10 shkolla të jashtëzakonshme në botë: aty ku mësimi nuk duket siç e kemi imagjinuar!
Nga një shkollë në xhunglat e Balit, te një kopsht në Japoni ku çatia është një pistë e madhe loje; nga shkolla ku nxënësit mësojnë përmes projekteve reale te universiteti i programimit pa mësues dhe pa klasa tradicionale. Ja 10 modele arsimore që tregojnë sa shumë mund të ndryshojë ideja jonë për shkollën.
Kur mendojmë për një shkollë, zakonisht përfytyrojmë klasa, banka, tabela, libra, orare dhe mësues që zhvillojnë mësimin përpara nxënësve.
Por në vende të ndryshme të botës ekzistojnë institucione arsimore që kanë zgjedhur të eksperimentojnë me një tjetër mënyrë të të mësuarit.
Në disa prej tyre, hapësira fizike është pjesë e pedagogjisë. Në të tjera, nxënësit mësojnë duke zgjidhur probleme reale, duke ndërtuar projekte, duke punuar me komunitetin ose duke përdorur teknologjinë. Ka edhe shkolla ku nuk ka klasën tradicionale me banka dhe karrige, ndërsa njëra prej tyre nuk ka as mësues në kuptimin klasik.
Këto nuk janë modele që duhet të kopjohen automatikisht. Secila funksionon brenda një sistemi të caktuar arsimor, kulturor dhe social. Por ato janë interesante sepse na bëjnë të mendojmë për një pyetje të rëndësishme: si mund të duket shkolla e së ardhmes?
1. Green School Bali, Indonezi – një shkollë pa mure në mes të natyrës
Në zemër të Balit ndodhet Green School Bali, një nga shembujt më të njohur të edukimit të lidhur me natyrën dhe qëndrueshmërinë. Shkolla funksionon që nga viti 2008 dhe sot ofron arsim nga Pre-K deri në klasën e 12-të, me më shumë se 500 nxënës nga vende të ndryshme të botës. Kampusi është konceptuar si një mjedis i hapur, ku klasat nuk kufizohen nga muret tradicionale dhe ku natyra bëhet pjesë e drejtpërdrejtë e përvojës së të mësuarit. Këtu qëndrueshmëria nuk është vetëm një temë që mësohet në libra. Vetë shkolla përdoret si një lloj “laboratori” për mjedisin. Nxënësit përfshihen në projekte që lidhen me energjinë, mbetjet, biodiversitetin, bujqësinë dhe komunitetin. Një studim akademik e ka përshkruar Green School Bali si një nga shembujt më të spikatur të shkollave të gjelbra dhe vëren se kampusi, infrastruktura dhe natyra përreth përdoren si pjesë e drejtpërdrejtë e procesit edukativ. Dhe kjo qasje vazhdon edhe sot. Në vitin 2025, nxënësit e shkollës zhvilluan projekte dhe iniciativa konkrete për reduktimin e mbetjeve dhe ndërgjegjësimin mjedisor.
Çfarë e bën të veçantë?
Shkolla e kthen mjedisin nga “sfond” të mësimit në pjesë të vetë mësimit.
2. Fuji Kindergarten, Tokio – një shkollë ku çatia bëhet shesh lojërash
Një nga ndërtesat më të veçanta arsimore në botë gjendet në Japoni. Fuji Kindergarten, në Tachikawa, Tokio, është projektuar nga arkitektët Takaharu dhe Yui Tezuka dhe u rindërtua në vitin 2007. Ndërtesa ka një formë eliptike dhe rreth saj krijohet një hapësirë rrethore prej rreth 183 metrash, që fëmijët mund ta përdorin për të vrapuar dhe luajtur. Nuk ka mure fikse që e ndajnë të gjithë hapësirën në klasa tradicionale. Madje çatia është projektuar si një hapësirë e madhe loje. Tre pemë të mëdha rriten përmes strukturës së ndërtesës, duke e lidhur hapësirën e brendshme me natyrën. UNESCO e ka paraqitur Fuji Kindergarten si një shembull interesant të mënyrës se si arkitektura mund të ndikojë te përvoja e fëmijëve dhe te marrëdhënia e tyre me natyrën. Filozofia e institucionit është gjithashtu e veçantë: fëmijët duhet të shohin, të prekin, të ndiejnë, të mendojnë dhe të veprojnë. Shkolla beson se përvoja nuk mund të mësohet vetëm duke ta shpjeguar dikush. Qasja pedagogjike e saj bazohet edhe në Montessori dhe synon të zhvillojë pavarësinë e fëmijëve përmes ndërveprimit me mjedisin.
