Dita Botërore e Poezisë/ Aktivitetet kreative që shkollat mund të organizojnë sipas cikleve

Për Dita Botërore e Poezisë më 21 mars, artikulli më poshtë ofron ide konkrete për aktivitete kreative sipas cikleve shkollore dhe sugjerime librash me poezi, duke theksuar rëndësinë e tyre në kohën që jetojmë për të nxitur dashurinë për fjalën dhe krijimtarinë.

Dita Botërore e Poezisë, që kremtohet çdo vit më 21 mars, është një mundësi e jashtëzakonshme për t’i afruar nxënësit me magjinë e fjalës, ritmin dhe emocionin që sjell poezia. Në një kohë kur poezia duket se po humbet hap pas hapi vëmendjen e të rinjve shqiptarë, kjo ditë *dhe jo vetëm) mund të shndërrohet në një aktivitet praktik, kreativ dhe argëtues për nxënësit e të gjitha moshave. 


Transmetimi i bërë në një nga emisionet më të ndjekura në vend këto ditë, tregoi se shumë të rinj nuk arrijnë të identifikojnë as emra të veprave të njohura, e aq më pak autorët e tyre. Ky fakt është një tregues i qartë i nevojës për të forcuar kulturën letrare dhe për të nxitur dëshirën për të lexuar poezi që përçon emocion, imagjinatë dhe vlera artistike.


Për këtë arsye, shkollat mund të organizojnë aktivitete që jo vetëm nxisin leximin, por edhe kreativitetin dhe komunikimin ndërpersonal, të përshtatura sipas cikleve të arsimit parauniversitar:


Arsimi fillor (klasat 1-5)

Qëllimi: Të nxisë dashurinë për fjalën, ritmin dhe tingullin e poezisë.


Aktivitete të sugjeruara:


  • Lexim i përbashkët dhe dramatizim: Nxënësit lexojnë vargje të thjeshta dhe interpretojnë personazhet në mini-skecë.
  • Vizatime mbi poezi: Nxënësit vizatojnë një skenë ose ndjenja që u lindin nga poezitë e lexuara.
  • Loja e njohjes së fjalëve: Nxënësit krijojnë ose bëjnë puzzle me fjalë nga poezitë, duke zhvilluar njohuritë e tyre gjuhësore.
  • Recitime të shkurtër: Secili nxënës reciton një varg të preferuar, duke zhvilluar besimin dhe të folurit publik.


Arsimi i mesëm i ulët (klasat 6-9)

Qëllimi: Të thellojë njohjen e poetëve shqiptarë dhe të huaj dhe të zhvillojë kreativitetin në shkrim.


Aktivitete të sugjeruara:


  • Konkurs poezie “Fjala ime fluturon”: Nxënësit shkruajnë poezi origjinale mbi tema si miqësia, natyra ose teknologjia.
  • Poezia në skenë: Recitime dramatike, ku nxënësit mund të përdorin muzikë ose efekte vizuale.
  • Takim virtual me poetë: Nxënësit bëjnë pyetje dhe mësojnë për procesin krijues dhe sfidat e të shkruarit.
  • Loja e njohjes së poetëve: Nxënësit përputhin titujt e veprave me emrat e autorëve për të forcuar njohuritë letrare.
  • Poezi dhe multimedia: Nxënësit realizojnë video të shkurtra ku recitojnë poezi dhe shtojnë efekte vizuale ose muzikore.


Arsimi i mesëm i lartë (klasat 10-12)

Qëllimi: Të zhvillojë analizën kritike, të kuptuarit e mesazheve të thella dhe kreativitetin poetik.

Aktivitete të sugjeruara:


  • Analizë dhe interpretim poezie: Nxënësit diskutojnë mesazhet, metaforat dhe strukturat e poezive të autorëve të njohur shqiptarë dhe të huaj.
  • Krijimi i poezisë bashkëkohore: Nxënësit shkruajnë poezi që lidhen me realitetin aktual, duke reflektuar mbi sfidat e rinisë, teknologjinë dhe shoqërinë.
  • Debate poetike: Nxënësit krahasojnë stilin e autorëve të ndryshëm dhe argumentojnë preferencat e tyre.
  • Poezi dhe multimedia e avancuar: Video ose podcast me recitime, muzikë dhe elemente vizuale, të dizajnuara për publikim online.
  • Projekte ndërshkollore me diasporën: Nxënësit e shkollave shqiptare në vend dhe diaspora shkëmbejnë poezi dhe krijojnë evente virtuale.



Lista e librave me poezi, vargje dhe vjersha për fëmijë, të rinj e të rritur, nga Shtëpia Botuese Albas, ndodhet këtu. 



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

99 Lexime
2 orë më parë