Liri Jollja: Si hyri bota në klasën time përmes eTwinning

Nga një pjesëmarrje rastësore në “Panairin e Ideve” te krijimi i bashkëpunimeve me 13 shtete, mësuesja Liri Jollja rrëfen se si eTwinning hapi dyert e klasës së saj drejt botës, duke u dhënë nxënësve të një shkolle rurale mundësi të reja për të mësuar, krijuar dhe bashkëpunuar përtej kufijve.

Nga Liri Jollja | Mësuese e gjuhës shqipe dhe nëndrejtoreshë, shkolla “Vadardhë”, Sukth, Durrës


Sa larg mund t’i çojë nxënësit pasioni i një mësueseje për të mësuar?


Atë mëngjes u nisa për në punë si çdo ditë. Nuk e dija se, pak orë më vonë, pasioni për të mësuar do të më çonte në një sallë konferencash në Tiranë dhe se idetë që do të merrja prej andej do të gjenin rrugën drejt klasës sime.


Një ditë, teksa shfletoja Facebook-un, pashë një njoftim për “Panairin e Ideve”, që do të zhvillohej më 4 shtator 2026, me pjesëmarrje në sallë dhe online. Veprimtaria do të niste në orën 11:00 dhe do të përfundonte në orën 16:00. Vetë titulli më ngjalli kureshtjen: çfarë idesh do të gjeja aty dhe çfarë mund të sillja prej tyre në shkollën time? Platformën eTwinning ende nuk e njihja, por dëshira për të mësuar më shtyn vazhdimisht të ndjek njoftimet dhe mundësitë e reja në arsim.


Kur plotësova formularin, zgjodha pjesëmarrjen online, pasi atë ditë do të isha në punë. Edhe pse mësimi ende nuk kishte filluar, ne mësuesit paraqiteshim në shkollë çdo mëngjes në orën 08:00, për përgatitjet e vitit të ri shkollor 2026-2027.


Në orën 11:00 u lidha në Zoom dhe nisa të dëgjoja me vëmendje prezantimet. Kur drejtori na njoftoi se e kishim përfunduar punën për atë ditë, unë isha ende e përqendruar te takimi. Sa më shumë dëgjoja, aq më shumë më rritej dëshira për të qenë aty.


Nuk mora rrugën e kthimit për në Durrës, ku jetoj; u nisa drejt Tiranës. Gjatë gjithë rrugës vazhdova ta ndiqja Panairin e Ideve në Zoom. Kureshtja më kishte mbajtur pranë ekranit; pasioni për të mësuar më çoi deri te dera e sallës së konferencave.


Kur mbërrita në Tirana International Hotel, takimi vazhdonte. Rreth tryezave të rrumbullakëta, mësues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë ndiqnin prezantimet dhe shkëmbenin ide. Më pritën me shumë ngrohtësi. “Liri, si je?”,- më përshëndeti  Dhurata Myrtollari, me të cilën njiheshim nga trajnimet online. Më ftuan të ulesha pranë tyre dhe më vunë në dispozicion agjendën e veprimtarisë. U ndjeva menjëherë pjesë e takimit.


Aty njoha Suelën, Anilën, Xhenin dhe shumë kolege të tjera. Na bashkonte i njëjti qëllim: të gjenim mundësi të reja për nxënësit tanë. E ndiqja takimin plot kureshtje dhe, pas çdo prezantimi, mendoja si mund t’i përfshija edhe fëmijët e shkollës sime në përvoja të tilla. Rreth atyre tryezave ishim ulur ne, por në mendimet tona kishim sjellë edhe nxënësit.


Xheni Hoxha më ndihmoi me regjistrimin në platformë. Një mirënjohje të veçantë ia kushtoj Kiara Mukës, përfaqësuese e Organizatës Kombëtare të Mbështetjes për eTwinning pranë Ministrisë së Arsimit. Mikpritja e saj e ngrohtë dhe gatishmëria për të më orientuar e bënë mbështetjen institucionale të ndihej njerëzore dhe të afërt. Ajo mundësoi validimin tim po atë ditë dhe më mbështeti më pas edhe me kërkesat e kolegeve, duke ma bërë më të lehtë fillimin e këtij rrugëtimi. Mirënjohje të gjithë rrjetit eTwinning Albania për mbështetjen dhe frymën e bashkëpunimit. Falënderoj përzemërsisht ambasadoret Dentila Garipi, Dhurata Çuka,Dhurata Myrtollari dhe Erviola Konomi për orientimin dhe përvojat e ndara.


U largova me njohje të reja dhe me ide që mezi prisja t’i ndaja me nxënësit. Atë mbrëmje nisa të eksploroja platformën, e cila është në gjuhën angleze. Netët zgjateshin deri vonë: lexoja projekte dhe krijoja kontaktet e para me mësues nga vende të tjera. Pas çdo ideje shihja fytyrat e nxënësve të mi. Ajo që mësoja atë mbrëmje mund të bëhej nesër një mundësi për ta.


eTwinning është një komunitet profesional evropian ku mësuesit dhe drejtuesit shkëmbejnë ide e përvoja, ndërtojnë bashkëpunime dhe zhvillohen profesionalisht përmes seminareve, trajnimeve, konferencave dhe webinareve. Përmes projekteve të përbashkëta, kjo frymë bashkëpunimi shkon edhe te nxënësit, duke i lidhur me bashkëmoshatarë përtej kufijve. Ua tregova këtë përvojë kolegëve. Dorela Muça, mësuese e gjeografisë, dhe Ardita Dyrmishi, mësuese e arsimit fillor, iu bashkuan nismës. U përfshi edhe psikologia Suada Rexhepi. I falënderoj përzemërsisht: frymëzimi i asaj dite tashmë po merr jetë në tri klasa të shkollës sonë.