Çfarë e bën të veçantë?
Këtu arkitektura është pjesë e pedagogjisë: fëmija nuk mëson vetëm brenda ndërtesës, por duke lëvizur, eksploruar dhe bashkëvepruar me të.
3. Saunalahti School, Finlandë – kur ndërtesa bëhet pjesë e mësimit
Finlanda është e njohur për qasjet e saj të veçanta në arsim, por Saunalahti School në Espoo është interesante edhe për mënyrën se si është menduar hapësira.Shkolla është një institucion publik për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën. Në vitin shkollor 2025–2026 aty studiojnë rreth 800 nxënës.Shkolla vendos në qendër nxënësin dhe pikat e tij të forta. Ajo përdor mësim bashkëpunues dhe paralel, ndërsa për çdo nxënës hartohet një plan individual të të nxënit. Por ajo që e bën veçanërisht interesante është arkitektura. Ndërtesa, e hapur në vitin 2012, është projektuar jo vetëm si vend ku fëmijët shkojnë për të marrë mësim, por edhe si një hapësirë që i shërben komunitetit përreth. Në projektimin e saj janë marrë parasysh edhe arti, aktiviteti fizik, bashkëpunimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Çfarë e bën të veçantë?
Ideja se një ndërtesë e mirë shkollore mund të ndikojë në mënyrën se si fëmijët mësojnë, bashkëpunojnë dhe ndihen në shkollë.
4. Ørestad Gymnasium, Kopenhagë – një shkollë pa korridore dhe me hapësira të hapura
Në Kopenhagë ndodhet Ørestad Gymnasium, një shkollë e njohur për arkitekturën e saj të hapur dhe mënyrën e organizimit të mësimit. Ndërtesa nuk mbështetet vetëm te modeli klasik “një klasë – një mësues – një grup nxënësish”. Mësimi zhvillohet në ambiente të ndryshme: në klasa tradicionale, në hapësira të hapura, në grupe, përmes mësimit online dhe edhe përmes rasteve reale të punuara me partnerë jashtë shkollës. Pikërisht sepse hapësira është e hapur, mësuesit duhet të përdorin metoda të ndryshme. Shkolla e lidh këtë organizim me mësimin e bazuar në projekte dhe përfshirjen aktive të nxënësve. Në vend që të gjithë nxënësit të bëjnë gjithmonë të njëjtën gjë në të njëjtën mënyrë, ata mund të punojnë në grupe ose individualisht, në varësi të aktivitetit.
Çfarë e bën të veçantë?
Këtu hapësira fizike nuk është thjesht një çështje arkitekture: ajo përcakton dhe nxit mënyra të ndryshme të të mësuarit.
5. Innova Schools, Peru – mësim i kombinuar dhe teknologji
Në Peru, Innova Schools ka ndërtuar një rrjet të madh shkollash mbi një model që kombinon punën në grup me mësimin individual dhe teknologjinë. Sot rrjeti deklaron se ka më shumë se 60 kampuse në Peru dhe mbi 20 mijë të diplomuar. Modeli i saj i të mësuarit të kombinuar, ose Blended Learning, bashkon dy forma kryesore: Group Learning, ku nxënësit punojnë së bashku, dhe Solo Learning, ku punojnë individualisht me mbështetjen e teknologjisë. Në pjesën e punës në grup, nxënësit kërkojnë, diskutojnë dhe ndërtojnë njohuri së bashku, ndërsa mësuesi ka më shumë rolin e udhëheqësit dhe lehtësuesit të procesit. Në pjesën individuale, nxënësi punon me mjete digjitale sipas ritmit të tij. Shkolla përdor gjithashtu një Innovation Program, ku nxënësit punojnë për të zgjidhur probleme dhe sfida të komunitetit duke përdorur, ndër të tjera, metodologjinë Design Thinking. Modeli vazhdon të zhvillohet. Në vitin 2026, Innova Schools po diskuton edhe përdorimin e inteligjencës artificiale si mjet për të mbështetur kreativitetin, mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve.
Çfarë e bën të veçantë?
Teknologjia nuk zëvendëson mësuesin; përdoret për të krijuar një kombinim mes bashkëpunimit, autonomisë dhe të mësuarit sipas ritmit individual.
