INTERVISTË

Yllka Himçi, drejtoresha e çerdhes që të gjithë e duan, e që më shumë fëmijët do!


Nga kush mund të varet suksesi i një institucioni arsimor e më konkretisht i një çerdheje? Për këtë na rrëfen Yllka Himçi, drejtoresha e çerdhes Nr.2 në Elbasan. Ndër të tjera ajo gëzon respektin e prindërve për dashurinë ndaj fëmijëve të tyre.

Për prindërit dërgimi i fëmijëve në çerdhe, ndoshta që pa mbushur 1 vjeç, është gjëja më e vështirë për ta, përderisa mund të jenë të detyruar t’i kthehen punës apo karrierës. Por nga ana tjetër edhe për drejtuesit dhe edukatorët është një përgjegjësi e madhe mbajtja e të vegjëlve për t’i mundësuar mirëqenien dhe zhvillimin, patjetër dhe edukimin. Përgjithësisht jemi skeptik kur vjen fjala për më të mirën e mundshme që mund t’u ofrohet fëmijëve tanë. Por nuk ndodh kështu me prindërit të cilët kanë vendosur t’i çojnë fëmijët e tyre në çerdhen Nr.2 të qytetit të Elbasanit. Shumica e tyre janë të kënaqur me shërbimin e ofruar. Ky patjetër që mund të quhet sukses për atë institucion. Nisur nga kjo ne kemi zhvilluar një intervistë me drejtoreshën e kësaj çerdheje. Yllka Himçi na ka rrëfyer se, përpos dashurisë që ajo ka pasur gjithmonë për të vegjlit, sukses përbënë edhe ambienti i mirëorganizuar dhe i këndshëm si dhe edukatoret e kualifikuara që ndjekin një program i cili i bën fëmijët të ndjehen si në shtëpitë e tyre. Për më tepër lexoni intervistën e mëposhtme! 



Zj.Himçi sa vite keni që jeni pjesë e arsimit në Shqipëri, si edukatore dhe drejtuese çerdheje?  


Përshëndetje dhe ju falënderoj për intervistën. Unë kam filluar punë fillimisht si edukatore kopshti në vitin 2006. Pas 2 vitesh punë si edukatore u ngrita në detyrë si drejtuese e çerdhes Nr.2 e cila sapo filloi punën në vitin 2008. Prej vitit 2008 e deri sot unë jam drejtuesja e kësaj çerdheje.   



Në Elbasan janë të shumtë prindërit të cilët janë të kënaqur nga shërbimi që ofrohet në çerdhen Nr.2 të këtij qyteti. Mund të thuhet se është çerdhja më e preferuar dhe e rekomanduar. Çfarë mendoni se ju ka bërë të suksesshëm?


Unë mendoj se suksesi i vazhdueshëm e në rritje i çerdhes që unë drejtoj qëndron në faktin e krijimit të një ambienti të mirëorganizuar dhe të këndshëm që mundëson mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve. Jam gjithashtu krenare që punoj në një çerdhe me edukatore të kualifikuara dhe me një program i cili i bën fëmijët të ndjehen si në shtëpitë e tyre. Patjetër që rol në këtë ka edhe Bashkia e Elbasanit dhe Qendra Ekonomike për mbështetjen e tyre.   



Mbi cilat parime mbështeteni për të drejtuar një çerdhe? 


Parimi themelor është se, fëmijët vijnë të parët dhe ata janë më të rëndësishmit. Është gjithashtu po aq e rëndësishme që edukatoret dhe prindërit të punojnë si një të vetëm për zhvillimin e fëmijës që nevojat e fëmijëve të jenë përmbushur si ushqimi i përshtatshëm, gjumi, mjekimet sipas kërkesës së prindit, po ashtu dhe nga ana sociale dhe intelektuale. Një parim tjetër shumë i rëndësishëm është edhe drejtësia e barazia dhe përfshirja e të gjithë fëmijëve në të njëjtën masë. Gjithashtu mundohem të sjell sa më shumë inovacion për krijimin e një ambienti të sigurt dhe stimulues që promovon mësime nëpërmjet lojërave në grup.

