Dokumenti

Metodologjia e vlerësimit psiko-social të punonjësve arsimorë dhe të punonjësve të tjerë në institucionet arsimore parauniversitare

Qëllimi i metodologjisë së vlerësimit psiko-social është të përshkruajë formën, rrugën dhe mënyrën e realizimit të vlerësimit psiko-social, për të gjithë punonjësit arsimorë, të cilët punësohen për herë të parë në shkolla si dhe për punonjësit e tjerë për të cilët është paraqitur ankesë në IAP, ZVAP ose DRAP.

Mirëqenia psiko-sociale e punonjësve në institucionin arsimor parauniversitar, ka ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet me nxënësit, me kolegët, me prindërit, ashtu si edhe në aspekte të tjera të jetës së punonjësve. Etika dhe sjellja, gjithëpërfshirja, marrëdhëniet me nxënësit, mjedisi mësimor në klasë/shkollë, bashkëpunimi me prindërit dhe me komunitetin, marrëdhëniet, komunikimi dhe gjendja psiko-emocionale e punonjësve arsimorë dhe/ose punonjësve të tjerë, janë identifikuar si faktorë për suksesin apo për dështimin e profesionistëve në institucionet arsimore. Vlerësimi psiko-social i punonjësve të institucioneve arsimore, na mundëson të kuptojmë funksionimin psikologjik dhe social të tyre, si dhe na ndihmon të vlerësojmë aftësitë funksionale dhe psiko-sociale. Vlerësimi psiko-social përfshin të kuptuarit e funksionimit psikologjik dhe mendor të punonjësit si individ dhe si pjesë e një grupi në institucionin arsimor dhe në komunitet, vlerësimin e nevojave psikologjike edhe sociale, vlerësimin e kapaciteteve personale, motivacionin dhe mundësitë objektive.


Qëllimi i metodologjisë së vlerësimit psiko-social është të përshkruajë formën, rrugën dhe mënyrën e realizimit të vlerësimit psiko-social, për të gjithë punonjësit arsimorë, të cilët punësohen për herë të parë në institucionet arsimore parauniversitare, për punonjësit arsimorë dhe/ose punonjësit e tjerë për të cilët është paraqitur ankesë në IAP, në ZVAP apo në DRAP.


Metodologjia është mbështetur në urdhrin e ministrit të Arsimit dhe Sportit nr. 12, date 16.6.2022, "Për ngritjen dhe funksionimin e komisionit për vlerësimin psiko-social të punonjësve arsimorë dhe të punonjësve të tjerë në institucionet arsimore parauniversitare". Metodologjia lehtëson punën e komisionit të vlerësimit dhe të punonjësve psiko-socialë, në zbatim të detyrave teknike të cilat kërkojnë profesionalizëm dhe kompetencë. Metodologjia e vlerësimit psiko-social konsiston në:


Standardizim: Të gjitha procedurat dhe hapat që do të kryejnë punonjësi/it i/e shërbimit psiko-social dhe komisioni i vlerësimit, do të jenë të njëjta për punonjësit që do të vlerësohen.

Besueshmëri: Marrja e të njëjtit rezultat, pas testimeve të shumta.

Vlefshmëri: Metodat e përdorura (teste, intervista, vëzhgime) duhet të matin atë që synohet.


Metodologjia ia garanton dhe ia mbron integritetin personal dhe profesional punonjësit që po vlerësohet.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,798 Lexime
1 vit më parë