6. Brooklyn Free School, Nju Jork – pa kurrikulë standarde, pa nota dhe pa teste të detyrueshme
Në Nju Jork vazhdon të funksionojë Brooklyn Free School, një model shumë më radikal i organizimit të arsimit. Shkolla deklaron se nuk ka kurrikulë standarde, teste të detyrueshme apo nota. Nxënësit punojnë me mësuesit për të zhvilluar përmbajtje dhe aktivitete që lidhen me interesat dhe zhvillimin e tyre. Mësimi nuk kufizohet domosdoshmërisht brenda klasës. Shkolla e lidh atë edhe me lagjen, qytetin dhe botën jashtë saj. Një element tjetër interesant është mënyra se si organizohet komuniteti i shkollës. Përmes takimeve demokratike, nxënësit marrin pjesë në diskutimin dhe zgjidhjen e problemeve që lidhen me komunitetin shkollor. Kjo nuk do të thotë se nxënësi “nuk bën asgjë”. Përkundrazi, përgjegjësia për të marrë pjesë dhe për të ndërtuar rrugën e vet të të mësuarit është më e madhe.
Çfarë e bën të veçantë?
Një model ku nxënësi ka rol shumë të madh në përcaktimin e rrugës së vet arsimore, ndërsa vlerësimi tradicional me nota nuk është në qendër.
7. Big Picture Learning, SHBA dhe më gjerë – kur shkolla del jashtë shkollës
Big Picture Learning nuk është vetëm një shkollë, por një rrjet ndërkombëtar që përfshin më shumë se 275 shkolla, bashkëpunëtorë dhe vende të të nxënit në botë. Një nga idetë kryesore të modelit është se një pjesë e rëndësishme e të mësuarit mund të ndodhë jashtë ndërtesës së shkollës. Nxënësit punojnë me mentorë dhe marrin pjesë në praktika pune, duke e lidhur arsimin me interesat dhe me botën reale. Sipas rrjetit, praktikat dhe mentorimet historikisht mund të zënë deri në dy ditë në javë për disa nxënës. Modeli njihet për filozofinë “one student at a time” – pra, vëmendja te rruga individuale e secilit nxënës.
Çfarë e bën të veçantë?
Shkolla nuk shihet si i vetmi vend ku mësohet. Komuniteti, puna, mentorët dhe përvojat reale bëhen pjesë e edukimit.
8. High Tech High, San Diego – ku nxënësit mësojnë duke krijuar projekte reale
Në San Diego të Kalifornisë funksionon rrjeti High Tech High, i cili e ka vendosur mësimin e bazuar në projekte në qendër të modelit të tij. Nxënësit nuk mësojnë vetëm për të dhënë një test. Ata krijojnë projekte që mund të lidhin disa fusha njëkohësisht. Në projektet e publikuara nga shkolla gjejmë shembuj si studimi i ekosistemeve, ndërtimi i lojërave, kërkimi mbi bletët, projektet mbi ushqimin, programimin, mjedisin dhe madje edhe projekte ku nxënësit punojnë me organizata të komunitetit. Në një projekt, për shembull, nxënësit kombinuan artin, fizikën, matematikën dhe dizajnin inxhinierik për të ndërtuar struktura lëvizëse. Në një tjetër, nxënësit studiuan cilësinë e ujërave bregdetare të San Diegos dhe krijuan materiale për të informuar publikun. Në një nga institucionet e rrjetit, High Tech High International, modeli përshkruhet përmes katër parimeve: barazi, personalizim, punë autentike dhe dizajn bashkëpunues. Nxënësit përfshihen në projekte, punë në terren, shërbim komunitar, praktika dhe bashkëpunim me ekspertë jashtë shkollës.
Çfarë e bën të veçantë?
Nxënësi nuk mëson vetëm “për provim”; ai mëson duke krijuar diçka që ka një kuptim edhe jashtë klasës.
9. Vittra Telefonplan, Stokholm – një shkollë pa klasat tradicionale
Në Stokholm ndodhet Vittra Telefonplan, një shkollë ku vetë hapësira është projektuar për të ndryshuar mënyrën se si zhvillohet mësimi. Nxënësit nga parashkollori deri në klasën e nëntë mësojnë në një mjedis ku ka zona të ndryshme për bashkëpunim, përqendrim, prezantim, krijimtari dhe punë praktike. Shkolla ka gjithashtu një profil të teknologjisë dhe një Makerspace, ku nxënësit mund të programojnë, ndërtojnë robotë dhe eksperimentojnë me teknologji. Arkitekti Rosan Bosch e projektoi hapësirën duke zëvendësuar organizimin klasik të klasave me zona të ndryshme të të nxënit. Një nga elementet më të njohura është një strukturë e madhe në formën e një ajsbergu, që mund të përdoret për prezantime, kinema, pushim dhe forma të ndryshme pune. Shkolla është aktive edhe sot dhe për vitin shkollor 2026 ofron vende për nxënës në disa nivele.
