"Barometri i Emocioneve - Unë të tjerët dhe bota ku jetoj" : një model praktik eTwinning që çdo mësues mund ta përshtatë në klasën e tij
“Barometri i Emocioneve - Unë të tjerët dhe bota ku jetoj" është projekti eTwinning i mësueses Teuta Bilçari, që lidh mirëqenien emocionale me të nxënit përmes 42 temave ndërkurrikulare. Portali Shkollor e sjell si një praktikë frymëzuese, që mund t’u shërbejë mësuesve dhe shkollave të tjera si model pune.
"Zemra e çdo fëmije ndjen njësoj- dëgjojmë, kuptojmë, bashkëpunojmë dhe ndërtojmë mirëqenie së bashku "
“Barometri i Emocioneve - Unë, të tjerët dhe bota ku jetoj” është një projekt ndërkurrikular eTwinning, i krijuar nga mësuesja Teuta Bilçari, e Shkollës Jopublike “Ylli i Mëngjesit”, Berat. I konceptuar për fëmijët e moshës 6-11 vjeç, projekti synon të lidhë mirëqenien emocionale me të nxënit, marrëdhëniet dhe jetën reale.
Përmes 42 temave dhe 42 përvojave të strukturuara të të nxënit, nxënësit punojnë me emocionet, komunikimin, empatinë, bashkëpunimin, kreativitetin, qytetarinë dhe aftësitë digjitale, duke i ndërthurur ato me fusha të ndryshme të të nxënit. Qëllimi është që fëmijët të mësojnë të njohin, emërtojnë, shprehin dhe menaxhojnë emocionet në mënyrë të sigurt, ndërsa zhvillojnë njëkohësisht kompetencat e tyre.
Ky projekt është një shembull konkret se si eTwinning mund të shndërrohet në një hapësirë për bashkëpunim, krijimtari dhe zhvillim profesional, duke e vendosur fëmijën në qendër të procesit mësimor.
Në këtë frymë, Portali Shkollor e sjell këtë praktikë për t’ua bërë të njohur edhe mësuesve dhe shkollave të tjera, si një ide dhe model pune që mund të përshtatet sipas moshës, lëndëve dhe nevojave të nxënësve. Vetë projekti është ndërtuar për bashkëpunim dhe parashikon mundësi që edhe mësues të tjerë të kontribuojnë në tema, veprimtari, produkte apo bashkëpunime ndërkombëtare.
Nisma mbështetet nga ZVA Berat, me mbështetjen e drejtoreshës Emanuela Garuli, në kuadër të rrjetit profesional eTwinning të ndërtuar në Berat, i cili krijon mundësi për ndarjen e praktikave, ideve dhe përvojave mes mësuesve.
Më poshtë gjeni dokumentin e plotë të projektit “Barometri i Emocioneve - Unë, të tjerët dhe bota ku jetoj”.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste të integruara për arsimin fillor dhe modele VANAF, viti shkollor 2024-2025
Modele Testesh për Arsimin Fillor për të tria periudhat
Planet mësimore të ALBAS për Arsimin Fillor sipas udhëzimeve të reja të MASR