Ua prezantova projektet nxënësve të VIII-B, duke u shpjeguar çfarë përmbante secili, dhe i përzgjodhëm së bashku. Doja që puna të niste edhe nga kureshtja e dëshirat e tyre. Prindërve u shpërndava fletë informuese dhe mora pëlqimin me shkrim. Mbështetja e tyre më dha zemër për të vazhduar.


“Ne do të të bëjmë krenare!”, - më thanë nxënësit duke më përqafuar. Ata ende nuk e dinin sa krenare më kishin bërë tashmë. “Ti je hëna, ne jemi yjet” dhe “Ti ke 14 vajza, ato jemi ne!” janë fjalë që i mbaj në zemër. Dashuria e tyre më kujton sa përgjegjësi mbart besimi që na japin.


Në projektin “Around Our Countries , An Interactive Map of Culture, Language & Traditions” bashkëpunojmë me mësues e nxënës nga 13 shtete për të krijuar një hartë të përbashkët ndërvepruese në Genially. Çdo shkollë do të kontribuojë me prezantime, muzikë, kuize dhe materiale për gjuhën, kulturën e traditat e vendit të saj. Nxënësit tanë do të prezantojnë Shqipërinë dhe do të zbulojnë kulturat e partnerëve përmes krijimeve të bashkëmoshatarëve. Në takimin online të 25 shtatorit, sa krenare ndihesha teksa i dëgjoja të përshëndesnin partnerët në anglisht! Duhej t’ua shihnit sytë si shkëlqenin!


Si mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë, te projekti “Theatre is a World” , “Teatri është një botë” , pashë mundësinë që fjalët e nxënësve të mi të merrnin jetë në skenë dhe të sillnin gëzim te fëmijët më të vegjël. Nxënësit do të hulumtojnë një problem të jetës reale, të përzgjedhur përmes një anketimi me partnerët, dhe do të shkruajnë së bashku një skenar në anglisht. Pas përkthimit në gjuhën amtare, do ta vënë në skenë falas për fëmijët parashkollorë më 27 mars, në Ditën Botërore të Teatrit. Hulumtimet dhe videot e shfaqjeve do të përmblidhen në një libër digjital.


Në projektin katërmujor “You Finish My Story”  “Ti përfundon tregimin tim” ,  nxënësit do të nisin një tregim me vizatime dhe fjali të thjeshta në anglisht, ndërsa partnerët nga një vend tjetër do t’i krijojnë fundin. Edhe nxënësit tanë do të përfundojnë tregimin e partnerëve. Historitë dhe regjistrimet e zërave të tyre do të përmblidhen në një libër ndërkombëtar: krijime që bashkojnë imagjinatën e fëmijëve nga dy vende.


Kemi përzgjedhur edhe “Postcards of Winter Magic”, për shkëmbimin e kartolinave dhe urimeve. Një hap i ardhshëm do të jetë projekti “Ndërto ura, jo mure”, me një shkollë nga Kosova: një ftesë që nxënësit të afrohen, të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të krijojnë së bashku.


Në këto projekte, nxënësit e kthejnë dijen në veprim dhe bashkëpunimin në përvoja që i aftësojnë për jetën. Dua që secili të ketë një rol dhe të ndiejë se kontributi i tij ka vlerë. Besoj fort në potencialin e çdo nxënësi. Çdo nxënës ka diçka për të dhënë; shpesh i duhet vetëm dikush që ta besojë dhe t’i hapë rrugën.


Nuk kam një shkop magjik për t’i çuar nxënësit e mi në çdo shkollë të botës. Por pasioni më shtyu të kërkoja një rrugë dhe eTwinning na hapi një dritare: bota hyri në klasën tonë dhe zëri i fëmijëve të mi nisi të dëgjohej përtej kufijve. Nxënësit e mi jetojnë në një zonë rurale, por barrierat gjeografike nuk i pengojnë të mësojnë dhe të ndërtojnë miqësi me botën.


Si mësuese dhe nëndrejtoreshë, dua të frymëzoj përmes shembullit: t’u jap kolegëve guxim për të provuar dhe nxënësve besim për t’ia dalë. Një shkollë rritet kur njerëzit e saj guxojnë të mësojnë, mbështesin njëri-tjetrin dhe u japin jetë ideve.


Mësuesia është mision që merr jetë në përkushtimin e përditshëm. Pasioni për arsimin më shtyn të kërkoj e të mësoj, ndërsa besimi i nxënësve më jep forcë të vazhdoj. Dua që ajo që mësoj sot t’i ndihmojë nesër të shkojnë më larg se unë.


Të nderuar kolegë, eksplorojeni platformën eTwinning dhe zbuloni mundësitë që ofron për zhvillim profesional, shkëmbim idesh e përvojash me kolegë evropianë dhe bashkëpunim mes shkollave. Një ide që ndajmë sot mund të marrë jetë nesër në një klasë tjetër. Le t’i japim vetes guximin për të provuar dhe njëri-tjetrit mbështetjen për të vazhduar.


Le t’i mbajmë hapur këto dritare për njëri-tjetrin dhe për fëmijët tanë. Shqipëria që dëshirojmë nesër është sot në bankat e shkollës. Na dëgjon, na vështron dhe, përmes nesh, mëson sa larg mund të guxojë.




© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

123 Lexime
6 orë më parë