Ptolemeu

Vepra e Ptolemeut, autoriteti themelor për të kuptuar botën

Në periudhën nga shekulli II deri në Rilindje, vepra e Klaudio Ptolemeut ka qenë autoriteti themelor për të kuptuar botën dhe gjithësinë. Gjenialiteti i tij duket tek aftësia për të vlerësuar dhe për të ndarë zbulimet e rëndësishme të paraardhësve.

Ptolemeu

90 – 168


TË DHËNA PËR AUTORIN


Edhe pse vepra e Ptolemeut është e njohur mirë, për jetën e tij dihet shumë pak. Me prejardhje është nga Greqia, por ka lindur dhe ka punuar në Aleksandri, në Egjipt. Mendohet se rrallëherë (ose edhe asnjëherë) është larguar nga Aleksandria, dhe kjo ngjan mjaft ironike, kur bëhet fjalë për njeriun që ka vizatuar hartën e botës. Në vend që të udhëtonte, njohuritë e veta për botën i ka fituar nga përvoja e marinarëve dhe e vizitorëve romakë.


Në periudhën nga shekulli II deri në Rilindje, vepra e Klaudio Ptolemeut ka qenë autoriteti themelor për të kuptuar botën dhe gjithësinë. Gjenialiteti i tij duket tek aftësia për të vlerësuar dhe për të ndarë zbulimet e rëndësishme të paraardhësve të vet, dhe për t’i plotësuar me argumente shkencore dhe këndvështrime më të gjera.


Sistemi astronomik i Ptolemeut nuk ka pasur rivalë, deri te Koperniku,1400 vjet më vonë.


ALMAGESTI I PTOLEMEUT

Ptolemeun e ka bërë të njohur vepra Broshura matematikore, me trembëdhjetë vëllime, që më vonë u quajt Almagest. Në të, për herë të parë, është mbledhur bashkë e gjithë dija e fituar dhe e pranuar deri atëherë në fushën e astronomisë. Si pikënisje për punën e mëtejshme të Ptolemeut, në radhë të parë përmenden punimet e Hiparkut, shumica e të cilave ka mbërritur deri te ne falë shënimeve të Ptolemeut.


Përveç kësaj, Ptolemeu u bazua te koncepti i Aristotelit që Toka është në qendër të gjithësisë, me yjet dhe planetët që rrotullohen rreth saj në rrugë të rregullta rrethore. Pastaj ai u përpoq ta justifikonte interpretimin e tij nëpërmjet vëzhgimeve astronomike dhe hamendësimeve matematikore. Nga kjo doli sistemi i Ptolemeut, interpretimi i argumentuar matematikisht i gjithësisë, i cili nuk u kundërshtua deri në vitin 1543, kur u shfaq Koperniku.


Që të sqaronte vrojtimet e veta në kontekstin e modelit hapësinor gjeocentrik, që më vonë u vërtetua se ishte i gabuar, Ptolemeu duhej të jepte disa sqarime shumë të vështira, në mënyrë që rezultatet e tij të ishin bindëse. Ai u përqendrua sidomos në lëvizjet e planetëve dhe yjeve, duke futur sistemin “deferenta”, apo qarkorja e madhe me Tokën në mes, dhe tetëdhjetë “epicikle”, apo qarkore më të vogla, nëpërmjet të cilave bëhet rrotullimi brenda “deferentës”. Ai ka studiuar edhe teorinë e ekscentrikëve të lëvizshëm. Këtu paraqitet qarkorja me qendër paksa të larguar nga Toka, si dhe ekvantet, pika të imagjinuara në hapësirë, me ndihmën e së cilave është caktuar boshti kryesor për rrotullimin e trupave qiellorë.


Ptolemeut iu desh të bënte gjithë këto sqarime të ndërlikuara, pasi nuk e dinte se planetët, në të vërtetë, lëvizin në rrugë eliptike dhe jo në qarkore të përsosura, siç kishte supozuar ai. Kësisoj, edhe parashikimet e tij të mëvonshme për lëvizjet e planetëve ishin të gabuara, por megjithatë, kanë qenë sqarimet më të mira të mundshme jo vetëm për atë kohë, por edhe për shumë shekuj më vonë.


Sistemi astronomik “ptolemeik” nuk do të kishte rivalë deri te Koperniku, 1400 vjet më vonë.


GJEOGRAFIA

Për historinë botërore vepra e Ptolemeut Gjeografia është po aq rëndësishme sa Almagest-i. Në të për herë të parë është sqaruar në mënyrë të hollësishme, në rrugë matematikore, përllogaritja e gjerësisë dhe gjatësisë, në bazë të asaj që kishte filluar Hiparku. Ptolemeu iu përkushtua kërkimit të rëndësishëm epokal të projektimit të sipërfaqes së Tokës në rrafsh, dhe kështu u krijua harta e parë e botës së njohur në përmasa të zvogëluara, e cila për zhvillimin e ardhshëm ka pasur të njëjtën rëndësi sa Almagesti.


Edhe pse kjo hartë ishte plot me gabime, si për shembull, ekuatori ishte vendosur dukshëm në veri, kurse Azia shtrihej shumë larg në lindje, nuk duhet nënvlerësuar rëndësia e saj për brezat e ardhshëm. Mundet që, me të drejtë, të supozojmë se në hartën e Ptolemeut Azia duket shumë më afër Europës seç është në të vërtetë (me supozimin se Toka është sferë dhe se njeriu “shikon” nga perëndimi), dhe se kjo e ka nxitur Kristofor Kolombin që të lundronte drejt perëndimit, me shpresën se do të gjente rrugën më të shkurtër drejt Azisë, duke bërë që ai të zbulonte rastësisht Amerikën.


ASTROLOGJIA

Një vepër tjetër e Ptolemeut, që ende sot përmendet dhe lexohet, është Tetrabiblos, të cilën disa e konsiderojnë si themelin “e dijes” së asaj kohe në astrologji. Edhe pse ajo, me siguri, i takon kategorisë së pseudodijes, në të Ptolemeu, supozoi se ndikimi i planetëve te njerëzit mund të shkaktohet nga ndonjë lloj rrezatimi.


ARRITJE TË TJERA

Ptolemeu ka shkruar edhe për shumë tema të tjera, por nga këto, dy janë të një rëndësie të veçantë. Vepra e tij e fundit Optika, vlerësohet si vepra e tij më e suksesshme. Në atë vepër Ptolemeu ka përshkruar parimet thelbësore të optikës, të cilat më pas i ka sqaruar me shumë hollësi. Pasi ka përpunuar kapitullin e pasqyrimit, Ptolemeu vazhdoi të kërkonte për përthyerjen e dritës gjatë kalimit nga ajri në ujë, duke përpiluar tabela, si duket, me rezultate të bazuara qartësisht në vëzhgime empirike.


Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai


(Portali Shkollor)

384 Lexime
4 muaj më parë