Arsimi i mesëm profesional

Drejtori i shkollës “Salih Çeka”, Leonidha Haxhinikolla: Arsyet pse nxënësit duhet të zgjedhin arsimin profesional

Pse nxënësit që mbarojnë klasat e 9-ta duhet të zgjedhin arsimin profesional? Artikulli më poshtë shërben si një këshillues karriere, bazuar në historinë e suksesit të shkollës profesionale “Salih Ceka” në Elbasan, me një traditë 54-vjeçare në këtë drejtim.

Shkolla "Salih Çeka" ka një traditë pesëdhjetë e katër vjeçare në fushën e arsimit profesional. Vizioni ynë është roli i shkollës si një qendër inovacioni që ofron arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Çka na mban koherentë dhe të nxitur për një mësimdhënie cilësore është ecja me hapin e kohës. Ne jemi të vetëdijshëm që arsimi është një formulë e pazëvendësueshme, por me ndryshore që mund të shtohen dhe hiqen për ta sjellë atë në trajtën e vet më të mirë. Mësuesit tanë nuk janë thjesht profesionistë të zotë, ato janë individë që priren nga një kureshti e përhershme për të mësuar dhe për të arritur qasje të reja ndaj njohurive dhe aftësive. Ne i shtyjmë nxënësit tanë të dalin përtej kornizave të rehatisë, ta përdorin teorinë dhe praktikën në shkollë për të zotëruar një zanat, për ta përqafuar atë, jo thjesht si një mënyrë për të bërë punët e zakonshme, por për ta përdorur atë si bazë nga ku mund të krijojnë dhe zhvillojnë veten. Një e mirë e pamohueshme e shkollës sonë është që ne i përgatisim nxënësit duke i krijuar mundësi praktikash profesionale gjatë viteve të shkollës, duke shkuar krahë për krahë edhe me misionin tonë për bashkëpunimin e ngushtë me sektorin privat dhe aktorët e tjerë rajonalë e më gjerë. U krijojmë atyre kushte laboratorike për tu praktikuar dhe i mbajmë aktivë me trajnime dhe pjesëmarrje në konkurse. Në shkollën "Salih Çeka" dinamikat nuk i lihen rastësisë, ato krijohen për të shpërblyer punën e të gjithëve.


Arsimi është mision. Nuk mund të përkufizohet brenda konvencioneve tipike të një profesioni tipik. Nëse të mungon dëshira për punë, kënaqësia e të ndihmuarit, arsyeja e shëndoshë se të ndash do të thotë të ngresh, boshti i kuriozitetit dhe vullnetit, gëzimi i pastër për arritjen më të vogël të nxënësve të tu, nuk mund të quhesh mësues.


Ne ofrojmë pesë drejtime studimi: 

  1. Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, 
  2. Ekonomi Biznes, 
  3. Hoteleri Turizëm, 
  4. Tekstil Konfeksione, 
  5. Instalues të Sistemeve Termohidraulike. 


Të gjitha këto, drejtime me mundësi reale punësimi, të cilat zhvillohen brenda një kurrikule të veçantë, secila me orë të tëra të përkushtuara praktikës. Ne bëjmë përpjekje për të sjellë gjithnjë degë të reja dhe për t’i mbështetur ato me një trupë mësuesish të mirëpërgatitur. 


Shpesh në ngjarje, apo konkurse, na pyesin si është e mundur të krijohet një marrëdhënie ideale mes mësuesve dhe nxënësve. Ne mendojmë se tek ne kjo vjen më se natyrshëm, pasi nismat dhe projektet në të cilat shkolla përfshihet i bëjnë mësuesit të vlerësojë jashtëzakonisht punën e kolegëve dhe të kuptojnë rëndësinë dhe dobishmërinë e saj. Nga ana tjetër, mësuesit kanë qartësuar që herët me rolin e tyre në klasë se, nxënësit nuk kanë nevojë për figura të largëta, ata kanë nevojë për udhërrëfyes, bashkëbisedues, bashkësipërmarrës në sfida dhe projekte. Është diçka të dish, tjetër gjë është të përçosh.


Puna jonë zhvillohet mbi vlerat e integritetit, profesionalizmit, krijimit të mundësive të barabarta, transparencës, respektimit të vlerave të të gjithëve, përkushtimit, risisë dhe bashkëpunimit e partneriteteve. Roli i përqendruar i shkollës sonë si një epiqendër ndërveprimesh sociale mbështet në krijimin e përvojave të ndryshme. Mundësitë e shkëmbimit të eksperiencave i kanë çuar nxënësit tanë në Spanjë, Slloveni dhe vende të tjera. 


