Disleksia në Shqipëri: Pse sistemi arsimor ka nevojë urgjente për diagnostikim të hershëm dhe mbështetje reale?
Laurena Brako Jusufi trajton disleksinë në Shqipëri, duke theksuar nevojën urgjente për diagnostikim të hershëm, logopedë shkollorë dhe mbështetje reale në arsim. Ajo nënvizon se fëmijët me disleksi kanë potencial, por sistemi i lë pas pa ndërhyrje të duhur dhe akomodime. Ky është një apel për reformë.
Nga Laurena Brako-Jusufi
Drejtore Shkencore – Dyslexia Centers Pavlidis Method, Tirana
Disleksia është një nga çrregullimet neuro zhvillimore më të keqkuptuara në sistemet arsimore, veçanërisht në vende ku ende mungojnë protokollet e qarta kombëtare për identifikimin dhe mbështetjen e fëmijëve me vështirësi specifike në të nxënë. Në Shqipëri, disleksia ende nuk njihet në mënyrë të veçantë si kategori specifike nga sistemi arsimor, por shpesh përfshihet në mënyrë të përgjithshme brenda “vështirësive në të nxënë”. Kjo qasje, edhe pse mund të duket gjithëpërfshirëse, rrezikon të zbehë specifikën klinike, neuro zhvillimore dhe edukative të disleksisë.
Disleksia nuk është dembelizëm, mungesë vullneti, mungesë inteligjence apo rezultat i një edukimi të pamjaftueshëm familjar. Ajo përshkruhet në literaturën ndërkombëtare si një vështirësi specifike në të nxënë, e cila shfaqet kryesisht me vështirësi të papritura dhe të qëndrueshme në lexim, drejtshkrim dhe automatizim të proceseve gjuhësore, pavarësisht inteligjencës normale, mundësive edukative dhe mungesës së faktorëve të tjerë shpjegues mjekësorë apo socio-mjedisorë. Prof. George Pavlidis e përshkruan disleksinë si një gjendje ku vështirësia e rëndë dhe e papritur në lexim nuk mund të shpjegohet nga faktorë të njohur si inteligjenca, mjedisi, edukimi apo problemet mjekësore. Në thelb, fëmija me disleksi shpesh ka potencial, mendon mirë, kupton mirë, mund të ketë aftësi të mira verbale, vizuale apo kreative, por dështon në mënyrë të përsëritur në detyra që kërkojnë lexim të shpejtë, drejtshkrim të saktë, renditje sekuenciale dhe automatizim. Kjo mospërputhje midis potencialit dhe performancës akademike është një nga shenjat më domethënëse të disleksisë. Një nga gabimet më të mëdha që bëhet ndaj këtyre fëmijëve është pritja pasive. Shpesh dëgjohet shprehja: “Do të përmirësohet me kalimin e kohës.” Por koha, kur nuk shoqërohet me vlerësim dhe ndërhyrje të specializuar, nuk shëron disleksinë; përkundrazi, mund ta thellojë hendekun akademik dhe emocional. Sa më vonë të identifikohet fëmija, aq më shumë rritet rreziku për ulje të vetëvlerësimit, ankth akademik, shmangie të leximit, frustrim dhe humbje të besimit te vetja.
Disleksia nuk prek vetëm leximin. Ajo mund të shoqërohet me vështirësi në drejtshkrim, shkrim të ngadaltë, gabime të pazakonta, vështirësi në kujtesën afatshkurtër verbale, probleme me renditjen e ditëve, muajve, tingujve apo fjalëve, si edhe me dobësi në vëmendje dhe përqendrim. Në disa raste mund të bashkëshoqërohet edhe me ADHD, çka e bën profilin e fëmijës më kompleks dhe kërkon vlerësim edhe më të kujdesshëm. Në praktikën klinike dhe edukative vërehet shpesh se fëmijët me disleksi përpiqen shumë më tepër se bashkëmoshatarët, por rezultatet nuk pasqyrojnë përpjekjen e tyre. Ata lexojnë më ngadalë, lodhen më shpejt, bëjnë gabime të përsëritura dhe shpesh përballen me komente që i dëmtojnë emocionalisht: “Nuk përqendrohesh”, “nuk mëson sa duhet”, “nuk ke ushtruar”, “je i pakujdesshëm”. Në fakt, këta fëmijë nuk kanë nevojë për fajësim, por për kuptim, vlerësim profesional dhe mbështetje të strukturuar.