Cerdhja Nr.2, Elbasan 

Cilat janë cilësitë e një drejtuesi të mirë? 


Cilësitë e një drejtuesi të mirë janë shumë. Dhe unë do përmend vetëm disa cilësi kyçe që janë shumë të rëndësishme. Një prej tyre është vizioni për të ardhmen. Unë dhe stafi im kemi punuar në mënyrë të palodhshme që të arrinim vizionin tim për të ardhmen e këtij institucioni, për të qenë çerdhja më e mirë në qytetin e Elbasanit. Integriteti është themelor në këtë lloj pozicioni, pasi ndihmon në krijimin e besimit midis prindërve dhe çerdhes. Një tjetër cilësi shumë e rëndësishme është fokusi tek cilësia e shërbimit të stafit dhe efektiviteti i këtij shërbimi, por pa harruar të jem gjithmonë shumë suportuese e stafit tim në çdo aspekt, në këtë mënyrë kam mbështetjen e tyre, por bëj të mundur edhe t’i motivoj për të bërë më mirë detyrat e tyre. Komunikimi i mirë dhe aftësia për vendimmarrje janë të rëndësishme po aq sa një lider duhet të zotërojë patjetër në karakterin e tij cilësi si ndershmëria, pasioni për punën dhe angazhimi i plotë në atë që kërkon pozicioni.



Si duhet të sillen edukatoret me fëmijët? Çfarë përgjegjësish kanë edukatoret tuaja?


Është e rëndësishme që prindërit e fëmijëve t’i trajtojnë edukatorët si partnerë të denjë që po ndihmojnë në zhvillimin dhe mirëqenien e të vegjëlve, si dhe edukimin e tyre, por gjithashtu ta konsiderojnë çerdhen përgjegjësinë e të gjithëve. Bashkëpunimi midis faktorëve edukativ është faktor kyç. Secili moment që edukatoret dhe fëmijët ndërveprojnë me njëri-tjetrin është mundësi që të zhvillojë marrëdhënie pozitive. Për edukatoret është e rëndësishme të përdorin strategji të duhura dhe të zhvilluara të cilat kanë parasysh nevojat e fëmijëve, interesat dhe aftësitë e tyre. Një nga pergjegjësitë themelore të edukatoreve, jo vetëm në çerdhen që drejtoj unë, por besoj kudo, është çdo ditë kujdesi edukativ, psiko-social, koordinim të kujdesit shëndetësor. Edukatoret sigurohen që çdo ditë çdo fëmijë ka përmbushur nevojat themelore të ushqyerjes, veshmbathjes sipas kohës së gjumit apo të lojërave, marrjes se mjekimeve, nëse është e nevojshme. Por, megjithëse fëmijët janë të një grupmoshe relativisht të vogël, edukatoret përfshihen çdo ditë në zhvillimin e gjithanshëm të personalitetit të fëmijës, nëpërmjet lojërave dhe të mësuarit duke ndërvepruar. Çdo fëmijë është i gatshëm të mësojë që nga lindja: Stimulimet dhe intervenimet e hershme janë shumë të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme dhe efekti i tyre reflektohet fuqishëm në periudhat e mëvonshme të zhvillimit. Të gjithë fëmijët kanë potencial të arrijnë pjesën më të madhe të standardeve për një moshë të caktuar, sigurisht me stimulim, nxitje, mbështetje dhe udhëzime përkatëse. Këtu mund të them se detyra e edukatoreve është shumë e rëndësishme sidomos për shkak të kohës që kalojnë çdo ditë me fëmijët.



Si është marrëdhënia juaj me fëmijët, edhe pse jeni drejtuese besojmë ka raste që jeni në kontakt me të vegjlit? Po me prindërit? 


