Muhamet Selmani: Dituria midis librit, mësuesit dhe teknologjisë në formimin e nxënësve
Libri, mësuesi dhe teknologjia janë tri shtylla të rëndësishme në formimin e nxënësve. Në këtë fillimviti shkollor, Muhamet Selmani sjell një reflektim mbi ekuilibrin mes ekranit dhe librit, rolin e pazëvendësueshëm të mësuesit dhe nevojën për t’iu rikthyer leximit si burim dijeje.
Nga Muhamet Selmani
Drejtor i shkollës “Ibrahim Gjorgji” Radomirë
"Nëse ka ndonjë gjë për të cilën shqiptarët duhet të kujdesen më të tepërt, ajo pa dyshim është dituria (të mësuarit)" – Sami Frashëri
Një vit i ri shkollor nis me një pyetje të madhe:
Çfarë duhet t'u japim nxënësve tanë për t'i përgatitur për të ardhmen?
Çfarë sfidash kemi përpara?
A po i japim ekranit më shumë kohë se sa librit?
Si mund të gjejmë ekuilibrin e duhur mes librit dhe teknologjisë në udhëtimin tonë drejt dijes?
Si t'i rikthehemi librit si burim thelbësor i dijes?
Udhëtimi i nxënësit drejt dijes është një rrugëtim që e përshkon duke ndërthurur tri burime të rëndësishme: libri, mësuesi dhe teknologjia.
Libri i hap dyert e mendimit, mësuesi e udhëheq e orinton dhe e edukon nxënësin; ndërsa teknologjia të hap horizonte të reja për kërkim dhe të nxënë. Këto tre burime nuk zëvendësojnë njëra-tjetrën por plotësojnë njëra-tjetrën. Kur libri, mësuesi dhe teknologjia bashkohen nxënësi ndërton dijen e tij, mendimin, kulturën dhe karakterin. Nxënësi i sotëm jeton mes dy botëve: botës së librit dhe botës së ekranit por për hirë të së vërtetës po i japim shumë më shumë kohë ekranit se sa librit.
Në këtë fillim të vitit të ri shkollor 2026-2027 duhet t'i vendosim vetes një premetim të thjeshtë por shumë të rëndësishëm: Të rikthehemi te libri, sepse aty është dituria, aty është fuqia. Rikthimi te libri si burim thelbësor i dijes, në një kohë kur ekrani e ka larguar librin nga nxënësi në mënyrë të pabarabartë.
Teknologjia është pjesë e pashmangshme e arsimit, por shkolla nuk mund të ndërtojë kulturën e dijes vetëm mbi ekran . Në shumë vende të botës që e provuan të zëvendësojnë librin me teknologji rezultoi metodë e pasuksesshme për nxënësit sepse harruan të shkruanin, tani p.sh. Norvegjia ndaloi përdorimin e teknologjisë dhe telefonave. Ekranet po zëvendësohen me libra të printuar, kjo një kthim pas aty ku ishin. Edhe Singapori po i rikthehet librit duke nxitur nxënësit të lexojnë.
Leximi i rregullt në libër ndihmon në zhvillimin e mendimit, e vëmendjes dhe përqendrimit, kureshtjes dhe imagjinatës; kurse teknologjia është një mjet që hap mundësi të mëdha për dije, por nëse përdoret pa masë/kufizim mund të kthehet në varësi dhe shpërqendrim të vëmendjes duke lëvizur pamjet e ekranit me një shpejtësi të madhe.
Le të marrim një nismë që sot në ditën e parë të shkollës të quajtur "Kthim tek libri, Lexo Librin". Duke filluar që sot me cakimin e një kohe shtesë për librin. Le të fillohet me një orë në ditë me librin. Nëse janë 100 nxënës nga një orë lexim në ditë bëjnë 100 orë lexim dhe nëse këtë praktikë e bën pjesë të përditshmërisë tënde atëherë suksesi do të jetë i garantuar.
Dituria është porta , libri është një nga çelësat e saj, teknologjia një mjet në shërbim të diturisë. Mësuesi është ai që i mëson nxënësit si ta kërkojnë dijen. Mësuesi është ura midis librit dhe teknologjisë, ku mësuesi udhëzon, motivon, ndërgjegjëson, nxit kureshtjen por edhe vë nxënësin në presion për të mësuar. Gjithmonë Kujto! Diamantet formohen nën presion. Ullirit i duhet presion për të nxjerrë vajin. Gjithashtu edhe nxënësi kërkon një lloj shtytje dhe imponimi, kërkesë llogarie, përpjekje dhe këmbëngulje sepse nxënësi nuk e di vlerën e dijes prandaj mësuesi duhet t’ia kultivoj edukatën e punës në kërkim të diturisë.
Ndërsa fillojmë një vit të ri shkollor ripërtërini qëllimin tuaj . Për çdo mëngjes ju futeni në një fushë nderi siç është mësimi i nxënësve dhe përhapja e diturisë. E ky është misioni më fisnik që mund të ekzistoj ku përgatiten të ardhmen e kombit duke i dhënë formë personalitetit njerëzor.
Mësime nga përvoja e kombëve na mësojnë se pyetjes: Kush e ndërton njeriun, që ai të ndërtojë gjithçka tjetër? Më pas përgjigja është dhënë: Mësuesi! Prandaj duhen zgjedhur mendjet më të mençura për të mësuar nxënësit. Nëse dëshiron të ndërtosh një urë, kërko një inxhinier, nëse dëshiron të ndërtosh të ardhmen e një kombi, fillo me mësuesin. Vlera e mësuesit është e një rëndësie të veçantë për shkak të misionit që ka. Mësuesi është investimi më i rëndësishëm i shkollave, sepse është ndërtues i së ardhmes, ndërtues i kapitalit më të madh që është “kapitali njeri i formuar mire” njeriu i ditur dhe këtu qëndron misioni i arsimit.
Së fundi, Dituria është porta më e madhe dhe kryesore për ndërtimin e njerëzimit dhe qytetërimit. Dituria është thesari më i madh në bot. E ardhmja u përket atyre që i përkushtohen diturisë. Fjala më e mirë që mund të themi: O Zot na shto diturinë!
Urime dhe mbarësi viti i ri shkollor!
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Inteligjenca Artificiale po bëhet koordinatori i ri i karrierës për të rinjtë. A është gati shkolla jonë për këtë realitet?
Mimoza Xhindi: "Pema e jetës", një mesazh plot dashuri për shkollën, nxënësit dhe mësuesit
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"