Gjithashtu, ne përpiqemi për të rritur numrin e vajzave që ndjekin arsimin e mesëm profesional. Mbështetur edhe nga politikat e shtetit për dhënien e bursave, i afrohemi hap pas hapi këtij objektivi. Vajzat që zgjedhin arsimin profesional përfitojnë gjysmë burse, kurse vajzat që zgjedhin drejtime atipike në krahasim me prirjen, fitojnë bursë të plotë. 


Ulja e numrit të nxënësve që braktisin shkollën është një tjetër objektiv. Ne përpiqemi të forcojmë rolin e mësuesit kujdestar në raport me nxënësit dhe prindërit. Është e rëndësishme të afrojmë dhe tu japim një qëllim e mundësi të barabartë nxënësve pjesë e grupeve të ndjeshme (vulnerabël), duke i përfshirë në projekte shkollore, kombëtare dhe rajonale.


Thyerja e stigmës se shkollën profesionale e zgjedhin nxënësit që vijnë nga familje me nivel të dobët ekonomik, mbetet një detyrim parësor për ne. Përveç politikave të bursave që përfshijnë sipas nevojave të veçanta transportin, vendqëndrimin falas në konviktin e shkollës, rimbursimin e teksteve shkollore etj, ne bëjmë pjesën tonë. 


Këshillimi i karrierës është një pikë e fortë jona. Takimi nga afër me nxënësit e klasave të nënta na jep mundësinë tu shpërfaqim atyre mundësitë e shumta me baza reale që përfaqëson arsimi i mesëm profesional, tu sjellim shembuj të prekshëm arritjesh, nga përvoja e nxënësve tanë. Drejtimi që ka marrë tregu i punës sot, na jep dorë për të zhvilluar një orientim karriere të qenësishëm për maturantët tanë. Largpamësia, në këtë rast, qëndron tek dhënia e një panorame të plotë të situatës dhe prirjeve të punësimit sot, nga shkalla e qytetit e më gjerë.


Në kuadër të zbatimit të sistemit “dual”, huazuar nga shembulli gjerman i përdorimit të tij, shkolla zhvillon praktike profesionale me bizneset lokale për të kalitur aftësitë në vendin e punës dhe për t’i krijuar përvojën e punës nxënësve. Mbi 270 nxënës të këtij viti shkollor janë pjesë e tyre. Ata punojnë dhe numri i atyre që punësohen prej këtyre bizneseve veçse rritet. Në fakt, 67% e tyre punësohen pa mbaruar viti i tretë i shkollës. Ka mundësi që po të ndodheni në Elbasan, në restorante, servise makinash, zyra, apo biznese të tjera, të haseni me nxënësit tanë. Punojmë për t’i krijuar atyre një rrjetëzim profesional, i cili sado i thjeshtë, u shërben në krijimin e një karriere të hershme. 


Ka disa arsye të thjeshta pse nxënësit duhet të zgjedhin arsimin profesional: tregu dhe ekonomia është e drejtuar drejt profesionistëve që zotërojnë zanate dhe aftësi praktike, kushtet janë të shkëlqyera, ka larmishëmeri mundësish për tu zhvilluar. Për të tjerat mund të pyesni mësuesit tanë të rinj që sot japin mësim krah ish mësuesve të vet të shkollës së mesme.


Trashëgimia jonë janë nxënësit që kanë ngritur biznese në qytet, kanë bërë emër në fushat e tyre dhe zhvillohen ende pas mbarimit të shkollës së mesme. Për sa kohë që nxënësit tanë punësohen, rriten, i ofrojnë shoqërisë dhe na kujtojnë me një buzëqeshje në fytyrë, jemi të mendimit se puna jonë flet vetë.


*Nëse ky artikull ju ka ushqyer sado pak kuriozitet, ju ftojmë të na ndiqni në rrjetet tona sociale në Facebook dhe Instagram ku pasqyrojmë gjithçka ndodh në jetën shkollore.





Nga Leonidha Haxhinikolla – Drejtor i shkollës së mesme profesionale “Salih Çeka”


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,068 Lexime
1 vit më parë