Orë model

Ditari, letërsi XI

Kjo orë mësimi është përgatitur nga mësuesja e lëndës së letërsisë në shkollën jopublike 12-vjeçare “Qëllimi i Jetës”, Tiranë; Sara Fahem. Ditari është realizuar sipas nismës “tri lëndë në gjashtë orë”

Data ………………………….

Planifikimi ditor

Fusha: Gjuhët dhe komunikimi

Lënda: Letërsi

Shkalla: V

Klasa: XI

Tema mësimore 

Ora e parë: Honore de Balzak 

Ora e dytë: Analizë, “Xha Gorioi”

Situata e të nxënit: 

A) Bisedë mbi jetën dhe krijimtarinë letrare të Balzakut

B) Nxënësi kupton se si përvojat letrare ndikojnë duke ndërtuar përvoja personale, vlera dhe qëndrime, që vlejnë më vonë në perceptimin e botës.

Rezultatet për njësinë mësimore 1:

• njeh dhe klasifikon sipas etapave, krijimtarinë letrare të Balzakut; 

• përcakton strukturën e Komedisë njerëzore; 

• flet mbi temat kryesore dhe llojin e personazheve mbizotërues në krijimtarinë e tij; 

• diskuton mbi parimet krijuese, metodën e tipizimit, artin dhe idetë e Balzakut; 

• heq vija paralele ndërmjet Komedisë hyjnore të Dantes me Komedinë njerëzore të  Balzakut.

Rezultatet për njësinë mësimore 2:

• njeh subjektin e romanit; 

• përcakton temën dhe idenë e tij; 

• dallon strukturën dhe elemente të stilit; 

• analizon personazhet,  marrëdhëniet ndërmjet tyre tyre,  mjedisin, rolin dhe funksionin e tyre.

Fjalët kyç: 

Etapa të krijimtarisë 

Strukturë e komedisë njerëzore Tematikë 

Tipizim i personazheve

Art 

Stil proliks

Personazh 

Temë 

Ide 

Mjedis 

Marrëdhënie 

Strukturë 

Stil

Burimet: Teksti i letërsisë, Libri digjital, Fjalor i gjuhës shqipe, Foto, Kompjuter, Tabelë, Shkumës, Fletore etj.

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: Gjuhë shqipe, Gjuhë e huaj, Arte, Histori, TIK

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve: Bashkëbisedimi, stuhi mendimi, lexim i drejtuar, punë e pavarur, punë në grup, pema e mendimit.

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve: Bashkëbisedim, stuhi mendimi, lexim i drejtuar, punë në grup, ditar dypjesësh, harta e koncepteve diagrami i Venit.

Organizimi i orës së mësimit

Ora e parë e mësimit.   Koha: 45 minuta

Lidhja me temën e mëparshme. Kontrolli i detyrave të shtëpisë

Stuhi mendimi, bashkëbisedim. Diskutohet mbi elementet të realizmit në fragmentet e shkëputura të leximeve të komentuara: “Në ballo”; “Takimi me njeriun e madh”; “Beteja e Vaterlosë”; “Shtëpi kukulle”. Shënoj në tabelë veçoritë për secilin fragment dhe bëj krahasimin mes tyre. Shënoj në tabelë thënien e Honore dë Balzakut (të shkëputur nga vepra “Xha Gorio”) përmes bashkëbisedimit diskutohet mbi kuptimin e saj: “Unë jam një poet i madh. Nuk i hedh poemat në letër, ato qëndrojnë në veprime dhe ndjenja.”

Me anë të stuhisë së mendimeve nxënësit paraqesin informacionin që kanë për jetën dhe krijimtarinë e Balzakut. 

Ndërtimi i njohurive të reja:

Bisedë, lexim i drejtuar, punë në grup, pema e mendimit. Ndaj klasën në grupe dhe diskutoj me ta mbi tematikat e krijimtarisë së Balzakut, parimet krijuese, artin e tij, tipat e personazheve të krijuara etj. 

Përforcimi: Metoda e bashkëbisedimit, pema e mendimeve. Në këtë pjesë të orës së mësimit, për të demonstruar rezultatet e arritura gjatë saj, kërkoj nga nxënësit të angazhohen në diskutimin e analogjisë mes Komedisë hyjnore të Dantes me Komedinë njerëzore të Balzakut.

Ora e dytë e mësimit Koha: 45 minuta

Lidhja me temën e mëparshme: bashkëbisedim 

Bashkëbisedohet për veprat e Balzakut, duke u ndalur te vepra Xha Gorio.

