Analizë e veprës “Vëllezërit Karamazov” nga mësuesi Bledar Lipo
Mësuesi Bledar Lipo na sjell një vëzhgim të detajuar të romanit “Vëllezërit Karamazov”, nga Fjodor Dostojevski. Shkrimi i tij përfaqëson botëkuptimin e një lexuesi, pasi lexon këtë roman.
Mësuesi Bledar Lipo na sjell një vëzhgim të detajuar të romanit “Vëllezërit Karamazov”, nga Fjodor Dostojevski. Shkrimi i tij përfaqëson botëkuptimin e një lexuesi, pasi lexon këtë roman. Subjekti, linjat e romanit, personazhet, simbolikat, citime nga vepra pasqyrohen në këtë shkrim.
Analizë dhe mesazhe të veprës:
Çështjet që do të trajtoj në këtë detyrë:
· Kush është Fjodor Dostojevski?
· Subjekti i veprës "Vëllezërit Karamzov"
· Çfarë përfaqësojnë vellëzërit Karamazov?
· Për veprën
· Pse Aliosha në qendër?
· Disa citime nga libri
I- Kush është Fjodor Dostojevski?
Fjodor Mihajllovic Dostojevksi lindi në Moskë në vitin 1821 dhe vdiq në Petërburg në vitin 1881. Është padyshim ndër shkrimtarët më të mëdhenj në Rusi dhe në botë.
Kryeveprat e tij letrare si "Krim dhe ndëshkim", "Idioti", "Demoni" dhe "Vëllezërit Karamazov" e patën fillesën me "Njerëz të varfër". Duke parë internimin e tij në Siberi dhe kthimin përsëri në jetën e zhytur në mjerim dhe në borxhe, ai depërton në psikologjinë e njeriut dhe në shpirtin njerëzor, përmes veprave të tij.
II-Subjekti i veprës: Në romanin e tij "Vëllezërit Karamazov", sikur shprehet edhe vetë autori, ka momente nga ku mund të shpërthejnë romane të tjerë përgjatë veprës, por do mundohem të jap një përshkrim të shkurtër të këtij subjekti që edhe vetë autorit ju deshën mbi një mijë faqe për të shpalosur tek lexuesi, sa që përshkrimi im, do lerë mjaft gjëra pa thënë.
1- Njëra linjë tregon problemet e njeriut pa identitet atë të plakut Karamazov, që i mungonte cilësia atërore dhe përgjegjësia prindërore. Cilësitë e tij prej gastori dhe njeriu që vlerëson figurën e grave në aspektin seksual, përdhunon një endacake me sëmundje mendore, divorcohet me dy gra (ose më saktë nuk shkon mirë me asnjërën prej tyre), duke lënë pas tre fëmijë të ligjshëm dhe një të paligjshëm. Fëmijët rriten në drejtime të ndryshme, duke u munguar prindërimi, saqë autori shprehet “Ai që të lind nuk quhet akoma prind, prind quhet ai që të lind dhe të meriton”. Plaku arrin deri aty sa fillon edhe një garim me një prej djemve, lidhur me një femër, një duel, atë dhe bir për një femër dhe tre mijë rubla.
2- Linja e rritjes dhe veshjes së fëmijëve me identitete të ndryshme.
a- Njëri bëhet oficer, bën jetë deri diku si i ati, pas alkoolit, femrave dhe parave. Autori shprehet "Kur u bëmë oficerë ishim gati të derdhnim gjakun për nderin e regjimentit se sa për nderin tonë, askush nga ne nuk e dinte ç`është ky, dmth unë i pari do të qeshja me të". Ky oficer quhet Mitia dhe është personazhi që lidh personazhet e tjerë jo se është njëri nga vëllezërit, por i lidh së bashku, sepse garon me të atin për një femër, nga ana tjetër garon deri diku në heshtje me të vëllain për femrën tjetër me te cilën është martuar, ndërkohë vëllai që është prift gjendet në mes për të qetësuar dhe ushqyer shpirtrat me të mirën, por kjo linjë e shpirtit meriton të jetë linjë më vete. Për Mitian bëhet gjyqi, diskutmi në qelinë e kollagjerit, dueli femëror, ndërgjegja prindërore, biseda me djallin xhentelmen që bën Ivani, krenaria dhe shembulli për Kolian, jeta e shthurur në lokale dhe pijetore, lidhja me shërbyesit në shtëpi dhe xhelozia e vëllait të jashtëligjshëm, vrasja, diskutimet mes prokurorëve dhe mjekëve dhe cilësitë e imazhit të tyre, lidhen përmes figurës së Mities.
