INTERVISTË

Edlina Losha Bano: Çerdhja dhe kopshti, institucione bazë për gjithë jetën e një fëmije

A mund ta mposhtë gjithë frikën dhe pasigurinë e kësaj kohe pandemie pozitiviteti dhe dashuria e vërtetë? Për Edlinën dhe institucionin parashkollor që ajo drejton, përgjigja është PO. Përkushtimi i saj nga ana tjetër tregon se çerdhja dhe kopshti, janë baza për gjithë jetën e një fëmije!

Kohët që po jetojmë na kanë njohur me një mënyrë të re jetese prej armikut të padukshëm COVID-19.  Në fakt duhet shumë pozitivitet për të kapërcyer problemet që ai ka sjellë për pasojë, duhet të ndiqen edhe rregulla të posaçme sigurisht. Kur vjen fjala për institucionet arsimore, mendja na shkon patjetër për më të pafajshmit, tek e ardhmja e të gjithëve ne, fëmijët! Mësuesit dhe edukatorët çdo ditë po bëjnë të pamundurën që ata të mos ndjejnë mungesat e një përditshmërie si dikur, kur ky virus nuk na kanosej. Por pavarësisht periudhave dhe vështirësive, ajo që mbetet përjetë shëruese është dashuria njerëzore që mund t’i falim njëri-tjetrit dhe veçanërisht më të vegjëlve, por edhe dashuria për jetën, të jetuarit e çdo dite.  Ata që kanë arritur t’i bëjnë moto të jetës këto e dinë fare mirë rëndësinë e tyre. 

Drejtoresha e kopshtit “Princi Lumtur”, Edlina Losha Bano, e cila nëpërmjet një interviste për Portalin Shkollor Albas nuk ka hezituar aspak të jetë e sinqertë në rrëfimin e saj, duke i shtuar ngjyra nga të sajat mesazheve që ndan për të gjithë ne. 



Znj. Edlina, eksperienca juaj në drejtimin e një institucioni arsimor parashkollor dhe të edukimit të të vegjëlve i numëron tashmë disa vite. Dimë se pasioni për këtë profesion tek ju ka dominuar, dhe kuptohet, nëse ka dashuri e pasion për punën, koha dhe vështirësitë që ajo sjellë bëhen të lehta për t’i përballuar :). Por jemi në një kohë që i ashtuquajturi virus, COVID-19, ka pushtuar botën dhe ende jemi nën pushtetin e tij...

Ndaj donim të dinim çfarë do të thotë të drejtosh një çerdhe dhe kopsht në këtë kohë pandemie? Çfarë ka ndryshuar nga më parë? 


Po jetojmë kohë të vështira, nëse shprehesh ndryshe, do të thotë që nuk po thua të vërtetën. Ndikimi i pandemisë është i dukshëm dhe i lexueshëm kudo! Rihapja e kopshteve nisi me ardhjen e verës, pikërisht në datën 1 Qershor- festen e fëmijëve! Fëmijët ktheheshin pas 3 muajsh qëndrimi në shtëpi dhe për më tepër ky rikthim bëhej në kushtet e reja- ndër të tjerat edhe moslejimi i festimeve (si mund te kuptojë fëmija i vogël që nuk mund të festojë 1 Qershorin?). Pra ndryshimi ndodhi që në momentin e parë kur u “rihapëm”. Sfidat u shtuan si në menaxhimin e drejtimit të stafit, të fëmijëve si edhe të vetë prindërve, të cilët të themi të drejtën edhe ata nga ana e tyre e kishin përjetuar në forma të ndryshme kohën e pandemisë dhe, nëse përjetimet nuk kishin qenë të mira-detyrimisht kjo reflektohet edhe tek fëmijët! 

 


Si është zhvilluar procesi i kujdesit dhe edukimit të fëmijëve tanimë?  A ka pasur ndryshime le të themi, të programeve apo të metodologjisë në këto drejtime?  


Në këtë “periudhën e re”, dashje pa dashje ndryshimet kanë ndodhur. Ndryshoi edhe mënyra se si i krijuam edhe lidhjet e punës brenda për brenda stafit, sepse gjate periudhës së pandemisë vërtetë që rrinim të izoluar, por u përshtatëm edhe me metodat e reja të teknologjisë dhe kështu kjo ndikoi edhe në mënyrën e punës sonë. Për fat të mirë kjo vijon edhe sot e kësaj dite midis meje dhe stafit.  Programet dhe metodologjia nuk kanë ndryshuar, për sa kohë këto programe ushtrohen në ambientet e kopshtit, por mund të them që është rritur cilësia, sepse kjo situatë na ka bërë më të bashkuar dhe na ka lidhur më shumë  edhe ne të rriturve. 

