Ese

“Unë lexoj, prandaj jam”- ese nga nxënësja Kaltrina Spaho

Ese kushtuar tetorit të letërsisë shkruar nga Kaltrina Spaho, maturante e shkollës “Ernest Koliqi”, Tiranë.

Kaltrina Spaho    

Klasa: XII-2 

Shkolla  “Ernest Koliqi”


E ndijuar me ardhjen e tetorit vjeshtarak të letërsisë, nuk munda kurrsesi të tregohesha e amullt dhe të mos shprehja diçka për lëmën e gjerë të librave letrarë. Si një lexuese rigoroze prej vitesh tashmë dhe në pritje e shumë viteve të tjera në vazhdim, them me bindje se librat kanë qenë për mua një nga faktorët më me peshë në formësimin e asaj që unë quaj vete sot. 


Nëpërmjet librave arrij të pasqyroj në vetëdije ngacmimet e atyre rreshtave dhe t’i reflektoj mbrapsht drejt botës së jashtme, në mënyra të ndryshme, me nuancat që vishen prej arsyes sime.


Një marrëzi po ta mendosh, fjalë të shkruara gjetiu, që të ndikojnë në mënyrë të atillë, por me gjykimin tim modest, kam arritur në përfundim se ato nuk janë fjalë boshe e të kota, por gjithsecila prej tyre është një pjesëz e autorit, që i shkruan dhe një derëz e vogël drejt unit të tij.


Janë dritare ku mund të hysh si një fshehtan, madje si një hajdut për të parë botën e brendshme të dikujt tjetër e të vjedhësh një pjesëz të këtij personi duke e adaptuar atë në ndërgjegjen tënde. 


Diçka e vështirë për t’u shprehur qartë, pasi kalon përtej të prekshmes dhe të perceptueshmes dhe lidhet edhe më në vazhdim me metafizikën. Librat nuk tregojnë thjesht histori, në përmbajtjen e tyre ka diçka më të thellë, jo kaq sipërfaqësore, janë objekte të gjalla, objekte të shpirtëzuara, me të cilat flet e shkëmben mendime, por vetëm një lexues i mirë arrin të kalojë përtej kufirit fizik dhe mundet që ta shohë atë në dimensione më të epërme. 


Një lexues i mirë kupton të pakuptueshmen, kalon të pakapërcyeshmen, zbulon të paqëmtueshmen dhe arrin të dëgjojë të vërtetën e vërtetë, atë të autorit. 


Ky proces kaq intim, të detyron që, vend e pa vend, ta gjesh veten në mendime e sipër duke reflektur mbi perspektivën e dikujt tjetër e në vazhdim duke rënë dakord, duke e kundërshtuar apo duke e tjetërsuar atë, për të ravijëzuar një “doktrinë” tënden, një bindje unike dhe përkatësisht veç tënden. 


Kjo tërësi e organizuar e këtyre të dhënave ndijore, është rrjedhimore në formimin tim dhe psikikën e brunjtur prej këtij meditimi kaq të përimtuar dhe e gjitha e shkaktuar thjesht nga leximi.


Të menduarit në përsiatje, që vjen nga uria për të lexuar, është ajo që mundet të të krijojë këtë kredo universale e plotësisht personale. 


Është pikërisht kjo gjë ajo, që dikton më pas realitetin që ti jeton dhe në nëndije e krijon në atë mënyrë që arrin ta rrokësh. 

Epo është pikërisht leximi, me anë të së cilit e kuptoj përsosjen në vijimësi të intelektit tim, që më lejon ta njoh veten më plotësisht, duke më bërë të aftë për mbështetjen e opinioneve të caktuara.

Dhe jo vetëm, porse pas krijimit të identitetit tënd dhe njohjes me veten, arrin të lidhesh më tej dhe të ndërveprosh në mënyrë më direkte me realitetin vëllimor, me shoqërinë, sistemin dhe jetën në tërësi ashtu siç është e konceptuar njëmendthi botërisht. 

Njihesh me vende të largëta, kohëra të moçme, ithtarë të dijes e më tutje mundesh të dritësosh e të përbirosh drejt të nesërmes. 


Unë lexoj, prandaj jam unë, sepse është ky lexim ai, që ka gdhendur strukturën time psikologjike dhe ka skalitur atë që unë quaj sot, Unin tim. 



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,567 Lexime
1 vit më parë