b- Ivani vëllai i dytë, fillon jetën si shkollarist, deri diku shovinist kokëngjeshur që fillon diku nga fundi të ketë biseda me vetveten apo me brendinë e tij shpirtërore sa që autori e quan me të drejtë bisedë me djallin xhentelmen. Ai sakrifikon veten duke i dhënë të drejtë vëllait të vet lidhur me moskryerjen e krimit, edhe pse në të kish filluar një dashuri për Katian, gruan e Mities. Ai del në roman me një nënlinje që është edhe linjë e rëndësishme e romanit, pasi është gjysmë e medaljes së këtij libri, ajo e të qenurit shovinist kokëngjeshur me parullën "se gjithçka lejohet". Deri diku i jep të drejtë indirekt ëellait të paligjshëm të çojë në mendje atëvrasjen. "Meqenëse ju thoni se nuk ka Perendi te amshueshme, atehere edhe virtyt te ameshueshem nuk ka, kujt i duhet morali?"
c- Aliosha që është në qendër të gjithë romanit lidh dy botëkuptimet, atë religjonist dhe ate materialist, atin me fëmijët, gratë me burrat, të varfërit me të pasurit, luftën me paqen, qëllimin me paqëllimin, internimin në dënim, me shpresën për rikthim, himnin e nëntokës me jetën e përtejvarrit, personazhet me lexuesit. Në të shkrihet një pjesë e vuajtjeve të autorit: diskutimet shkencë-religjon, shovinist kokëngjeshur apo mistik i zymtë? Ai që e ka lexuar besoj më kupton.
3- Linja e veshjes së çdo personazhi me intelekt, pavarësisht sesi i ka cilësitë në vepër, çdo personazh shfaq intelekt në situata të caktuara, që nga plaku Karamazovas që përshkruhet si jo atëror. Fëmijët e tij shfaqin diskutime të larta gjatë veprës, madje dhe fëmija i jashtëligjshëm nuk ishte aq idiot sa shfaqet apo ju duket të tjerëve, gjykatësit po ashtu, avokatët, mjekët, ekonomistët, madje dhe gratë që garojnë me njëra tjetrën shfaqin mirësi dhe vetëgjykim të lartë në vepër, sikur autori dëshiron të thotë se brenda çdokujt është një shpirt që e dëshiron të mirën pavarësisht se sa ti e ushqen me të keqen.
4- Linja e diskutimit nëse shteti mund të bëhet kishë apo kisha shtet.
5- Dëshira e papërmbajtur për ambicie, ego personale dhe para apo karriere e mjekut, avokatit, cifligarit, prej këtej gjen rrënjë linja katër që shteti të bëhet kishë apo njerëzit t’i kthehen shpirtit.
6- Nevoja e adoleshentëve jo vetëm për shkollë, por edhe për leksione të një fetari si Aliosha.
Kolia me një shpirt adoleshenti, nuk i mjafton vetëm etika e një mësuesi pedant dhe elegant që i dashuron të ëmën, as leksionet e tij të historisë, apo librat e shkencës që lexonte, për t’i dhënë botëkuptim dhe ndezje shpirtit, atij i duhet edhe ana tjeter e medaljes, apo ajo që shkenca të gjejë tek feja qëllimin.
III- Çfarë përfaqësojnë vëllezërit?
Sikur e thashë pak më lart, drejtimet e ndryshme që u ka dhënë autori dhe lidhja jo vetëm përmes gjakut (si vëllezër të një babai që s’ka pasur pikën e interesit ndaj rritjes dhe edukimit të tyre), por edhe përmes aortës së veprës, gjetjes së mesatarisë mes religjonit dhe qytetarisë së ofruar nga shovinizmi, në mënyrë që të japin si fryt të tyre një qytetar të moralshëm, që do të jetë modeli rus i qytetarit, njeri që beson në Zot dhe se është gati të internohet e vetëm mos emigrojë në një shtet qoftë ky edhe Amerika sipas Mities. Krenari, pune, ndërgjegje dhe pastrim shpirtëror.
"Është e tepërt të presësh nga njerëzit të arsyetojnë. "Sikur qentë të arsyetonin do të qeshnin jo në pak raste me ne njerëzit”. (Citat nga libri), apo “Sikur një sëpatë të fluturonte në qiell, nuk e di pse, por do ta rrethonte tokën si një satelit rreth saj.
4- Mbi veprën
Vepra tregon jetën në Rusi dhe jo vetëm, modelin rus të identitetit të kohës, duelin shovinizem-religjon, duelin midis materies dhe shpirterores, duelin midis poshtersive dhe deliresise.
Në vepër gjendet një superdepërtim në ndërgjegjen njerëzore. Në fillim dalin në pah personazhe që bisedojnë dhe rrëfehen tek kollagjeri, dhe më pas personazhe që bisedojnë deri me djallin që i shoqëron si një bisedë me veten, për të detajuar analiza të shpirtit njerëzor.