 


Po fëmijët a ju kanë pyetur ndonjëherë se pse mbani maska apo pse i dezinfektoni shpesh duart? U keni folur atyre për situatën, apo janë ende të vegjël? Sa e vështirë pra ka qenë për ju të punoni me grupmoshat nga 1 deri në 6 vjeç, ku ndër të tjera dashuria dhe përqafimet për ta nuk duhet të mungojnë?  


Fëmijët e sotëm janë tepër të zgjuar. Ata jetojnë në këtë realitet, kanë prindërit në shtëpi, gjyshërit, shohin dhe dëgjojnë mediat, frekuentojnë lokalet, lodrat, ambientet e jashtme, madje edhe lëvizin jashtë shtetit. Pra në një farë mënyre ata e njohin situatën, (kuptohet këtu flasim për fëmijët e kopshtit mbi 3 vjeç, pasi më të vegjlit nuk kuptojnë edhe aq). Gjithsesi ata u mësuan shumë shpejt me gjendjen e maskave në fytyrën e edukatores.  Dashuria dhe përqafimet nuk kanë munguar, pse të gënjej?! Ne i ushqejmë  fëmijët, i ndërrojmë, i ndihmojmë ata të lahen dhe pastrohen, të kryejnë nevojat personale, pra jemi gjithë ditën në kontakt të vazhdueshëm me ta- këto gjëra nuk i bëjmë gjithë ditën me maskat në hundë, sepse mendoj që nuk ka kuptim - përderisa t’i jep e marr kaq shumë me fëmijët, mendoj që maska nuk ka më vlera. Por ama në pritjen dhe takimin e mëngjesit, si edhe kur dalim shëtitje, edukatoret mbajnë maska dhe fëmijët nuk shqetësohen fare për këtë sepse janë mësuar. Nuk ka ndryshuar fare sasia dhe mënyra e dhënies së dashurisë ndaj tyre dhe kjo është shumë thelbësore.

 


Po prindërit a i respektojnë rregullat apo protokollin e posaçëm kur sjellin dhe marrin fëmijët e tyre? A keni parë frikë te prindërit ose ndoshta pasiguri? A ka bashkëpunim mes jush? Çfarë i këshilloni atyre? 


Me prindërit kemi marrëdhënie shumë të mira! Preferoj të jem e hapur dhe e vërtetë me ta. Kur jua nisa protokollin e masave kundër COVID-19, ata më thanë: “-Këto masa në më të shumtën e rasteve kanë qenë tek kopshti ynë! Shumica nuk janë gjëra të reja për ne!”. Por sigurisht që përderisa po përjetojmë kësi kohësh ka edhe ndryshime dhe pasiguri ndër ta. Pasiguri të cilat i kuptojmë fare mirë. 

 


Po ju vetë dhe stafi juaj sa i trembeni një infektimi të mundshëm (në rast se nuk jeni prekur ende), se gati-gati duket sikur po jetojmë në një realitet që na presionon frikën, në një kohë që kujdesi për higjienën duhet të jetë maksimal dhe distancat duhet patjetër të respektohen? 


 (Qesh.)  Kam dy infermiere në kopsht që punojnë non stop. Kemi edhe mjekë. Gjëja e parë që ato thanë ishte :-“Të tërë do e kalojmë këtë!”. E morëm me sportivitet. I respektojmë masat e higjienës në maksimum, jemi tepër të kujdesshme, por frikën nuk e njohim. Puna me fëmijët na ka forcuar dhe kemi fituar imunitet. 

 


Duke lënë pas situatën që po kalojmë të gjithë prej virusit...Zj. Edlina na rrëfeni pak për përditshmërinë e punës tuaj në kopshtin “Pinci i Lumtur”? Cila është motoja juaj ose parimi që ndiqni? 


