
Xheladin Sokoli, mësuesi shkodran i matematikës që bashkoi veriun me jugun
Xheladin Sokoli, mësuesi shkodran që shërbeu me pasion nga Shkodra në Kurvelesh, Lezhë e Vlorë, mishëroi urtësinë, kulturën dhe përkushtimin. Një figurë që bashkoi veriun me jugun, një enciklopedi e gjallë që la pas një trashëgimi të çmuar për arsimin shqiptar.
Nga Evans Drishti
Një trup i shkurtër, i kërrusur, me flokët që dukej sikur notonin më bardhësinë e tejskajshme të dëborës, por që shkëlqenin me plot hijeshi, një fytyrë hijerëndë, me sy rrezatues që të flisnin shumë duke nxjerrë në pah një botë të magjishme.
Qëndronte i ulur si në strukje, thuajse kishte përqafuar gjithë botën me plot dashamirësinë e tij, me ato duart e veta aq të buta dhe të ngrohta. E shihje gjithnjë të buzëqeshur, një fisnikëri qëi lexohej dukshëm në çdo cep të fytyrës.
Arsimi dhe kultura kishte qenë përherë armata kryesore për të, pasioni, guximi, aspirata, kënaqësia. Një përkushtim i paimagjinueshëm në fushën e arsimit e kishte bërë atë jo vetëm njerëzor, që padyshim i tillë ishte, por një intelektual tejet të admirueshëm dhe të vlerësuar nga e tërë shoqëria shkodrane dhe jo vetëm.
E kisha dëgjuar që në vegjëlinë time për mençurinë dhe intelektin që kishte shfaqur gjithnjë, por kur u rrita, arrita ta njihja më nga afër, megjithëse kuptohet tashmë e kisha gjetur në moshë të thyer. Shkoja me shumë kënaqësi pranë tij, sa herë që e takoja, pasi seç më rrëmbente një emocion i papërshkrueshëm tek e shihja në atë ngazëllimin dhe shpërthimet e tij kulturore që reflektonin dhe tejçonin emocione ritmike elektrizuese.
Po kush ishte intelektuali i shquar Xheladin Sokoli?
Kisha mësuar prej kohësh se kishte ardhur në jetë më 3 korrik 1918, në një familje intelektuale shkodrane, ku tradita dhe kultura qenë ngjizur qëmoti.
Kishte kryer gjimnazin shtetëror në vitin 1939. Megjithëse i kishin dalë studimet e larta në Itali, për arsyeekonomike s’kishte arritur t’i vazhdonte. Fillimisht punën e kishte nisur si sekretar në komunën e Obotit, ku më vonë do të vazhdonte edhe në postin e kryetarit të kësaj komune si dhe nëKatërkollë (Vladimir) deri në periudhën e çlirimit të vendit. Mësuesia për të kishte nisur në fshatin Shtoj duke vijuar më vonënë qytetin e Shkodrës, konkretisht në lagjen Ndocej.
Rrugëtimet profesionale sjellin edhe shtegtime të larmishme. Kështu do të ishte edhe për të, pasi nga Shkodra do të kalonte në Vlorën heroike, pikërisht në vitin 1946, në zonën e Kurveleshit, ku do të kalonte 5-6 vite të plota.
Pas këtyre eksperiemcave mjaft të larmishme dhe domethënëse njëherazi për të, do rikthehej në qytetin e tij të lindjes. Por viti 1954 do t’i hapte një tjetër degëzim nëushtrimin e profesionit të tij. Këtë herë do emerohejnë Lezhë, ku do e ushtronte mësuesin sërish nëlëndën e Matematikës për plot 7 vite.
Kishte ardhur koha t’i rikthehej qytetit të tij të lindjes, tashmë përfundimisht, duke u vendosur në shkollën”11 janari” deri në daljen e tij në pension në vitin 1973. Periudha e tij e pensionit do ta shoqëronte me aktivitete të ndryshme sociale e kulturor, për ta pritur me plot dinjitet dhe dinamizëm edhe ardhjen e demokracisë në Shqipëri, aq shumë të dëshiruar për të dhe mbarë shqiptarët. Nuk do ishin të shumta vitet që do përjetonte atë atmosferë të shumëkërkuar të lirisë së fjalës e të veprimit, pasi më 12 shkurt 1998 largohet nga kjo jetë, duke lënë pas njëtrashëgimi të vyer tradicionale e kulturore, e mbi të gjitha një familje të shëndetshme.
Fliste me shumë kënaqësi për librat, teksa tregonte atë bibliotekën e tij aq të pasur me vepra të larmishme, jo vetëm të kulturës letrare shqiptare e botërore, por edhe të kulturës historike, gjeografike dhe shkencore në përgjithësi. E pamundur të mos e dëgjoje me plot admirim një intelektual të atillë! Kishte shumë të veçanta: Fliste qartë e qetë, me një zgjedhje të kujdesshme fjalësh dhe frazash; komunikonte ëmbëlsisht dhe kuptohej lehtë; shqiptonte çdo fjalë me qartësi të dukshme, trajtonte mendimin me theksin dhe intonacionin e duhur; ishte elokuent në reflektime, aspak monoton, tregonte gjallëri dhe vlerësim në rrëfenja; respektonte çdo element që përcillte dhe zotëronte një diapazon të gjerë njohurish.
Ishte njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja, ku ndër të tjera Italishtja, Gjermanishtja, e sidomos Frëngjishtja mund të thuhej me plot gojë se ishin më shumë se gjuha mëmë e tij.
Kishte lexuar shumë gjatë rrugëtimit të tij jetësor, e mbi të gjitha lexime shumë cilësore. Dinte mjaft mirë të reflektonte në fenomenet e kohës, pasi gjithnjë sillte në kujtesë rrëfenjat që kishte lexuar më parë më shumë pasion e kënaqësi. E kishte përfshirë veten aq shumë në ato lexime, sa ishte bërë vetë lexues e vetë protagonist, teksa rrugëtonte me shumë dashuri në labirintet që ofronin rrëfenjat plot mistere.
Ishte një enciklopedi e gjallë, pasi merrte vesh nga të gjitha fushat e jetës. Një njohës i shkëlqyer i historisë, kulturës e traditës së vendit, i gjeografisë, i shkencave ekzakte. Zotëronte një memorie të paparë. Ishte shumë i freskët në kujtimet e veta. Kthehej shpesh në retrospektivë me një çiltërsi dhe kthjelltësi admiruese, teksa sillte në kujtesë kohë të vështira, por mjaft të bukura nga eksperiencat e veta të shkëlqyera.
80 vitet e jetës së tij i jetoi të mbushura e të plotësuara me dinjitet e dinamizëm. Ai shënjoi një epokë në kulturën shkodrane e shqiptare duke lënë emrin e tij të skalitur me shkronja të arta në memorien kulturore qytetare shqiptare.
Sot, në 2025-ën ndjejmë mungesën e një intelektuali të tillë, kërkojmë urtësinë e tij, mençurinë, kthjelltësinë e mendimit, maturinë, profesionalizmin e mbi të gjitha mendjen shumëdimensionale të një profesori që ishte gjithnjë në kërkim të integritetit. Ndaj e sjellim sot në vëmendjen tuaj si një postulat dhe busull orientuese për brezat që po vijnë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Manushaqe Hoxha Laçi: Matura 2025, brezi që e sfidoi kohën!
Manushaqe Hoxha Laçi: Të jesh mësues/e, një sfidë mes detyrës dhe misionit
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...