ORË KREATIVE

Vogëlushët nga Gjakova krijojnë përrallën: "6 princeshat, 3 mollëkuqet dhe një familje"

"6 princeshat, 3 mollëkuqet dhe një familje", është përralla më e veçantë që kanë krijuar vetë dhe më pas e kanë interpretuar nxënësit e klasës së parë, “Gjergj Fishta”, Gjakovë, nën kujdesin e mësuese Ariana Rizvanolli.

"Të jetosh thjesht dhe i lumtur vlen më shumë se të jetosh i palumtur në një mbretëri të pasur" 


Një nga tiparet e një mësuesi të arrirë është aftësia e tij për ta bërë orën e mësimit interesante dhe tërheqëse. Duhet thënë se kjo është pika e fortë e mësueses nga Kosova, Ariana Rizvanolli, e cila së bashku me nxënësit e saj, kanë krijuar një traditë të veçantë, atë të orëve kreative. 


Ditën e sotme, ata kanë zgjedhur të krijojnë një përrallë, ku teskti dhe interpretimi të jetë spontan. Titulli i vendosur nga ta është "6 princeshat 3 mollëkuqet dhe një familje". Me një fabul shumë interesante, fëmijët argëtoheshin, improvizonin, si dhe vendosnin në punë imagjinatën. 


Mësuese Ariana shprehet "Fëmijët sot janë shumë të varur nga interneti dhe aparatet celularë. Është shumë e vështirë të tërheqësh vëmendjen e tyre, pasi gjithnjë e më shumë, ata priren të tregojnë shenja përtacie, mungesë dëshire dhe vullneti për të marrë pjesë në mënyrë aktive në orë mësimore. Ndaj, e shikoj këtë mënyrë të organizimit të orës mësimore, si të duhurën për t'i mbajtur ata të lidhur fort pas imagjinatës, kreativitetit dhe mesazheve të duhura, që një fëmijë duhet të përcjellë".


Duhet theksuar që vetë nxënësit i kanë krijuar me punëdore dhe letra me ngjyra personazhet. Teksti është përgatitur nga ata. Duke e krijuar vetë tekstin ata kanë mundësi të zgjerojnë fjalorin e tyre, të përdorin sa më mirë gjuhën, të krijojnë fjali të plota, të thjeshta dhe të përbëra. 


Mesazhi i kësaj përralle me 13 personazhe ishte gjithashtu shumë interesant dhe i parrokur shpeshherë më parë. "Të jetosh thjesht dhe i lumtur vlen më shumë se të jetosh i palumtur në një mbretëri të pasur".  


Mësuesit vazhdimisht ankohen se epoka e internetit, po zbeh vëmendjen e nxënësve dhe po zhduk imagjinatën, por rasti i mësueses Ariana Rizvanolli, na vërteton të kundërtën. Mjafton të përdoret metoda e duhur. Nuk ka fëmijë të mirë dhe fëmijë të këqinj, por ka metoda të mira dhe metoda më pak efikase. Vërtet duke përdorur orë të tilla, kreative, mund të humbisni një orë normale mësimore, por ama fitoni interesin e fëmijës për shkollën dhe dashuri për lëndën. 


(Përgatiti Parajsa Shtini; Portali Shkollor)

2,253 Lexime
4 vjet më parë