Atmosferë festash

Zbukurojmë pemën e Vitit të Ri

Në muajin dhjetor, ditët e premte të tri javëve të para, janë lënë orë projekti për përgatitjet e festës, ndërsa java e katër është pushim. Kështu, kemi sugjeruar që fëmijët të premten e parë të zbukurojnë pemën e Vitit të Ri...

Shënim. Në muajin dhjetor, ditët e premte të tri javëve të para, janë lënë orë projekti për përgatitjet e festës, ndërsa java e katër është pushim. Kështu, kemi sugjeruar që fëmijët të premten e parë të zbukurojnë pemën e Vitit të Ri, të dytën të dekorojnë mjediset me vargje prej letre dhe të tretën të mësojnë si shtrohet tryeza dhe të përgatitin ushqime të thjeshta së bashku me mësuesen. Gjatë kësaj kohe ata mësojnë këngë e vjersha dhe pjesën për dramatizim sipas roleve për koncertin festiv. Mësuesja përzgjedh nga vjershat që u pëlqejnë fëmijëve të përfshira në këtë libër.


Përgatitim pemën e Vitit të Ri. Për të krijuar diçka origjinale për zbukurimin e pemës së Vitit të Ri, mësuesja u kërkon fëmijëve nga një fotografi vetjake portret. Ajo i pret fotografitë në formë rrethore, në formë ylli ose zemre etj. Në një fletë A4 plastifikuese vendos disa fotografi, pastaj i pret figurat sipas perimetrit. I hap një vrimë me një hapëse vrimash dhe i lidh me një fjongo. Fotografitë me forma mund të zbukurohen (me tubete) me xixa dhe, pasi thahen, varen në pemën e Vitit të Ri.


Pemën e Vitit të Ri mësuesja mund ta realizojë me karton të madh të gjelbër (shikoni modelet.) ose me modelet e pëllëmbëve të duarve, të prera nga kartonë të gjelbër.


Vjershat. Mësuesja u cakton fëmijëve rolet dhe vjershat që ata të kenë kohë që t’i mësojnë. Në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë një rol në shfaqjen e Vitit të Ri, mësuesja mund të shfrytëzojë edhe vjersha të tjera që kanë bërë më parë ose vjersha që ajo di nga përvoja e saj.

Materiali është shkëputur nga udhëzuesi metodik për dosjen e parashkollorit "Një hap drejt shkollës, botimet ALBAS. Udhëzuesin metodik mund ta blini online duke klikuar këtu.


Edukatorët i ftojmë që për më tepër ide se si mund të ndërtojnë dhe zbukurojnë pemën e Vitit të Ri të klikojnë këtu.


(Portali Shkollor)

3,849 Lexime
6 vjet më parë