GABIMET E NXËNËSIT

Asnjëherë mos kritikoni nxënësit për gabimet e bëra!

Gabimet e nxënësve nuk duhen kritikuar. Mos i lejoni nxënësit të përdorin korrektorin për të fshirë gabimet. BUZËQESHNI dhe ARGUMENTOJENI në një tjetër kontekst përgjigjen e gabuar dhe çfarë është më e rëndësishmja asnjëherë me ton të lartë zëri.

Gabimet e nxënësve nuk duhen kritikuar  dhe nuk duhet të merren shembull gjatë gjithe kohës.Të gjithë fëmijët bëjnë gabime dhe detyra e mësuesve është ti bëjnë nxënësit të mësojnë prej gabimeve të tyre.Një nxënës që gabon dhe nuk kritikohet provon përsëri një alternative tjetër duke e zhvilluar të mënduarin kritik,por nga ana tjetër dikush që përgjigjet dhe kriktikohet nuk hap gojën më. Pesha e kësaj kritike varet shumë me mënyrën sesi e përjeton fëmija. Ka fëmijë që e anashkalojnë siҫ ka edhe të tjerë që mbyllen në vetvete dhe ndrydhin mendimet e ndjenjat e tyre duke mos guxuar të përgjigjen përsëri.


ASNJËHERË MOS KRITIKONI NXËNËSIT PËR GABIMET E BËRA!


Kur flasim për gabime, kuptojmë gabime që lidhen me proҫesin mësimor. Shpesh njohurite e reja janë të ngatërrueshme dhe të pakapshme për një numër nxënësish. Ka nxënës që i kapin menjëherë ashtu siҫ ka edhe të tjerë  që  nuk i kuptojnë me të parën por duhet disa herë ti shpjegohet. Shpesh mësuesi e mat përformancen e orës së mësimit dhe arritjen e objektivave mësimore me anë të një minitesti në fund të orës. POR, a është gjithmonë efektiv dhe i saktë minitesti në fund të orës?

Për mendimin tim JO. Më ndodh shpesh që nxënësit rrinë si të habitur dhe duke qeshur i kthej përsëri në klasë duke I thënë: -Nxënës mos shkoni pas ҫadrës së Meri Popinsit! Ata qeshin dhe kthehen përsëri tek dërrasa e zezë.Jo të gjithë kanë të njëjtën shkallë të përqëndrimit gjatë orës mësimore. Disa kanë mendjen tek një lodër diku në shtëpi e disa të tjerë tek buka që kanë në ҫantë. Gabimet e tyre janë normale dhe gjithmonë duhen argumentuar. Mos i lejoni nxënësit të përdorin korrektorin për të fshirë gabimet. Mjafton që atë ta fusin brenda kllapave. Duke e mbuluar gabimin ata e harrojnë atë dhe mund ta përsërisin. Ndërsa duke e shikuar herë pas herë gabimin brenda kllapave e mësojnë dhe nuk e bëjnë më. Duke mos i kritikuar nxënësit për gabimet i mëson ata të jenë më të lirshëm dhe më të qetë në dhënien e mëndimeve të tyre. BUZËQESHNI dhe ARGUMENTOJENI në një tjetër kontekst përgjigjen e gabuar të nxënësit. Shkronjën e dalë nga rreshti ose mbledhjen e gabuar mund ta rregullojmë duke i thënë: -Si thua, ta përsërisim edhe njëherë? Asnjëherë me ton të lartë zëri, por i duruar i matur dhe i qetë. Në fund të fundit ky është profesioni ynë dhë i tillë duhet të jetë mësimdhënësi.



(Klodiana Geaga, mësuese e arsimit fillor; Portali Shkollor)

3,406 Lexime
5 vjet më parë