DETYRAT E SHTËPISË

Detyrat e shtëpisë, çfarë i revolton nxënësit apo prindërit?

Nxënësit hasin vështirësi në bërjen e detyrave. Është mësuesi ai që mund ta lehtësojë dhe ta bëjë këtë pjesë të të nxënit një veprimtari jo vetëm “jo idiote”, por një veprimtari zhvillimi, bashkëpunimi, shoqërizimi dhe forcimi të miqësisë mes nxënësve.


Një nxënës në klasën e pestë, në një nga shkollat 9-vjeçare të Tiranës, pasi u vlerësua më notë negative, sepse nuk e kishte bërë tabelën e shumëzimit dhe të pjesëtimit sipas kërkesës së mësueses, i shpjegoi kësaj të fundit dhjetë minuta më pas, se përse nuk e kishte bërë atë detyrë dhe përse katra që kishte marrë ishte krejt e pavlerë.

Argumenti përmbante një grafik me dy boshte koordinative, në të cilin njëri tregonte vitet e shkollimit të nxënësit që prej klasës së parë e deri në të pestën dhe boshti tjetër shkallën e idiotësisë së bërjes si detyrë shtëpie, tabelën e shumëzimit dhe të pjesëtimit. 

Kështu, shkalla e idiotësisë së kësaj detyre shkonte në rritje me rritjen e viteve sipas arsyetimit të nxënësit dhe nga ide e zgjuar që ishte në klasën e parë, shkonte në më pak të zgjuar në të dytën; një ide idiote, në të tretën; shumë idiote në klasën e katërt dhe ekstremisht idiote në klasën e pestë.


Besoj se ky duhet të jetë thelbi i debatit: çfarë detyash duhet të kryejnë nxënësit në shtëpi dhe jo a duhet të kryejnë. Për këtë mjafton të përmendim jo vetëm peshën prej 15% të vlerësimit periodik që ka detyra e shtëpisë sipas dokumentave të vlerësimit të kurrikulës së re për zhvillimin e kompetencave në Shqipëri, por edhe statistikat që tregon Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), sipas së cilës, detyrat e shtëpisë zhvillohen në të gjitha vendet pjesëmarrësë të PISA-s.


Argumentet për detyrat e shtëpisë janë të tilla si psh: 

Ato janë pjesë e pandashme e procesit të të nxënit; 

Praktikim dhe zhvillim i shprehive të kërkuara për t’u zhvilluar nga kurrikulat e sistemeve të ndryshme arsimore;

Zhvillim të ndjenjës së përgjegjësisë dhe sipërmarrjes. 


Pavarësisht studimemeve që i kanë mbështetur apo hedhur poshtë këto shpjegime, vazhdojnë akoma të qëndrojnë në pothuajse të gjitha sistemet arsimore e për rrjedhojë të mbajnë të deyrueshme bërjen e deyrave të shtëpisë.


Por, çfarë i revolton nxënësit apo prindërit te detyrat e shtëpisë? 

Sipas disa sondazheve të bëra nga studime të ndryshme në lidhje me këtë temë, nxënësit ankohen për kohëzgjatjen e deyrave të shtëpisë, për përsëritjen e të njëjtave ushtrime ndaj të cilave nuk kanë më asnjë interes, vështirësia e madhe në disa raste, gjë që i bën t’i ‘urrejnë’ ato, karakteri përsëritës, i mbajtjes mend përmendësh apo thënë ndryshe aspak kreativ, për pengesën që i shkaktojnë në zhvillimin e aktiviteteve të tjera socale, artistike, sportive apo zbavitëse.

Prindërit nga ana tjetër ankohen për vështirësi në të kuptuarin e detyrave të shtëpisë së fëmijëve të tyre e paaftësi për t’i ndihmuar, pak kohë në dispozicion për të ndihmuar fëmijët për shkak të punës dhe orareve të zgjatura, lodhjes apo edhe dëshirës për t’i parë fëmijët më aktiv.


Por çfarë duan fëmijët? 