Vepra ndalet gjatë ne shitjen e figurës së njeriut për para, karrierë dhe poshtërsi. Po ashtu vepra ndalet gjatë në vlerat e familjes, shkollës dhe fesë, përshembull ideja e materializmit:
“Ata do të mendojnë se buka e prodhuar nga duart e tyre do të shndërrohet në gurë në duart e tyre, ndërsa ne ua kthyem gurët në bukë, oh sa do ta vlerësojnë, do të nënshtrohen menjëherë e përgjithmonë. Ti në fe u mëson krenarinë, ndërsa ne do t’u mësojmë të punojnë, t’u organizojmë jetën në orët e lira, oh do t’u mësojmë edhe të mëkatojnë dhe do të na duan si fëmijët, sepse i lamë të mëkatojnë";
"Kapu pas bishtit të qepës, edhe nëntokë ka jetë";
“Njeriu është më i prirur të kërkojë mrekullitë sesa Zotin”.
Në vepër gjen degradimin e mjekësisë ku autori ironizon specializimin e mjekut vetëm për njerin fyell të hundës, se për fyellin tjetër duhet të shkosh deri në një shtet tjetër.
Degradimin e ushtrisë, ku askush nuk mendon për nderin e vet, sesa për regjimentin, madje qeshin me nderin e vet.
Degradimin e gazetarisë dhe botimit në dobi të shitjes dhe karrierës personale.
Egërsia në gjykata, dueli mes avokatëve.
Por më së shumti degradimi i gjithçkaje vjen nga degradimi i familjes.
Me pak fjalë jepet një dënim njerëzor që Aliosha si figurë fetare e lejon sivellain të japë edhe ryshfet vetëm e vetëm që mos të dënohet padrejtësisht. Por më shumë se gjyqi njerëzor ndaj Mities, jepet dueli dhe disfata që kanë pësuar institucionet si gjykata, ushtria, gazetaria, mjekësia, avokatia, apo dhe shkolla për dallim nga futja e qëllimit të fesë në to, futja e shpirtit të drejtë dhe dhënia dritë apo qëllim veprave.
5- Pse Aliosha në qendër?
Krahas degradimit të shoqërisë, apo institucioneve, autori i jep një dorë ringritjes së modelit rus përmes kthimit të syve tek feja, pra shkurt shkenca tek feja duhet të gjejë qëllimin dhe civilizimi t’i kthehet familjes.
6-Disa citime të veprës:
"A është e njejtë të vdesësh si i poshtër dhe të vdesësh si fisnik?”;
"Jo vetëm qenka e pamundur të jetosh si i poshtër, por qenka e pamundur edhe të vdesësh si i poshtër”;
"E sheh Ivan mua më besojnë se jam djalli, e kush nuk do më besonte mua?";
"Thes liberal pa asnjë vlerë”;
"Unë jua hapa shpirtin në dy gjysma, kurse ju çbëni, shkoni e rrëmoni me gishta vendin e plagosur”;
"Budallallëku flet më shkoqur dhe nuk është dinak, ndërsa mendja përdridhet dhe fshihet”;
"Mos e shpërfill bukën qiellore për atë tokësore!";
"Nuk ka brengë më sfilitëse për njeriun sesa duke qenë i lirë të kërkojë kujt t’i nënshtrohet, ndërkohë që ai duhet t’i nënshtrohet dikujt që është i padiskutueshëm”;
"Të gjithë horra janë dhe mbajnë këpucë llustrafine";
"Njerëzit sikur e bënë me llaf të gënjenin dhe që atë ditë të gjithë gënjejnë”;
"Njëri e mbante djallin ne gji, një tjetër në xhep e kish futur, një tjetër në bark, dikujt i varej në qafë”;
"Njerëzit e kanë shpjeguar të vërtetën pjesë-pjesë dhe u ka shpëtuar e tëra, e verteta ka jetuar gjithnjë edhe në shpirtin e ateistëve shkatërrimtare”;
"Sikur është fshirë njëherë e përgjithmonë kodi moral njerëzor, sikur paragrafi i tij që flet për jetën e përtej varrit është shkelur me këmbë. Është groposur dhe mbuluar me dhe”;
"Dy veti që e zvetënojnë popullin tonë më shumë se degjenerimi, janë shovinizimi kokëngjeshur në fushën e qytetarisë dhe misticizmi i zymtë në fushën e moralit”.
Nuk e di pse në shumë aspekte kemi pasur fat si ai i Rusisë dhe shumë nga problemet që përshkruhen në veper i hasim edhe sot në ditët tona, si për të kërkuar të njejtat zgjidhje. Kërkoj ndjesë atyre që janë kritikë letrare dhe i përkasin profilit të letërsisë, pasi ata janë më të përshtatshëm për të tilla biseda apo analiza veprash, kjo e imja është vetëm një dëshirë modeste për të vlerësuar veprën e këtij autori.
Nga Bledar Lipo, mësues
Publikim Parajsa Shtini
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
I huaji (Në bankën e të akuzuarve) - Albert Kamy, test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe
Test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe (Fausti-Kopshti)
Tema orientuese për maturën shtetërore, lënda Psikologji 12 me zgjedhje