Doni të mësoni gjuhën kineze? Ofrohet falas

Instituti “Konfuci” në Universitetin e Tiranës është krijuar qysh në vitin 2013. Qëllimi i tij kryesor është promovimi i gjuhës kineze në vendin tonë

Instituti “Konfuci” në Universitetin e Tiranës është krijuar qysh në vitin 2013. Qëllimi i tij kryesor është promovimi i gjuhës kineze në vendin tonë. Ky Institut e realizon këtë qëllim më së miri, jo vetëm nëpërmjet kurseve të gjuhës nga pedagogë profesionistë, por edhe nëpërmjet aktiviteteve kulturore, koncerte apo festivale të ndryshme në gjuhën kineze. Përfaqësuesi shqiptar pranë këtij instituti, Erion Malaj (Drejtor), na tregon për mbarëvajtjen e punës në këtë Institut dhe për interesin që kanë shfaqur të rinjtë për gjuhën kineze. Gjithashtu ai ndalet edhe tek aktivitetet e ndryshme kulturore, që përbëjnë interes për shumë nostalgjikë, që kanë jetuar në periudhën e bashkëpunimit të Shqipërisë me Kinën.

Erion, qysh prej vitit 2013 në Shqipëri ekziston Instituti “Konfuci” në Universitetin  e Tiranës, ç’mund të na thoni për krijimin e tij?

Instituti “Konfuci” në Universitetin e Tiranës është krijuar më 18 nëntor të vitit 2013. Ky është instituti i parë edhe i vetëm në Shqipëri, pasi në vendet e tjera të botës janë mbi 400 të tillë, në 93 shtete të botës. I pari, është ndërtuar në vitin 2004 dhe më pas janë hapur institutet e tjera, por gjithmonë pranë universiteteve të shteteve përkatëse. Për shembull, në Itali ndodhen pranë universitetit të Romës, të Milanos etj. Në Universitetin e Tiranës inaugurimi i tij është bërë nga Rektori, Prof.Dr. Dhori Kule dhe nga kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Arsimit, znj. Lindita Nikolla.

Cilat janë qëllimet e këtij instituti?

Qëllimi i Institutit “Konfuci” është promovimi i gjuhës dhe i kulturës kineze. Përsa i përket promovimit të gjuhës kineze, që prej themelimit të Institutit Konfuci-UT, me dhjetëra studentë kanë mësuar gjuhën kineze pranë Institutit. Tashmë gjuha kineze është pjesë e kurrikulave të Universitetit të Tiranës pasi është lëndë me zgjedhje në Fakultetin e Ekonomisë, si dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Ne jemi duke punuar që së shpejti ajo të ofrohet si lëndë me zgjedhje edhe në 4 fakultetet e tjera të Universitetit të Tiranës. Por jo vetëm kaq, pasi shumë universitete si; Universiteti i Arteve, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, etj., kanë shprehur interesin që gjuhën kineze ta kenë pjesë të kurrikulave të tyre për të cilën ne jemi në bisedime për ta ofruar këtë lëndë edhe në këto universitete.

Në kuadër të kulturës kineze ne jemi duke organizuar aktivitete të shumta kulturore dhe dua ta përqendroj vëmendjen tek aktiviteti i fundit i organizuar më datë 24 tetor 215, në ambientet e Universitetit të Arteve, aktiviteti me emrin “ Enchanting China, Charming Hunan”. Në këtë aktivitet performuan rreth 20 artistë të shquar nga Kina në fushën e : muzikës, valleve dhe instrumenteve tradicionale kineze. Një aktivitet, i cili tërhoqi vëmendjen e artdashësve shqiptarë të kulturës kineze, por jo vetëm. Ky aktivitet u shfaq edhe në Institutet “Konfuci” simotra në Mal të Zi, Serbi si edhe në Maqedoni.

Çfarë ka ndikuar në rritjen e këtij interesi?

Mendoj se ka faktorë të shumtë që çojnë në një interes kaq të madh për të mësuar gjuhën kineze. Së pari, Kina është vendi i dytë në botë sa i përket rritjes ekonomike dhe shihet si një potencial për t’u bërë superfuqi ekonomike në të ardhmen. Së dyti, nëpërmjet këtij Instituti studentët të cilët arrijnë rezultate të larta në testin e gjuhës kineze (HSK) u ofrohen shumë lehtësira për të fituar bursa të plota studimi në universitetet më të mira në Kinë. Më lejoni t’iu përmend këtu Fudan University i cili është i renditur në top universitetet më të mira në të gjithë botën. Gjithashtu, studentët kanë mundësi të fitojnë dhe marrin pjesë në shkolla verore të organizuara në Kinë. Nuk dua të lë pa përmendur edhe faktin që, kjo lidhje e Shqipërisë me Kinën nuk ka lindur as sot, as para dy vitesh. Bazuar në histori marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë shumë të mira prej vitesh, ky Institut thjesht është duke i përforcuar këto marrëdhënie.

