Poezi

Vargje kushtuar mësuesit

Poezitë e mëposhtme janë krijuar nga mësuesi i historisë Gëzim Dalliu. Një mësues që shkruan për mësuesin duke ju uruar të gjithë kolegëve gëzuar “7 Marsin”.

7 - Marsi


Marsi rrënjët hodhi

Një datë në zemër mban.

Mendimtarët dikur mblodhi

Kësaj dite jetë i dhanë.


Ajo rrodhi ndër vite

Në zemrat tona qëndroi.

Amanetin e asaj  dite

Ky muaj e bekoi.


E vyer qofsh përherë

si udha e dijes qëndron.

Të festosh ty është nderë

kur këtë ditë kujton.


Fjalët e tua të arta

si zë bilbili tingëllojnë.

Rrugët na i bëre të qarta

asnjëherë s’të harrojmë.



Urim për Mësuesin!


Sa bukur tingëllon!

Fjalë që rrjedh nga zemra.

Shpirtin ma pushton

dashuria që kam nga brenda.


Lule të dhuroj sot

si shenjë respekti.

Urime marsh nga mot!

Kjo fjalë sot më mbeti.


Më dhe diturinë

Më ndriçove jetën.

Në zemër ke mirësinë

më mbolle të vërtetën.


Urimi më rrjedh si ujë

Që i jep jetës bekim.

Ketë nuk ta them me bujë

por më buron ky urim!


(Gëzim Dalliu; Portali Shkollor)

3,923 Lexime
1 vit më parë