Megjithëse unë jam drejtuese e institucionit kjo nuk do të thotë që të mos kem marrëdhënie me fëmijet apo me prindërit, përkundrazi, bashkëpunimi dhe njohja nga afër e bën më të lehtë për mua dhe stafin që t’i vijmë pranë nevojave të të gjithëve, ndonjëherë dhe nevojave speciale të disa fëmijëve. Mua më pëlqen të punoj ngushtë me prindërit dhe edukatoret për të dhënë më të mirën.



Çdo prind ndjen frikë, duke menduar se fëmija i tij ndonjëherë mund të bjerë preh e ndonjë abuzimi dhune. Në fakt kanë qenë të shumta rastet e tilla të transmetuara në media. Cili është apeli juaj për këtë rast?


Fatkeqësisht është ashtu si thoni ju. Rastet e shkeljeve dhe abuzimit me fëmijët kanë qenë të shumta dhe te pafalshme. Unë shpresoj dhe uroj që këto raste të shërbejnë si një mësim për çdo edukatore përgjegjëse për fëmijët. Unë bëj apel që çdo edukatore të kujtojë fillimisht pozicionin që ka dhe të japë një shembull më të mirë duke mos humbur besimin e prindërve, por edhe për të rritur fëmijë të shëndetshëm, pasi këto ndodhi janë traumatike për ta dhe zhvillimin e tyre.



Të kthehemi pak pas në vite, pse zgjodhe një profesion të tillë? Ishte zgjedhje e momentit apo e mirëmenduar?


Ka qenë totalisht zgjedhja ime që unë të punoja me fëmijët, gjithmonë e kam pasur pasion edukimin dhe mësimin e tyre. Nuk e kisha menduar se do të isha e përfshirë në zhvillimin e tyre duke filluar që nga kjo moshë e hershme, por që në momentin që fillova të punoj me fëmijë të vegjël isha shumë e lumtur. Pra kam zgjedhur rrugën që dëshiroja gjithmonë dhe e kisha me pasion. Me eksperiencën e gjithë këtyre viteve, duke drejtuar një institucion kushtuar fëmijëve, më bën të ndjehem e realizuar dhe më e apasionuar për të gjitha sfidat e të ardhmes në këtë fushë.



Sa e lehtë apo e vështirë është për një grua në vendin tonë që të drejtojë një institucion arsimor/ edukativ ndërkohë që duhet të jetë edhe një bashkëshorte, zonjë shtëpie dhe nënë? 


Të qenurit nënë dhe bashkëshorte ka sfidat e veta dhe kërkon shumë kohë dhe përkushtim. Të njëjtën masë përkushtimi kërkon edhe puna ime. Unë gjithmonë mundohem të balancoj kohën midis punës edhe familjes. Në momentin që jam në punë i përkushtohem asaj për të dhënë 100% nga vetja. Kur jam me familjen time bëj të njëjtën gjë. Si familja edhe puna janë shumë të rëndësishme për mua. Por mund të them me bindje se fakti i të qenurit nënë vetë më ka mësuar shumë dhe më ka bërë të jem edhe më e përkushtuar ndaj punës e fëmijëve, duke qene se e di shumë mirë rëndësinë e secilit prej tyre për prindërit e vet.



Keni një mesazh tuajin sa i takon bërjes së punëve “jashtë pragut të shtëpisë”, pra për kontributin që mund të jap çdokush në shoqëri dhe jo vetëm brenda familjes? 


Unë mendoj se çdo femër nuk duhet të kufizohet vetëm në të qenurit nënë dhe bashkëshorte. Ne jemi më shumë se aq dhe kemi shumë potencial. Çdo kontribut sado i vogël sjell progres të shoqërisë dhe komunitetit ku jetojmë, por tregon dhe sa të rëndësishme janë femrat dhe puna e tyre në familje dhe sidomos jashtë saj.




(Intervistoi Nanila Allkja Biçaku; Portali Shkollor) 

2,117 Lexime
2 muaj më parë