Çdo ditë është e veçantë, nuk i ngjan aspak ditës tjetër, çdo ditë është unike dhe e bukur. Kjo është dita ime në kopshtin “Princi i Lumtur”, por pak a shumë kjo është edhe motoja e gjithë jetës sime, të cilën e kam thënë në fakt edhe herë të tjera: “Ta jetosh ditën sikur kjo të ishte e fundit”- dhe këtu kam parasysh p.sh, kur je me pushime dhe ditën e fundit jepesh tërësisht për ta shfrytëzuar në maksimum dhe për ta shijuar sa më shumë! Kjo ka qenë dita që më pëlqente aq shumë kur isha e vogël dhe e kishim ritual që bashkë me prindërit e festonim ndryshe atë- dhe kaq shumë më ka pëlqyer atëhërë, sa kur u rrita pyeta veten: “E pse jo përditë? Pse mos të më kthehet në moto jete kjo? A nuk është çdo ditë e veçantë? A nuk meriton ajo të jetohet?”. Kështu pra jetoj unë. Kështu e sjell edhe jetën edhe përditshmërinë në kopshtin tim. Sepse kjo është filozofia me të cilën unë punoj dhe i nxis edhe të tjerët rreth meje të punojnë e jetojnë.  

 


Nga e gjeni gjithë burimin e energjisë dhe të frymëzimit për punën e përditshme? Ata që ju njohin mund t’ju quanin me të drejtë “njeriu i ngjyrave” që fal vetëm pozitivitet...? 


Më pëlqejnë vërtetë ngjyrat në kuptimin e parë të fjalës. Vishem me ngjyra, rrethohem nga ngjyrat. (Për mua “e zeza” nuk është ngjyrë). Mundohem të transmetoj energji pozitive, duke mos dashur t’i shqetësoj kurrë të tjerët me problemet e mia, duke ju qëndruar larg atyre që kanë energji negative, duke dashur të gëzoj jetën në çdo ditë të saj, ashtu siç thashë më sipër, duke e kthyer “Kënaqësinë-në modelin tim kulturor!”

 

Si mund të edukohet një fëmijë në çerdhe ose në kopsht, çfarë mesazhi keni veçanërisht për edukatoret e reja, nisur nga eksperienca juaj në drejtimin e një institucioni kujdesi dhe edukimi për fëmijët, por edhe nga roli i nënës që gëzoni? 


Çerdhja dhe kopshti është institucion bazë ku një fëmijë hedh hapat më kryesorë të të gjithë jetës së tij. Këtë nuk e them unë, por e kam mësuar tashmë nga të tjerët. Vitet e para të jetës së njeriut janë ato thelbësorët në formimin e tij. Dhe përveç familjes, kuptohet që rol kyç ka edhe çerdhja dhe kopshti. Dhe këtu sigurisht unë nuk toleroj. Parimi bazë i punës sime që në krye të herës, edhe si drejtuese, edhe si nënë, pra në marrëdhëniet me fëmijët është “vërtetësia”. Edhe edukatoret e mia i kam mësuar të krijojnë raporte të drejtpërdrejta me fëmijët, dhe me prindërit e tyre gjithashtu. Gënjeshtra nuk është modeli im i punës, dhe njerëzit që nuk thonë të vërtetën, nuk janë ata që mund të punojnë me mua. Duke qenë njeri i tillë, duke qenë e drejtë, duke stimuluar dhe vlerësuar secilin fëmijë, duke ju thënë të vërtetën, duke e mbajtur fjalën për premtimet e bëra, duke ju shpjeguar atyre në mënyrë të hapur se çfarë është e mirë dhe çfarë jo, duke ju dhënë dashuri të vërtetë dhe jo false atyre- edhe fëmijët kuptojnë. Sepse edhe fëmijët janë të drejtë dhe të vërtetë, prandaj shkoj mirë unë me ata.  Mund t’ju them edhe një aspekt nga jeta ime, meqë m’u drejtuat edhe si “nënë”. Kur ishin fëmijët e mi të vegjël fare, unë flisja me ta sikur te ishin të rritur, edhe nga logjika e mendimit, edhe nga shprehjet dhe fjalët që përdorja. Im shoq një herë teksa më dëgjonte, me pyeti:-“Çudi me ty si ju drejtohesh fëmijëve kështu sikur ata të jenë të rritur! A të kuptojnë ata?”, -“Po”,-ia ktheva,-“Më kuptojnë madje më mirë se sa edhe vetë disa të rritur!”. Dhe e ndjeja këtë! Dhe vijoj ta ndjej ende kur komunikoj edhe sot e kësaj dite me ëmbëlsi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me fëmijët e kopshtit, që, meqë ra fjala, më lejoni të them që i dua shumë, shumë, shumë ( zemra mbushur plot me dashuri, tani më thoni si të mos jem e lumtur dhe me ngjyra unë!?) .

 

 

Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,287 Lexime
3 vjet më parë