Ndërtimi i njohurive të reja: 

Lexim i drejtuar, punë në grup, ditar dypjesësh, harta e koncepteve Me anë të hartës së koncepteve së bashku me nxënësit shënohen veçori të përgjithshme që lidhen me romanin “ Xha Gorioi”. Romani “Xha Gorioi” zë një vend të veçantë në tërësinë “e Komedisë njerëzore”. Ai shërben si udhëkryq ku takohen disa prej heronjve kryesorë të veprës së Balzakut. Autori e ka shkruar këtë vepër duke u mbështetur në elementin bazë në të cilin ndërtohet shoqëria, prandaj pohon: Për mua elementi bazë i shoqërisë nuk është individi, por familja. 

Romani rrëfen për: 

-  prindin fatkeq (sakrificën e tij në emër të familjes, vajzave të tij), 

-  bijat mosmirënjohëse, duke përcaktuar njëkohësisht temën dhe idenë kryesore të kësaj vepre. 

Rreziku i shkatërrimit të familjes vë një pikëpyetje të madhe themelet e shoqërisë, prandaj në këtë roman ajo ndihet si shenjë alarmuese.

U kërkoj nxënësve të tregojnë mbi subjektin e romanit “ Xha Gorioi”. Ngjarjet kryesore ndodhin në pensionin e zonjës Voker, në fundin e nëntorit të vitit 1819, ku jetojnë mbledhur shtatë bujtës në nevojë: 

në katin e dytë - zonjusha e re Viktorina Tajfer me një kushërirë të largët, madamën Kutyr; 

në katin e tretë - një nëpunës që ka dalë në pension, Puareja dhe një zotëri enigmatik në mesmoshë me emrin Votren; 

në katin e katërt - një vashë lëneshë, madmuazel Mishono, një ish-tregtar bukësh, Gorioi dhe studenti Eugjen de Rastinjak, i cili ka ardhur në Paris nga Angulema etj... 

Ndaj klasën në grupe dhe me anë të metodës lexim i drejtuar plotësohet tabela për personazhet dhe karakteristikat e tyre.

Subjekti shoqërohet edhe me analizën e personazhit kryesor xha Gorio. Me anë të skemës më paraqesim kompleksitetin e Gorioit si personazh.

Pas analizës së personazheve drejtoj pyetjen: Pse është një vepër realiste? Cilat veçori të veprës realiste gjejmë në të? 

Këto pyetje i bëj për të përqëndruar vëmendjen e nxënësit jo vetëm në identifikimin e veçorive të veprës realiste, por edhe në elemente specifike të stilit të Balzakut, si : në elementet e përmbajtjes, detajet artistike dhe strukturë. Në fund të analizës nxënësi mund të japë mendimin e tij mbi vlerësimin: Balzaku dhe krijimtaria e tij u bënë themelues të epokës letrare të realizmit.   

Demonstrimi i rezultateve të arritura diagrami i Venit, bashkëbisedim Me anë të diagramit të Venit u kërkoj nxënësve të vendosin në plane krahasuese veprën e Balzakut “Komedia njerëzore” me atë të Dantes “Komedia hyjnore”, njëra vepër përfaqësuese e letërsisë realiste dhe tjetra përfaqësuese e letërsisë romantike.

Nëse vepra e Dantes përfundon me një fund të lumtur, a ka të njëjtin fund vepra e Balzakut? Nxënësit për përgjigjen e kësaj pyetjeje u referohen veprave të tjera të Balzakut.

Vlerësimi: Përgjatë kësaj ore mësimi, bëj vlerësim të vazhdueshëm me gojë për përparimin e nxënësve, me qëllim identifikimin e njohurive, interesave, aftësive apo shkathtësive që kanë fituar nxënësit në lidhje me tematikën e trajtuar gjatë mësimit. Këtë vlerësim mund ta shoqërohet edhe me shënime specifike për nivelet e të nxënit sipas rastit.

Detyrë shtëpie: 

1.Hulumtoni në internet apo edhe mes librave thënie të Balzakut dhe për Balzakun.

2.Shkrim i lirë, ese. Shkruani një ese duke marrë në konsideratë pyetjet: - Ku qëndron drama e xha Gorioit? - Pse ai është ndër personazhet më fatkeqe? Për të shkruar esenë tuaj lexoni fragmentin “Vdekja e xha Gorioit” në tekst.


Planifikoi mësuesja e lëndës “Gjuha shqipe dhe letërsia” në shkollën jopublike 12-vjecare “Qëllimi i Jetës”, Tiranë.

Mësuesja: Sara Fahem

(Portali Shkollor)

11,360 Lexime
6 vjet më parë