FAMILJA

Edukimi seksual, si mund të krijojnë prindërit komunikim me fëmijët?

Nga shumë studime, edhe profesionistë këshillohet që bisedat mbi marrëdhëniet dhe edukimin seksual të zhvillohen që herët, që përpara se fëmija të hyjë në periudhën e adoleshencës dhe të pubertetit.

Komunikimi është aseti më i rëndësishëm në çdo marrëdhënie. Patjetër, që edhe raporti prind – fëmijë nuk përjashtohet nga kjo. Madje është baza e piramidës së një të rrituri të suksesshëm. Familja është vendi i parë ku një fëmijë mëson mbi dashurinë, marrëdhënie me të tjerët si edhe vlerësimin për veten. Fëmijët i përthithin mesazhet jo vetëm nëpërmjet asaj që dëgjojnë, por edhe prej asaj që shohin. 

Nga shumë studime, edhe profesionistë këshillohet që bisedat mbi marrëdhëniet, dhe edukimin seksual të zhvillohen që herët, që përpara se fëmija të hyjë në periudhën e adoleshencës dhe të pubertetit. 

Shpesh, prindërit, argumentojnë që fëmijët kanë lëndën e edukimit seksual në shkolla, për të evituar kështu bisedën, që të gjithë e dimë është mjaft e parehatshme për t’u filluar. Por, ashtu siç nuk mjaftohemi me lëndën e edukatës qytetare për të edukuar fëmijët  mbi sjelljen, e njëjta gjë duhet të ndodhi edhe me edukatën seksuale. 


Edukimi seksual nis që nga seksualiteti i fëmijës, në mënyrë që të kuptojë kush është dhe çfarë dëshirash ka, e deri tek edukimi se si mbrohesh, e si sillesh me partnerin/en. Bisedat mbi edukimin seksual duhet të mos jenë më tabu. Për t’ia lehtësuar vetes këtë gjë, flisni herët dhe shpesh për seksualitetin apo marrëdhënien seksuale. 


Mos i nisni të gjitha bisedat me “Mos”. Fëmijët mësojnë shumë më shumë dhe shumë më shpejt me fjali pohuese se mohuese. Fuqizojini fëmijët tuaj. Mësojini të vihen në kontakt me veten, të fjalëzojnë emocionet e tyre, të kërkojnë hapësirën që kanë nevojë,  e mbi të gjitha të duan veten. 


Edukojini për të vlerësuar veten, dhe ata do të mësojnë të trajtojnë edhe të tjerët. Jepini rëndësinë që i takon kësaj bisede. 


Mos i trajtoni fëmijët si të vegjël që nuk kuptojnë, sepse në 2019-ën, me gjithë këtë informacion që ka rreth e rrotull, gjasat janë që ata të kenë lexuar më shumë seç e mendojmë. 


Por, biseda me prindin është gjithmonë e nevojshme, sepse kuptojnë edhe atë pjesë që leximet e internetit apo librave nuk ta japin, marrëdhënien emocionale dhe mundësinë për të bërë pyetje. Nëse nuk ndjeni që ju mund ti ndihmoni dhe këshilloni mjaftueshëm, kërkoni ndihmë. Ka shumë profesionistë që mund t’ju shërbejnë për t’ju ndihmuar në thyerjen e akullit mbi bisedat e rëndësishme.


Së fundmi, e sigurt është që nuk ka receta për një prindërim të suksesshëm, por ama është një ingredient që duhet të jetë prezent gjithmonë, dhe ajo është dashuria. Nëse fëmija rritet në ambient ku ndjen dashurinë, ku kupton që kur ai/ajo flet, dëgjohet, do e transmetojë këtë dhe së jashtmi. 


(MA. Anisa Zaçe, Psikologe këshillimi, Portali Shkollor) 

2,633 Lexime
4 vjet më parë