Për këtë arsye, sistemi arsimor shqiptar ka nevojë urgjente për një qasje të re. Disleksia duhet të identifikohet herët, idealisht që në vitet e para të shkollimit, përmes programeve të rregullta screening-u në shkolla. Screening-u nuk është diagnozë, por është hapi i parë për të dalluar fëmijët në risk dhe për t’i referuar ata për vlerësim të specializuar. Një sistem i tillë do të ulte ndjeshëm diagnostikimin e vonuar dhe do t’u jepte fëmijëve mundësinë të marrin ndihmë para se dështimi akademik të shndërrohet në plagë emocionale. Në këtë proces, roli i logopedit në shkolla është thelbësor. Logopedi nuk duhet të shihet vetëm si profesionist që punon me artikulimin apo të folurin. Në shkollë, logopedi ka një rol shumë më të gjerë: vlerëson zhvillimin gjuhësor, ndërgjegjësimin fonologjik, aftësitë paraprake të leximit, dekodimin, rrjedhshmërinë, kuptimin, drejtshkrimin dhe rrezikun për çrregullime specifike të të nxënit. Prania e logopedit në shkolla do të mundësonte identifikim të hershëm, këshillim të mësuesve, orientim të prindërve dhe ndërtim të planeve mbështetëse për nxënësit. Po aq i rëndësishëm është trajnimi i mësuesve. Një mësues i trajnuar e kupton se një nxënës me disleksi nuk duhet vlerësuar vetëm nga shpejtësia e leximit apo drejtshkrimi mekanik. Ai di të dallojë shenjat, të përshtatë mënyrën e mësimdhënies, të ulë presionin, të përdorë materiale vizuale, të japë më shumë kohë dhe të krijojë një mjedis ku fëmija nuk turpërohet për vështirësinë e tij. Trajnimi i mësuesve nuk është luks profesional; është domosdoshmëri arsimore.
Një tjetër çështje e rëndësishme është e drejta për akomodime në vlerësim dhe provime. Barazia nuk do të thotë t’u kërkosh të gjithë nxënësve të performojnë në të njëjtën mënyrë, kur aftësitë e tyre neuro zhvillimore janë të ndryshme. Barazi do të thotë t’i japësh secilit fëmijë kushtet që i mundësojnë të shfaqë realisht dijen dhe potencialin e tij. Për nxënësit me disleksi kjo mund të përfshijë kohë shtesë, reduktim të ngarkesës së kopjimit, përdorim të mjeteve ndihmëse, vlerësim më pak penalizues për gabimet drejtshkrimore kur objektivi nuk është drejtshkrimi dhe, kur është e nevojshme, mundësi për provime me gojë. Provimi me gojë për një nxënës me disleksi nuk është favorizim. Është një mënyrë për të matur njohuritë pa e penalizuar fëmijën për mekanizmin ku ai ka vështirësi specifike. Një nxënës që nuk arrin të shprehë dijen me shkrim për shkak të disleksisë, mund ta shprehë shumë mirë atë përmes përgjigjes verbale. Mohimi i kësaj mundësie nuk është standard i lartë arsimor; është pengesë ndaj barazisë.
Prandaj, sot është koha që institucionet arsimore dhe Ministria e Arsimit të shohin disleksinë jo si një term të huaj, por si një realitet të përditshëm në klasat shqiptare. Çdo klasë mund të ketë fëmijë që luftojnë në heshtje me leximin, shkrimin dhe vetëbesimin. Shumë prej tyre janë inteligjentë, krijues, të ndjeshëm dhe me potencial të madh, por sistemi i sheh vetëm përmes gabimeve në fletore. Shqipëria ka nevojë për një protokoll kombëtar për disleksinë. Ka nevojë për screening të hershëm në shkolla. Ka nevojë për logopedë shkollorë. Ka nevojë për mësues të trajnuar. Ka nevojë për akomodime të qarta në provime. Ka nevojë për një sistem që nuk pret që fëmija të dështojë për ta kuptuar se ai ka nevojë për ndihmë.
Mesazhi për institucionet është i qartë: disleksia nuk duhet të mbetet e padukshme. Një fëmijë që nuk lexon rrjedhshëm nuk është një fëmijë pa të ardhme. Është një fëmijë që kërkon një rrugë tjetër për të arritur të njëjtin destinacion. Detyra e shtetit, shkollës dhe profesionistëve nuk është ta detyrojnë të ecë me të njëjtin ritëm si të gjithë, por t’i japin mjetet që i duhen për të mos mbetur pas.
Njohja e disleksisë është çështje shkencore.
Mbështetja e fëmijëve me disleksi është çështje arsimore.
Por mbi të gjitha, është çështje drejtësie.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?