MËNYRA E RE E JETESËS

Bota do të shpëtoj sepse mes nesh ka engjëj

“Të gjithë ne duhet të jemi luftëtarë dhe me durim të presim kohën e duhur. E derisa koha e duhur të vijë, le të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe, ashtu siç na mëson e shenjta nëna Terezë”- këshilla psikologjike nga psikologu Besmir Guri.

Jemi larg si asnjëherë më parë, por ndihemi afër më shumë se kurrë! Sepse sot toka po flet, po na flet të gjithëve. Ajo flet me zë të ashpër, zemërimi i saj duket se po klith nga lodhja që i ka shkaktuar babëzia jonë e pakufi, për t’i marr asaj në shkatërrim atë që nuk na përket! Ajo flet që ne të  dëgjojmë, të  dëgjojmë  atë që duhej të kishim dëgjuar prej kohësh. Covid 19 ia doli të bëhet ushqyesi i frikës dhe i pasigurisë të secilit prej nesh, qofsh ti mjek hero, apo pacient fatkeq; i pasur në teprim, apo i varfër në pamjaftueshmëri; mendimtar në krijim, apo i paditur në gjykim; prift në lutje, apo mëkatar në pendim; i ri duke vrapuar apo i moshuar duke ndaluar; psikolog në trajtim apo klient në vuajtje; i lirë me të vërtetën apo skllav me gënjeshtrën; shtet superfuqi në zhvillim, apo shtet i botës së tretë në mjerim. Këtë herë jemi të gjithë të bashkuar në një shpresë. E shpresa e pritur do të vij me shpëtim sepse mes nesh ka engjëj, ndaj të kujdesemi për engjujt tanë shpëtimtarë.


Fëmijët mund të  jenë  po aq të frikësuar, sa edhe ne në këto momente. Ata jo vetëm që mund të kuptojnë gjithçka që po ndodh rreth tyre, por ata e ndiejnë tensionin dhe ankthin tonë të vazhdueshëm veçanërisht nëse ne nuk ju ofrojmë një model se si të menaxhojmë stresin, ankthin apo panikun, ku këto të fundit, nxitur nga situata e pazakontë, mund të bëhen lehtësisht pjesë e tyre, por edhe e jona. Ne të rriturit nuk jemi model vetëm se si ndiqet e mira, por edhe se si largohemi nga e keqja. Kujtoni vazhdimisht se fëmijët kurrë nuk kanë provuar diçka të tillë më parë, dhe të panjohurën, gjithmonë e shoqëron tensioni, frika dhe pasiguria. E sikur kjo të mos mjaftonte, atyre ju duhet të  bejnë  një  ndryshim rrënjësor në përditshmërinë e tyre, nga gjallëria e pashtershme e fëmijës, tek plogështia e të qenit i izoluar në shtëpi gjithë ditën.


Këto rrethana janë një terren i favorshëm për të nxitur dita – ditës, pak nga pak, probleme në sjellje apo emocionale për fëmijët, si përshembull protestë, stres, ankth, luhatje humori, zemërim, frikë, revoltë, kundërshti, pakënaqësi, refuzim, mosbindje, hatërmbetje, prishje e rutinës ditore si gjumit, të ngrënit, angazhimeve etj. Ata nuk mund t’i bëjnë gjërat normalisht si më parë, e në këto kushte edhe reagimet e tyre pritet të jenë jo si zakonisht. Këto do të ndodhin! Do të hasni më shumë acarime, shpërthime dhe sjellje kundërshtuese gjatë ditëve në vazhdim. Kjo është normale dhe e pritshme në këto rrethana, ndaj ju përgatiteni veten të jeni fillimisht mirëkuptues, mbështetës, dhe qetësues i gjendjeve dhe situatave të tilla.


Ajo për të cilën kanë nevojë fëmijët tani, është që të ndjehen të qetësuar dhe të dashur. Kanë nevojë të ndjejnë që gjithçka do të shkojë mirë. Dhe kjo kërkon domosdoshmërisht që të shfaqni dashurinë për fëmijën tuaj pa kufi dhe tu jepni atyre besim e optimizëm për të zbutur pasigurinë dhe për të rritur shpresën. 


Sigurisht që kjo situatë e pazakontë, nuk është e lehtë për askënd, por durimi dhe forca janë zgjidhja më e duhur në  këtë  rast për t’ia dal me sukses. E këtu natyrshëm lind pyetja: Ku ta gjej durimin dhe forcën në këtë kaos mendor, social dhe emocional? Mos humbni energji për të shkuar larg, durimin dhe forcën, mund t’i gjeni më shumë se askund tjetër pikërisht tek fëmijët. Provoni të merrni në duar fytyrën e fëmijës, shikoni thellësinë e forcës që do tu burojë nga shikimi i çiltër i tyre. Përqafojeni atë fort në krahët tuaj, duke i folur me përkëdhelje dhe ëmbëlsi, do të shihni sa shumë durim dhe fuqi do të merrni nga ky veprim aq i thjeshtë në dukje por hyjnorë në përjetim. Tolstoi thotë se koha dhe durimi janë armatimet e të gjithë luftëtarëve. Ndaj në këtë situatë, të gjithë ne duhet të jemi luftëtarë dhe me durim të presim kohën e duhur. E derisa koha e duhur të vijë, le të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe, ashtu siç na mëson e shenjta nëna Terezë. 


Shikoni më poshtë disa gjëra të vogla që mund t’i bëni me dashuri të madhe: 


• Bëni humor, çdo ditë tregoni barsaleta, ngjarje gazmore nga jeta juaj, apo shihni video humoristike në internet. Humori shëron. 

• Luani lojëra, ju mund të luani në kushte shtëpie pafund lojëra, mjafton të mendoni për to siç mund të jenë shah, domino, letra, kuice, lojëra psikosociale ose lojëra online. Loja nxit krijimtarinë, fantazinë dhe argëtimin. 

• Dëgjoni muzikë dhe kërceni me muzikën tuaj të preferuar. Nicce thoshte se jeta pa muzikë do të ishte një aksident. 

• Gatuani. Gatuani ushqimin e preferuar tuajin apo të familjarit tuaj. Ushqimi nuk relakson vetëm stomakun. 

• Bëjmë aktivitet fizik. Bëni ushtrime fizike, gjimnastikë apo joga. Trupi dhe mendja janë të pandara, duke gjallëruar njërën kemi gjallëruar edhe tjetrën. 

• Lexoni. Duke lexuar ju mund të udhëtoni në të gjithë botën, madje edhe më tej. Bëni sa më shumë udhëtime të tilla këto ditë. 

• Komunikoni online. Këto mund të jenë ditë të shkëlqyera që nëpërmjet aplikacioneve dhe rrjeteve sociale të komunikoni dhe bisedoni me shokët miqtë apo të afërmit tuaj, edhe ato gjëra që angazhimet e shumta nuk ju kanë lënë t’i bashkëndani më parë. Komunikimi trajton. 


Këto janë vetëm disa nga gjërat e vogla që ju mund t’i bëni në kushte shtëpie, e duke menduar do të gjeni edhe shumë të tjera, por mos harroni mbi të gjitha duhen bërë  me dashuri të madhe. 


Punoi psikologu: Besmir Guri, Rubik, mars 2020



(Portali Shkollor)  

2,447 Lexime
4 vjet më parë