Donata Larti: Emocionet e nxënësve janë abetarja e vërtetë e të nxënit...

Donata Larti, mësuese e gjuhës shqipe, na kujton: Emocionet e nxënësve janë abetarja e vërtetë e të nxënit. Një nxënës i sigurt hap faqet e dijes, një i frikësuar mbyllet. Nota humbet, por kujdesi për shpirtin dhe vetëbesimi mbeten.

Nga Donata Larti mësuese e gjuhës shqipe, shkolla "Sotir Gurra", Korçë


Një nxënës i frikësuar është si një libër i mbyllur me dry. Një nxënës i gëzuar dhe i sigurt, nga ana tjetër, është një faqe e hapur, gati të shkruajë, të eksplorojë dhe të krijojë. Ne në emër të programeve dhe "standardeve", shpesh harrojmë këtë të vërtetë elementare. Nota e lartë mund të jetë një fitore e përkohshme, por kujdesi për shpirtin, ndërtimi i vetëbesimit janë një fitore për jetën.


Çfarë do të kujtojnë ata kur të rriten?


Nuk do të kujtojnë notën 10 në testin e fizikës. Do të kujtojnë nëse mësuesi i besonte, nëse i ndiente, nëse i bënte të ndjeheshin të duhur dhe të pranuar. Kjo është trashëgimia jonë e vërtetë.


Prandaj, le t'i kthehemi gjuhës së shpirtit. Le të vlerësojmë guximin e tyre të thjeshtë, kur ngrenë dorën duke u dridhur, si më shumë se një përgjigje të saktë. Le të krijojmë klasa ku “dështimi" është thjesht  një hap tjetër i të nxënit, jo një gjyq.


Sepse mësimet më të mëdha, ato të mirësjelljes, të empatisë, nuk janë kurrë në planin mësimor. Ato shkruhen në zemër dhe këto janë mësimet që si ju dhe unë e dimë, vërtet nuk harrohen kurrë.


Me respekt dhe mirënjohje për 40 vjet kontribut  që kanë shkruar jo vetëm  në fletore, por edhe në shpirtra.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

82 Lexime
2 orë më parë