Të pyetur në lidhje me këtë temë, 90 fëmijë të klasave të pesta të një shkolle 9-vjeçare në Tiranë, duan detyra shtëpie të përzgjedhuara sipas nivelit të tyre të zhvillimit. Ata i ‘urrrejnë’ ushtrimet që i vënë në pozita pamundësie për t’i bërë, kërkojnë detyra kreative dhe që kërkojnë bashkëpunimin në grup me shokët e tjerë. Fëmijët raportuan se, ndihmojnë nëpërmjet mjeteve të ndryshme të komunikimit njëri-tjetrin për të kryer detyrat pasdite dhe kjo i gëzon ata shumë.

Fëmijët nuk duan të fyen dhe të vihen nën presionin e shokëve, prindërve apo mësuesve për vështirësitë që hasin duke kryer detyrat. Ata shprehen të habitur sesi mund të fyhen në vend që të ndihmohen. Ata duan të jenë të sukseshëm e të përparojnë, por kjo kërkon durim dhe shumë dashuri. 

Si përfundim, mësuesi mund ta lehtësojë dhe ta bëjë këtë pjesë të të nxënit një veprimtari jo vetëm “jo idiote”, duke iu referuar vlerësimit të nxënësit, në historinë e fillimit të artikullit, por përkundrazi një veprimtari suksesi, zhvillimi, bashkëpunimi, vullnetarizmit, shoqërizimit dhe forcimit të miqësisë mes nxënësve në grupet e bashkëpunimit, luftimit të ndjenjës së egoizmit dhe konkurencës si antivlera në edukimin e një brezi të shëndetshëm dhe të aftë të përballojë me sukses sfidat e jetës. 


Konkuluzioni del si detyrë që mësuesi  t’i sqarojë detyrat patjetër në klasë, të japë udhëzime për kryerjen e tyre, t’i ndajë detyrat sipas niveleve të zhvillimit të nxënësve, të kontrollohen detyrat pasi nxënësit duhet të dinë nëse kanë punuar saktë ose jo, përndryshe bie krejtësisht roli dhe qëllimi i detyrës së shtëpisë, t’i udhëzojnë nxënësit me durim për përmirësimin e cilësisë së detyrave dhe ndreqjes së gabimeve, t’i vlerësojnë më qëllim përmirësimin dhe jo ndëshkimin.


Po cilat janë metodat e reja  për të arritur në këtë nivel zhvillimesh  nëpërmjet tyre?

Sipas Teorisë Konstruktiviste, teoria mbi të cilën është bazuar Kurrikula me bazë kompetencat, janë 5 metoda themelore në zhvillimin e një mentaliteti tërësisht të ri në lidhje me të nxënin dhe për rrjedhojë edhe detyrave të shtëpisë si pjesë e tyre.

Metodat që propozon kjo teori janë: Të nxënët hulumtues dhe mbështetur në problem, Stazhet konjitive  ose mësimdhënia e ndërsjellë  (marrëdhënie në të cilën një nxënës me përvojë të paktë ndërton shprehi nën drejtimin e një eksperti), Të nxënët bashkëveprues e bashkëpunues, Të nxënët duke shërbyer në komunitet (vullnetarizmi), Të nxënët nëpërmjet teknologjisë së informacionit.


Sigurisht që, për të zotëruar mirë këto metoda duhen trajnime e seminare për zhvillim të mëtejshëm profesional, por në një botë ku një nxënësi 10-vjeçar i vihet katër për mosbërjen e tabelës së shumëzimit, ndërkohë që ai ndërton në mënyrë të shkëlqyer një grafik me dy boshte koordinative ku shpreh marrëdhënien mes të dhënave, si të jetë një student akademik, sfida është e tëra e jona, e mësuesve të një shekulli me nxënës që na mësojnë neve mëuesve, mësime shumë të vlefshme dhe jo vetëm për profesionin. 



(Përgatiti mësuese Valbona Imeraj)

900 Lexime
2 javë më parë