Reflektim

Dimensioni njerëzor i një mësuesi

Një mësues ka edhe një dimension tjetër, atë njerëzor, që vjen pas atij të edukimit. Papritur ngrihet një mur në nënvetëdijen e njeriut, që nuk e le të depërtojë më thellë dhe të kuptojë se çfarë ka pas atij muri...

Shpesh më duket sikur të gjithë kanë një mendim fiks për mësuesit. Mësuesit duhet të jenë gjithmonë të fortë dhe të papërshkueshëm nga emocionet. Mësuesit përpiqen me të gjitha mënyrat të kapin hapin e kohës, të arrijnë afatet, të korrigjojnë, të plotësojnë regjistrat, evidencat, formularët, të përpilojnë planet, të përgatiten për të nesërmen, nëpërmjet planifikimit ditor, të jenë gjithmonë të gatshëm për t’ju përgjigjur prindërve në çfarëdolloj ore që ata shkruajnë ose telefonojnë, të jenë të duruar dhe të vetëpërmbahen, të raportojnë për nxënësit në takimet me prindër dhe jo vetëm.  


Në fakt të gjitha këto angazhime një mësues/e nuk i le pas dore, sepse është rutina e përditshme, madje këto angazhime vazhdojnë edhe pas pune. Një mësues ka edhe një dimension tjetër, atë njerëzor, që vjen pas atij të edukimit. Papritur ngrihet një mur në nënvetëdijen e njeriut, që nuk e le të depërtojë më thellë dhe të kuptojë se çfarë ka pas atij muri. Një mur që ndërtohet pa e kuptuar. Mjafton vetëm një tullë të shkëpusësh dhe do shohësh botën përtej këtij muri, botën e dimensionit njerëzor të mësuesit. 


Një mësues është një njeri i zakonshëm, që përpiqet shumë të përmbushë të gjitha misionet e tij si në familje ashtu edhe në shkollë. Dhe të më besoni nuk është aspak e lehtë. Një mësuese është edhe nënë dhe bashkëshorte, ose një mësues është edhe baba edhe bashkëshort. Misioni më i vështirë për t’u përmbushur është familja, sepse ndërthurren disa dimensione për këtë mësues. Familja ka shumë angazhime, që nga fëmijët, shtëpia, gatimet, mirëmbajtja, etj, etj. Ndodh që edhe vetë mësuesi të sëmuret dhe sakrifikon, duke mos e lënë pas detyrën e tij, por duke qenë i pranishëm në shkollë. Dita e një mësuesi mund të mos jetë gjithmonë me diell. 


Ka edhe ditë gri. Puna e një mësuesi nuk mbaron, kur bie zilja e orës së fundit që lajmëron mbarimin e një dite tjetër. Mëngjesi fillon me një ritëm marramendës duke përgatitur gjithçka për vete dhe familjen. Përpara se të dalë shihet shpejt e shpejt në pasqyrë dhe kujdeset, që të duket mirë në përshtatje me profesionin. Një mësues i jep rëndësi pamjes në tërësi, në mënyrë që, të jetë sa më i rregullt në sytë e nxënësve. Mësuesi çdo ditë ndodhet si përpara një jurie, në fakt jo një, por disa juri, nxënësit në klasë dhe prindërit e tyre në shtëpi dhe klasat ku jep mësim gjatë ditës dhe javës. 


Prandaj dhe performaca e tij duhet të komunikojë profesionalizëm.


Por ky mësues, sapo hedh hapin dhe gjendet brenda oborrit të shkollës, le pas çdo shqetësim dhe buzëqesh, duke i uruar mirëseardhjen nxënësve. Vazhdon ecën përpara duke kryer rutinën e përditshme, përshëndet kolegët, vesh përparësen e bardhë, merr regjistrin dhe hyn në klasën që ka mësim. Gjithçka fokusohet në mësimdhënie, larg të qenit njeri i zakonshëm.  Kjo rutinë përsëritet nga klasa në klasë, kur plotëson regjistrin, zhvillon mësimin, shkruan në tabelë, korrigjon detyrat e klasës, mbledh detyrat e shtëpisë për t’i korrigjuar më vonë, ose edhe testet, që shpesh përfundojnë në çantë për t’u korrigjuar në shtëpi, sepse koha shpesh nuk është në favorin e mësuesit. 


Ndodh shpesh që çantën e ka të tejmbushur me teste dhe detyra dhe përsëri ecën duke përpiluar me mendje një plan pune, se si do t’ia dalë që t’i korrigjojë në kohë, ndërkohë që nga stacioni në stacion, dëgjon komente pafund për punën e mësuesit dhe menjëherë mendja i shkon te çanta plot e përplot dhe ndjen keqardhje për veten se sa pak e vlerësuar është puna që bën në ditët tona. 




Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,605 Lexime
8 muaj më parë