Përveçse Tiranës a kanë një shpërndarje më të gjerë aktivitet e radhës kulturore në Shqipëri?

Ky aktivitet ishte i programuar për në kryeqytet, për momentin ishte unik në llojin e tij, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë të tjerë. Sigurisht që është synimi dhe objektivi ynë kryesor, që të ketë aktivitete të tjera të ngjashme me këtë, sepse mendojmë që nëpërmjet artit dhe kulturës do të mund të afrojmë më tepër të dy popujt, të dy vendet, Shqipërinë dhe Republikën Popullore të Kinës. Ashtu siç e përmenda edhe më sipër ka një miqësi ekzistuese midis këtyre vendeve, dhe ky Instituti gjithmonë edhe më shumë po e përforcon këtë marrëdhënie.

Deri më tani, sa është numri i studenteve që janë regjistruar për të mësuar gjuhën kineze?

Ne sapo kemi përfunduar regjistrimin për këtë viti dhe janë rreth 100 studentë, por ky numër është në rritje. Dhe këtu nuk kam përfshirë studentët të cilët kanë zgjedhur gjuhën kineze si lëndë me zgjedhje në Fakultetin e Ekonomisë si dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.  Para një jave organizuam një Leksion të Hapur në Godinën “Iliria”, aty  ku gjendet Instituti “Konfuci”, ku kishim jo vetëm studentë të Universitetit të Tiranës, por edhe të interesuar të tjerë. Vumë re një interes të madh nga të pranishmit.

Sa është numri në total?

Në total për vitin akademik 2015-2016 Instituti Konfuci-UT numëron rreth 200 studentë të regjistruar për të mësuar gjuhën kineze.

Kursi realizohet kundrejt një pagese të caktuar?

Kjo vlen të theksohet, sepse deri para pak kohësh studentët që do të ndiqnin këtë kurs duhet që të paguanin një vlerë simbolike që ishte, sepse nuk është më, rreth 80 euro për një periudhë 3 deri në 6 muaj, por unë kërkova me ngulm që pagesa të hiqej, që të mos bëhej pengesë për askënd që kishte dëshirën për të mësuar gjuhën kineze por nuk kishte mundësinë. Pra duke nisur nga ky vit është pa pagesë. Nëse dikush interesohet për gjuhën kineze dhe kërkon që të marrë njohuritë bazë të kësaj gjuhe apo dhe të avancuara, absolutisht që mund të jetë pjesë e leksioneve që mbahen nga pedagogë kinezë pranë Institutit “Konfuci”, aktualisht janë tre  pedagogë të angazhuar me mësimdhënien. Mund të them se leksionet kanë filluar këtë javë dhe studentët duken të kënaqur dhe entuziast për fillimin e këtij kursi.

Studentët janë vetëm nga dy fakultetet, që e kanë pjesë të kurrikulës?

Jo vetëm, ka studentë edhe nga fakultete të tjera, që nuk e kanë në kurrikul gjuhën kineze, por që për interesin e tyre personal apo qoftë edhe për formim të përgjithshëm i ndjekin kurset. Dua të theksoj që ne jemi të hapur dhe mirëpresim studentë nga të gjithë fakultetet apo universitetet, fokusi ynë është te studentët të cilët nuk do e mbyllin ciklin e të mësuarit të gjuhës kineze vetëm me nivelin e parë, por tek ata të cilët do të marrin edhe leksione të avancuar të kësaj gjuhe dhe që dëshirojnë që të vazhdojnë studimet në Kinë.

Dhe së fundmi, cilat janë projektet kulturore në vazhdim?

Kemi parashikuar disa aktivitete të ardhshme siç janë leksione të hapura mbi teorinë e filozofit të njohur kinez “Konfuci”, aktiviteti si “Tea Day”, një turë leksionesh nga pedagogë të njohur nga Kina në Universitetin e Tiranës si edhe në dy universitete të tjera jashtë Tiranë për të cilin jemi duke punuar fort. Këto janë një pjesë e vogël e asaj që ne kemi planifikuar që të organizojmë deri në fund të këtij viti kalendarik. Pasi në fillim të vitin 2016 një nga aktivitete më të më dha do të jetë festimi i Vitit të Ri Kinez.

(Nga Valeria Dedaj)

2,080 Lexime
5 vjet më parë