Dhuna në shkolla, si mund të veprohet sipas Ermal Hasimjes

Politologu Ermal Hasimja thekson se dhuna në shkolla nuk zgjidhet me masa të shpejta. Ai propozon rikthimin e autoritetit të mësuesit, dekurajimin e modeleve të dhunshme në media, fokus policor në komunitet dhe promovimin e sjelljes qytetare për një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Dhuna në shkolla është një nga sfidat më shqetësuese për arsimin dhe shoqërinë shqiptare. Kohët e fundit, ngjarjet e dhunshme në ambientet shkollore kanë ringjallur debatin për mënyrat e efektshme të parandalimit. 


Politologu dhe edukatori Ermal Hasimja ka ndarë së fundmi mendimet e tij mbi këtë çështje në profilin e tij në Facebook, duke ofruar një qasje gjithëpërfshirëse për të adresuar problemet rrënjësore.




Ermal Hasimja:

"Çështja e dhunës në shkolla nuk zgjidhet me një masë të vetme dhe brenda 2 javësh, sepse shkaqet i ka të shumta. Duhet që:

1.T’i kthehet mësuesit autoriteti sipëror në klasë dhe shoqëri. Të mbrohet mësuesi nga trysnia e drejtuesve, prindërve dhe politikës.

2.Të dekurajohen moralisht modelet e dëmshme që fëmijët marrin në media. Së pari, politikanët të distancohen nga personazhe që promovojnë dhunën dhe banalitetin në muzikë e media e jo t’i përdorin në fushata politike.

3.Të rritet fokusimi i policisë në parandalimin e akteve të dhunshme përmes monitorimit të segmenteve të rrezikuara me ndihmën e komunitetit (lagje, fshat, etj).

4.Të promovohen në media modelet e sjelljes qytetare.

Për këtë duhet bashkëpunimi i institucioneve shtetërore, bashkësive, institucioneve fetare dhe i mediave.

E bëjmë dot? Apo do të rrahim ujë në tavan e do të përsërisim të njëjtin avaz sa herë të dalin prapë thikat në sheshe shkollash?"




Hasimja nënvizon se nuk ka një zgjidhje të shpejtë dhe të thjeshtë, por kërkohet veprim i koordinuar dhe i qëndrueshëm. Për të pasur një ndikim real, është e nevojshme që mësuesit të kenë autoritet, mediat të ofrojnë modele pozitive, komunitetet të bashkëpunojnë me policinë dhe institucionet shtetërore, dhe të gjitha palët të punojnë së bashku për një kulturë të respektit dhe të sjelljes qytetare.



Ky postim është një thirrje për reflektim dhe për veprim. Sfida e dhunës në shkolla nuk është thjesht një çështje ligjore, por një çështje sociale dhe edukative që kërkon angazhim të përbashkët. Çdo veprim i vonuar rrezikon të përsërisë të njëjtat modele të dhunës dhe pasojat e saj te fëmijët dhe shoqëria.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

53 Lexime
2 ditë më parë