KOMUNIKIMI

Coronavirus, këshilla nga Lorela Garuli sesi prindërit mund të flasin me fëmijët

Nga psikologia Lorena Garuli vijnë dhjetë këshilla se si mund të flisni me fëmijët tuaj për Coronavirus. Mbi të gjitha prindërit, duhet të informohen nga burime të sakta e të sigurta siç është OBSH-ja përpara se t’i shpjegojnë fëmijës situatën.

Fëmijët janë në dijeni të asaj që po ndodh me coronavirus dhe nëse ne si të rritur nuk i sqarojmë se çfarë po ndodh, ata vetë mund të dalin në përfundime më alarmante sesa e vërteta, kështuqë për këtë arsye, në radhë të parë, të rriturit, prindërit, duhet të informohen nga burime të sakta e të sigurta siç është OBSH-ja përpara se t’i shpjegojnë fëmijës situatën.


  1. Të flasim me fjalë që janë të njohura dhe familjare për ta si psh: grip, ftohje, kollë, temperaturë e jo në terma që fëmijët mund të mos i kuptojnë, pasi ankthi nga e panjohura është shumë i rrezikshëm.
  2. Për këtë arsye është e nevojshme të flitet, të kuptohet rëndësia e situatës, duke mos bërë sikur nuk po ndodh gjë, por edhe duke mos shtuar frikën dhe trembjen.
  3. Informohuni nga burime të sakta dhe të sigurta, psh nga OBSH për atë që do i shpjegoni fëmijës
  4. Kur të flisni për virusin, shpjegojini rëndësinë e masave mbrojtëse dhe parandaluese.
  5. Nxitini të heqin cdo paqartësi duke ju pyetur dhe jo duke kërkuar përgjigje nga burime të tjera informacioni.
  6. Nëse pyesin psh a ka kurë, mund t’i shpjegoni që shkencëtarët po përpiqen ta gjejnë por ndërkohë duhet të ndjekin rregullat përkatëse të higjienës.
  7. Përpiquni të jeni vetë të qetë, emocionet e fëmijëve janë pasqyrë e tuajave.
  8. Përpiquni të mos flisni më shumë sesa duhet për këtë temë.
  9. Mos fajësoni askënd; mllefi dhe zemërimi nuk ndihmon kontrollin dhe qetësimin e situatës.
  10. Tregojini dhe për numrin e njerëzve që kanë qenë të infektuar por janë shëruar, është shumë e rëndësishme të mos humbet besimi!



(Portali Shkollor)

1,969 Lexime
4 vjet më parë