Përfitimet e shumta të të shkruarit me dorë

Në një kohë kur teknologjia po zë gjithnjë e më shumë vend në shkolla, të shkruarit me dorë mbetet një aftësi e pazëvendësueshme. Studimet tregojnë se ai forcon kujtesën, zhvillon aftësitë e shkrim-leximit dhe ndihmon fëmijët të përpunojnë e të kuptojnë më mirë informacionin.

Përgatiti: Dritan Staro  


Në këtë kohë, ku orientimet e trendet janë drejt botës digjitale,një problem i mprehtë mbetet mangësia e të shkruarit me dorë. Duke qënë se ai është i rëndësishëm jo vetëm për traditën gjuhësore,por edhe në zhvillimin mendor e motorik të fëmijëve,shkolla duhet t'i kushtojë rëndësi të veçantë. 


Veprimi i thjeshtë i të shkruarit me dorë aktivizon trurin në mënyra te tilla që mund të forcojnë kujtesën, aftësitë e shkrim-leximit dhe procesin e të nxënit.


Me përhapjen e gjerë të përdorimit të laptopëve dhe tabletëve dhe pajisjeve të tjera digjitale,  në klasat e shkollave kudo në botë edhe ne shkollat tona, nxënësit natyrshëm po shpenzojnë gjithnjë e më pak kohë duke shkruar me laps në letër. Megjithatë, një numër gjithnjë e më i madh studimesh tregojnë se të shkruarit me dorë ka shumë përfitime. Ai luan një rol të rëndësishëm në  mënyrën se si nxënësit mësojnë, mbajnë mend informacionin dhe zhvillojnë aftësitë themelore të shkrim-leximit.


Edhe pse të shkruarit në tastierë është shpesh më i shpejtë dhe më praktik, shkrimi me dorë aktivizon trurin në mënyra që tastiera nuk mund t'i realizojë. Procesi fizik i formimit të shkronjave aktivizon rrjetet nervore që lidhen me kujtesën, gjuhën dhe përpunimin motorik, duke krijuar lidhje më të forta në tru, të cilat ndihmojnë dhe mbështesin procesin e të nxënit.


Për nxënësit më të vegjël, këto përfitime mund të jenë veçanërisht të rëndësishme. Në një studim të vitit 2025, fëmijët e kopshteve që mësuan shkronjat duke i shkruar ato me dorë, arritën rezultate më të mira se bashkëmoshatarët që i mësuan duke i shtypur në tastierë, në disa detyra që lidhen me shkrim-leximin fillestar. Kur iu kërkua të lexonin fjalë me zë të lartë, nxënësit që kishin ushtruar shkrimin me dorë arritën një saktësi prej 72 për qind, krahasuar me vetëm 38 për qind te nxënësit që kishin ushtruar shkrimin me tastierë.


Përparësitë shtrihen edhe te nxënësit më të rritur. Studimet sugjerojnë se mbajtja e shënimeve me dorë mund të përmirësojë kujtesën dhe kuptimin e koncepteve, madje edhe disa ditë pas marrjes së njohurive të reja. Meqenëse shkrimi me dorë, nganjehere , është më i ngadaltë se shtypja në tastierë, nxënësit kanë më shumë mundësi të përmbledhin idetë kryesore, të krijojnë lidhje mes tyre dhe të përpunojnë informacionin gjatë shkrimit, në vend që thjesht të transkriptojnë atë që dëgjojnë.


Kjo nuk do të thotë se mjetet digjitale duhet të zhduken nga klasat. Shkrimi në tastierë mbetet një aftësi e rëndësishme dhe mund të ofrojë përfitime thelbësore në drejtim të aksesueshmërisë për nxënësit që kanë vështirësi me shkrimin e dorës ose që kanë nevojë për mbështetje shtesë në të nxënë.


Megjithatë, ndërsa shkollat vazhdojnë të gjejnë ekuilibrin midis aftësive digjitale dhe praktikave tradicionale të të nxënit, studimet ofrojnë argumente bindëse për ruajtjen e mundësive që nxënësit të shkruajnë me dorë.


"Kur shkruan me dorë nje tekst, e ke lexuar dy herë"

                                        



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

128 Lexime
2 orë më parë