Psikologji

Argjentina Hoxhaj: Arsyet pse prindërit nuk duhet të përdorin ndëshkimin te fëmijët

Dënimi si një mënyrë ose alternativë për edukimin e fëmijëve mund të shkaktojë pasoja në shëndetin mendor dhe emocional tek të vegjlit. Se si ndodh kjo tregohet përmes këtij artikulli të përgatitur nga psikologia Argjentina Hoxhaj.

  

Çdo prind dëshiron që fëmija të rritet i edukuar dhe të ndjehet mirë si në shoqëri edhe kudo; është e domosdoshme që prindërit të krijojnë një ambient të shëndoshë në familjen e tyre, është shumë e nevojshme që të shmangim acarimet, dhe ngritjet e zërit midis prindërve sepse kjo ndikon tek fëmija.


Vitet e fundit është shtuar fjala dënim apo ndëshkim nga prindërit kundrejt fëmijëve të tyre, por a duhet që prindërit të jenë më të kujdesshëm ndaj këtij veprimi? 


Nga përvoja ime si psikologe dhe ushtruese e detyrës ne qendrat edukative për fëmijë, them që po. 


Fëmijët janë natyrisht të etur për të bashkëpunuar. Nëse ata ndëshkohen, kjo krijon zhgënjim dhe pafuqi. Nëse ka një ndëshkim të rregullt, të kuptuarit se në fund fiton gjithsesi kush është më i fortë dhe ka më shumë fuqi, në këtë rast prindi atëherë fëmija modelon sjelljet e prindërit. Kjo bën që shumica e fëmijëve të dëshirojnë të jenë më të fuqishëm sa më shpesh të jetë e mundur. Nuk është e pazakontë që ata të ngacmojnë fëmijët më të vegjël ose më të dobët në qendrën ditore për të kompensuar pafuqinë e tyre.


Në shumë studime të fundit që janë bërë kanë konstatuar se ndëshkimi i prindërve ndaj fëmijëve mund te lë pasoja në shëndetin mental dhe emocional. Me ndëshkim nuk ndryshohet modeli i sjelljes së fëmijës por vetëm momentalisht ndryshohet sjellja e tij. Me dënim prindi nuk ofron informacion apo sqarim të qartë tek fëmija por vetëm veprim. Fëmija shumë herë mbetet i pa qartë për gabimin që ai ka bërë sepse ai mund të dënohet me kokën ulur poshtë tavolinës ose të rrijë për disa minuta larg rrethit familjar në një dhomë tjetër dhe kjo patjetër që shkakton zemërim më shumë se sa keqardhje për gabimin që ka bërë.


Është shumë e vështirë që përmes dënimit fëmija të mendoj për situatën dhe të kuptojë se çfarë nuk shkon me sjelljen e tij. Metoda më e përshtatshme për prindërit ndaj fëmijëve do ishte  komunikimi, një qasje pozitive ndaj fëmijës do të ndryshonte modelin e sjelljes në mënyrë spontane dhe nuk do të bazohet në frikë dhe kërcënime.


Pasojat që mund të shkakton ndëshkimi tek fëmijët

  1. Ndëshkimi nuk e eliminon sjelljen e padëshirueshme.
  2. Fëmija i ndëshkuar nuk e ndryshon sjelljen e tij, por përpiqet t'i shpëtojë dënimit duke mësuar sjellje të reja, p.sh përmes, gënjeshtrës, faljes, etj.
  3. Ndëshkimi mund të vendosë një tendosje të tillë në marrëdhëniet midis prindërit dhe fëmijës saqë mund të pakësoj besimin sepse shpesh herë prindi nuk i realizon dëshirat në qoftë se fëmija ka bërë një gabim dhe e shpreh këtë në formë të ndëshkimit ndaj fëmijës.
  4. Ndëshkimi i shpeshtë mund të çojë në sjellje armiqësore dhe agresive.
  5. Fëmija nuk e sheh keqbërjen e tij kur ndëshkohet dhe për këtë arsye nuk e ndryshon sjelljen e tij.
  6. Ndëshkimi i shpeshtë ul vetëvlerësimin e fëmijës dhe mund të çojë në mungesë motivimi dhe pasiviteti. 


Nga Argjentina Hoxhaj, Psikologe

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,927 Lexime
4 muaj më parë