Çfarë nuk duhet t’i thoni mësueses/mësuesit të fëmijës tuaj?
Për prindërit është e rëndësishme që të kenë një komunikim të mirë me mësuesin apo mësuesen e fëmijës së tyre. Ndaj ekzistojnë disa mënyra sjelljeje me ta. Për më tepër lexoni këshillat e psikoterapeutëve.
Mënyra se si mund t’i drejtoheni mësuesit të fëmijës tuaj mund të vërë në rrezik marrëdhënien e këtij të fundit me të, por edhe tuajën si prindër. Besimi është kryesor në këtë pikë. Raporti që do të ndërtoni me mësuesit do të ndikojë shumë në edukimin e fëmijës tuaj. Por të komunikosh me mësuesit nuk është gjithmonë e lehtë, sepse ndonjëherë rrezikoni të përdorni fjalë jo të duhura. Ndaj për të menaxhuar mirë këtë llloj marrëdhënie ne ju sjellin disa nga shprehjet që psikoterapeutët këshillojnë që ju si prindër të mos ja thoni mësuesve të fëmijës tuaj.
“Jam në ankth kur e lë fëmijën tim në shkollë”
Kjo frazë nënkupton se ju nuk keni besim në të, që nuk jeni 100% dakord se ai është mësuesi i duhur për fëmijën tuaj. Nga ana tjetër, ankth do të shkaktoni edhe për vajzën/djalin tuaj, duke qenë se ai/ajo nuk do ta ndjejnë veten plotësisht të përfshirë në klasë. Do ta ketë të vështirë të krijojë besim dhe kjo mund ta vështirësojë situatën përballë mësuesit.
“Fëmija im nuk vjen me dëshirë”
Ky si të thuash është një lloj konfirmimi se ju jeni të pakënaqur nga puna e mësuesit të fëmijës suaj duke qenë se ai nuk e ka me dëshirë vajtjen në shkollë. Në vend të kësaj ju mund të thoni “Sipas jush, a ndihet mirë fëmija im, a ka ndonjë vështirësi?”, për ta lënë të hapur mundësinë e bisedës.
“Nuk më pëlqen metoda juaj”
Kjo është një deklaratë lufte! Kjo është një frazë e cila zhvlerëson totalisht rolin e mësuesit, ndërsa prindi e ngre veten në piedestal! Por ja që secili prej jush ka rolin e tij në edukimin e fëmijës. Ndaj nuk është asnjëherë rasti të jepni direktiva mbi punën e mësuesit. Nëse shihni se diçka nuk ecën në të nxënit e fëmijës tuaj atëherë këtë mund ta diskutoni me qetësi duke parë bashkë alternativat pozitive pa krijuar një terren keqkuptimesh dhe zënkash.
“Fëmijës tim i jepni shumë detyra shtëpie”
Ky është një gjykim kritik, që duke u thënë kështu mbyll çdo llloj mundësie për diskutim. Më mirë të thoni “Fëmija im ka vështirësi të mbarojë të gjitha detyrat. Si mund ta zgjidhim këtë gjë?”.
“Nota që i keni vendosur është e gabuar”
Sërish gabim nga ana e mësuesit sipas jush! Ju mund të jeni të nxehur por kjo nuk e justifikon të thënin e kësaj fraze. Nëse dëshironi që fëmija juaj do të përparojë, shiheni përparimin e tij në çdo drejtim. Mbështetja për të nuk duhet të jetë vetëm nga ana juaj por edhe e mësuesit të tij. Ndaj është më mirë të thoni “A ka një mënyrë që mund të ndihmojmë fëmijën tim të marrë një notë të lartë ose pozitive?”.
“Nuk i ka bërë detyrat sepse pasdite kishte leksione basketbolli”
Pra do të thoni se aktiviteti sportiv është më i rëndësishëm se sa shkolla për fëmijën tuaj?! Edhe sikur të jetë kështu në gjykimin tuaj, atëherë pse duhet të fyeni punën e mësuesit. Kjo frazë mund të japë një ide të gabuar në lidhje me rëndësinë e angazhimeve të ndryshme ndaj fëmijës. Natyrisht, nganjëherë mund të ndodhë, por nuk duhet të përdoret si justifikim apo zakon.
“Fëmija im mërzitet në klasë”
Një frazë e tillë nënvlerëson sërish punën e mësuesit, duke e akuzuar se nuk është i aftë të mësojë nxënësit në mënyrën e duhur e t’i bëjë ata të ndihen mirë në klasë. Vlen prap diskutimi i hapur. Në vend që të thoni “Fëmija im mërzitet në klasë” mund të thoni "Fëmija im thotë se e ka problem përqendrimin. A mund të ketë një mënyrë se si mund ta ndihmojmë?”.
“Duhet t’i ndryshoni vendin fëmijës tim”
Ju nuk duhet të ndërhyni në çështjet e brendshme të klasës, vetëm në rastin kur dyshoni se fëmija juaj keqtrajtohet nga shoku/shoqja e bangës. Gjithsesi jepini më shumë përgjegjësi atij duke e këshilluar të flasë vetë me mësuesin për të gjetur mënyrën më të mirë që marrëdhënia e tij me bashkëmoshatarët të funksionojë sa më mirë.
“Vitin tjetër do të ndryshojmë shkollë”
Atmosfera që do të krijoni duke thënë këtë gjë do të jetë mbytëse e për më tepër ju do të tregoheni shumë të paedukatë edhe nëse pritshmëritë tuaja mund të kenë qenë zhgënjyese. Përpara se të merrni vendime drastike, komunikoni me mësuesit, ata do të jenë aty duke ju dëgjuar!
(Përgatiti: Nanila Biçaku, Portali Shkollor)
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?