Çfarë e bën të veçantë?
Në vend që fëmija t'i përshtatet gjithmonë një klase standarde, hapësira përshtatet me mënyrën e ndryshme se si nxënësit mësojnë.
10. 42 Paris – shkolla e programimit pa klasa dhe pa mësues tradicionalë
Dhe në fund, një nga modelet më të pazakonta: 42 Paris, një institucion falas i specializuar në programim dhe teknologji. Vetë shkolla e përshkruan modelin e saj me tre ide të shkurtra: pa kurse tradicionale, pa profesorë dhe pa klasa tradicionale. Në vend të leksioneve klasike, studentët punojnë përmes projekteve dhe mësojnë edhe nga njëri-tjetri, në një sistem të quajtur peer-to-peer learning. Procesi përfshin edhe elemente të gamifikimit. Hyrja bëhet përmes një procesi përzgjedhjeje të njohur si “Piscine”, një periudhë intensive testimi dhe pune. Për vitin 2026, 42 Paris vazhdon të organizojë cikle të reja të “Piscine” dhe regjistrime. Shkolla është e hapur edhe për kandidatë ndërkombëtarë, megjithëse programi zhvillohet fizikisht në kampus dhe jo në distancë.
Çfarë e bën të veçantë?
Është një shembull ekstrem i idesë se të mësuarit mund të ndërtohet përmes projekteve, bashkëpunimit dhe zgjidhjes së problemeve, në vend të leksioneve tradicionale.
Çfarë mund të mësojmë nga këto shkolla?
Këto 10 modele janë shumë të ndryshme nga njëri-tjetri. Njëra e vendos natyrën në qendër, një tjetër teknologjinë, një tjetër projektet, një tjetër lirinë e nxënësit, ndërsa disa e shohin vetë ndërtesën e shkollës si një mjet pedagogjik.
Por ka disa ide që përsëriten vazhdimisht:
Nxënësi në qendër.
Shumë prej këtyre shkollave përpiqen ta zhvendosin fokusin nga mësuesi që transmeton informacion te nxënësi që eksploron, krijon, bashkëpunon dhe zgjidh probleme.
Më shumë projekte, më pak memorizim mekanik.
Në High Tech High, Innova Schools, Big Picture Learning dhe Green School, nxënësit përballen me probleme dhe situata që lidhen me botën reale.
Hapësira ndikon te mësimi.
Fuji Kindergarten, Saunalahti, Ørestad dhe Vittra Telefonplan tregojnë se mënyra se si ndërtohet dhe organizohet një shkollë mund të ndikojë në mënyrën se si nxënësit lëvizin, bashkëpunojnë dhe mësojnë.
Teknologjia nuk është qëllim në vetvete.
Në modelet më interesante, teknologjia përdoret për të mbështetur një proces më të gjerë: të mësuarit individual, krijimtarinë, programimin, kërkimin dhe zgjidhjen e problemeve.
Dhe mbi të gjitha: nuk ekziston vetëm një mënyrë për të ndërtuar një shkollë.
Kjo është ndoshta gjëja më interesante që tregojnë këto shembuj. Një shkollë mund të jetë në një ndërtesë prej betoni, në një kampus prej bambuje, në një ndërtesë rrethore ose në një hapësirë të madhe pa klasa tradicionale.
Mund të ketë nota dhe teste, ose të eksperimentojë me forma të tjera vlerësimi. Mund të përdorë shumë teknologji ose ta vendosë natyrën në qendër. E rëndësishme është që modeli pedagogjik t'i shërbejë nxënësit dhe nevojave të tij. Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja që këto shkolla i bëjnë edhe arsimit tradicional: Nëse bota po ndryshon kaq shpejt, a duhet të ndryshojë edhe mënyra se si ndërtojmë shkollën?
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Muhamet Selmani: Dituria midis librit, mësuesit dhe teknologjisë në formimin e nxënësve
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Brunilda Kondakçiu: Sfidat e mia si nënë dhe mësuese e dy fëmijëve me aftësi ndryshe...