Portali Shkollor

2200 votues, del rezultati i sondazhit për nismën “merr bukë me vete”

Sondazhi i kryer nga Portali Shkollor për nismën “merr bukë me vete” ka nxjerrë rezultate interesante që meritojnë vëmendje. Mbi 14 mijë veta e kanë parë atë në faqen zyrtare të Facebook

“Merr bukë me vete” është një nga nismat le të themi më të mira të ndodhura së fundmi. Për të po flitet e po diskutohet nga të gjithë. Duke u nisur nga kjo, Portali Shkollor ka kryer një sondazh nëpërmjet faqes së tij të Facebook prej 6 ditësh ku ndjekësit janë pyetur: “A duhet të marrin fëmijët bukë më vete në shkollë”? Sondazhi ka nxjerrë rezultate interesante që meritojnë patjetër vëmendje. 

Kanë votuar plotë 2,200 veta nga ku 2,134 kanë votuar pro dhe 66 veta jo. E përkthyer në përqindje, 97% kanë qenë dakord faktit që fëmijët duhet të marrin bukë me vete në shkollë dhe vetëm 3% i është përgjigjur me jo kësaj nisme. 


Votuesit që i kanë thënë po nismës e kanë përkrahur atë për vetë faktit se fëmijët do të mund të ushqehen në mënyrë më të shëndetshme dhe se kjo gjë do ta bënte të lumtur çdo familje e për rrjedhojë edhe shoqërinë ku jetojmë. Fëmijët nuk do të konsumonin më ushqime të ashtuquajtura “fast food”. Ndërkohë, kështu do të shmangej edhe rreziku që mund t’u sillte fëmijëve “leku nëpër duar”.  Pra prindërit nuk do t'i jepnin më fëmijëve të tyre lekë për të ngrënë mëngjesin apo drekën. 

Por ata që kanë votuar pro marrjes së bukës me vete kanë theksuar disa elementë të cilët duhet të ekzistojnë që kjo nismë të mirë funksiononte. Ndër to janë edhe kushtet në shkollë, hapësira e posaçme për ngrënien e ushqimit nga nxënësit. Sipas disave klasat janë të mbipopulluara dhe numri prej 40 vetash do ta kthente klasën ku mësohet në një mensë. Pra votuesit që i kanë thënë “Po” nismës “merr bukë me vete” duan që kjo gjë të bëhet rregull për të gjitha shkollat publike, por nga ana tjetër për realizimin e saj duhet të plotësohen kushtet e nevojshme. 

Ndërkaq, një pjesë e vogël, vetëm 3 %, nuk e shohin si të arsyeshme që fëmijët të marrin bukë me vete në shkollë. Sipas tyre ngrënia e ushqimit në shkollë nuk do të ishte e hijshme dhe se mes nxënësve ndoshta mund të krijoheshin diferenca sociale. 

Për sa më lartë vlen të theksohet gjithashtu se, nisma “merr bukë me vete” do të ishte një iniciativë tepër e domosdoshme për të gjithë fëmijët shqiptarë dhe se ajo nuk duhet të gjejë zbatim vetëm në kryeqytet. 


(Përgatiti Nanila Allkja Bicaku, Portali Shkollor)

2,958 Lexime
4 vjet më parë