, me përkushtim, me pendesë të dyanshme dhe udhëtuam bashkë ditëve që na rriten mrekullish mjaftueshëm për të mbyllur këtë cikël arsimor.

Mos harroni: 

Të jeni të drejtë, të jeni këmbëngulës, të jeni të duruar!

Mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja!

Falni paqe, dashuri, respekt, mirënjohje, pozitivitet kudo, kujdo, kurdoherë!

Unë e di se kudo që t'u çojnë rrugët e jetës do të më bëni krenare!

(Ashtu siç e di dhe e njoh zemrën e secilit prej jush, vlerat e skalitura në to me mund, me dashuri, me shpresë për të ardhmen). 


Faleminderit për ditët e jetës së bashku!

Faleminderit prindërve tuaj për bashkëpunimin, për besimin, për vlerësimin!

Faleminderit kolegëve për bashkëpunimin, përkushtimin, profesionalizmin!

Zoti ju bekoftë!

Me dashuri, mësuese Eva.



Nga mësuesja Evlonda Përlala 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.    

8,703 Lexime
3 vjet më parë