Sqarime mbi mbartjen e pikëve në Portalin "Mësues për Shqipërinë" 2026, pyetjet më të shpeshta dhe rregullat e aplikimit
Shkrimi i ekspertit Fiqiri Çifliku sqaron pyetjet kryesore mbi Portalin "Mësues për Shqipërinë" 2026: mbartjen e pikëve deri në 2 vite, aplikimin sipas licencave, zgjedhjen deri në 3 ZVAP brenda të njëjtit DRAP dhe dokumentet e detyrueshme që sjellin skualifikim.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Sqarime mbi mbartjen e pikëve në Portalin "Mësues për Shqipërinë" 2026 dhe çështje të tjera.
Disa nga pyetjet më të shpeshta që më vijnë këto ditë janë:
1- A mund të mbarten pikët e testit të fundit pa marrë pjesë në testimin e vitit 2026?
2- A mund të aplikojë për mësuese ndihmëse ose në dispozicion edhe pse jam e një profili tjetër?
3- A mund të marrë pjesë në dy testime nëse kam dy licenca?
4- Deri në sa ZVAP mund të zgjedhë dhe a mund të jenë ato në DRAP të ndryshme?
5- Cilat janë dokumentet e detyrueshëm që mund të sjellin skualifikim nga gara?
Po përpiqem të sqaroj sa mundem për çdo të interesuar, sipas parashikimeve të Udhëzimit nr. 8, datë 3.5.2024, “Për procedurat e pranimit, të pezullimit dhe të largimit të mësuesit nga një vend pune, si dhe administrimit të Portalit ‘Mësues për Shqipërinë’”, i ndryshuar.
Ja përgjigjet e mia për secilën prej pyetjeve më sipër:
1- Pikët e testit të fundit mund të mbarten deri në 2 vite, pa qenë e detyrueshme pjesëmarrja në testimin e vitit 2026, me kusht që të përditësohet dokumentacioni. Pika 8 e kreut III, procedura e konkurrimit, përcakton se: “Kandidati i cili ka qenë pjesëmarrës në portalin e mëparshëm dhe dëshiron të marrë pjesë në testim, do të renditet në listën përfundimtare me pikët e testimit të fundit. Kandidati i cili nuk paraqet dokumente shtesë pranë KVD-së dhe nuk dëshiron të marrë pjesë në testimin e radhës, i mbarten pikët ekzistuese në renditjen e re deri në dy vjet. Gjithashtu, në pikën 4 të kreut IV, procedura e zgjedhjes së vendit të punës dhe emërimi i mësuesve, në pikën 4, thuhet se: “Kandidati i cili është renditur me numrin më të madh të pikëve në profilin që ka konkurruar, ka të drejtën të zgjedh i pari vendin e lirë të punës. Kandidati që nuk paraqitet në thirrjen e organizuar dhe njoftuar përmes postës elektronike nga DRAP-ja ose e refuzon vendin e lirë të punës, mbetet në listën e pritjes me të njëjtat pikë, për një periudhë deri në 2 (dy) vite.” Nën këtë interpretim të drejtën për të mbartur pikët e testit e kanë vetëm pjesëmarrësit portalin paraardhës që i janë nënshtruar testimit në vitin 2025. Në praktikë, kjo shpesh nuk zbatohet në mënyrë të plotë, duke krijuar pasiguri tek kandidatët. Ky është një element ku shpesh lindin keqkuptime dhe ku duhet sqarim institucional nga Ministria e Arsimit.
2- Çdo kandidat që plotëson kriteret për ushtrimin e profesionit të mësuesit në një profil të caktuar, mund të aplikojë edhe si mësues ndihmës ose në dispozicion, mjafton të zgjedhë opsionin “Arsim special” ose “Mësues në dispozicion” gjatë procedurës së aplikimit.
3- Kandidati që zotëron më shumë se një licencë ka të drejtë të konkurrojë në profilet përkatëse dhe të marrë pjesë në testime sipas licencave.
4- Kandidati mund të zgjedhë deri në 3 ZVAP, por vetëm brenda të njëjtit DRAP ku ka vendbanimin e përhershëm. Nuk lejohet zgjedhja në DRAP të ndryshme.
5- Dokumentet e detyrueshme që duhen dorëzuar gjatë fazës së aplikimit janë: Diploma, lista e notave dhe licenca për ushtrimin e profesionit (kur është e detyrueshme). I detyrueshëm është gjithashtu formulari i vetëdeklarimit gjyqësor, si dhe deklarata për verifikimin e dokumenteve të dorëzuara. Mungesa e cilitdo prej këtyre dokumenteve sjell skualifikim automatik nga gara. Ndërkohë dokumentet që vlerësohen me pikë sipas shtojcave të udhëzimit nuk kanë efekt skualifikues, por nëse nuk dorëzohen në momentin e aplikimit nuk përkthehen me pikë në dosjen e cila vlerësohet deri në 30 pikë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Respekti për mësuesin nuk është privilegj, por detyrim moral
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Shembuj se si mund të përpiloni një CV