Studimi

Elmira Rama: Të ushqyerit dhe ndikimi i tij në performancën e shëndetin e nxënësve, përse dieta mesdhetare?

Nga hulumtimi rezultoi se vetëm 6 për qind e nxënësve në asnjë nga orët mësimore nuk paraqitën shqetësime apo mungesë të përqendrimit. Kjo përqindje u përket nxënësve të vlerësimit “shumë mirë” në arritjet mësimore dhe janë, pothuajse, të gjithë nxënësit që praktikojnë dietën mesdhetare.

Edukimi në shkolla për ushqyerje të shëndetshme shihet si një strategji e rëndësishme për promovimin e zakoneve të shëndetshme të të ngrënit, ndërsa një mjedis shkollor miqësor me aktivitet fizik si një faktor që ul rrezikshmërinë e mbipeshës. Mënyra e çrregullt e të ushqyerit gjatë moshës së zhvillimit mund të ketë efekte afatshkurtra dhe afatgjata në shëndetin psiko-fizik individual dhe shoqëror të fëmijëve (American Dietetic Association, 2006). Në të ushqyerit e çrregullt përfshihen konsumimi i tepruar i ushqimit dhe konsumimi i pamjaftueshëm i tij që, me kalimin e kohës, mund të shkaktojnë edhe probleme serioze të shëndetit. Dieta mesdhetare përfaqëson një nga modelet më të shëndetshme dietike, por, fatkeqësisht, dhjetëvjeçarët e fundit fëmijët dhe adoleshentët kanë dëshmuar një zhvendosje nga dieta mesdhetare në atë “perëndimore”, e cila konsiston në një konsum më të lartë të mishit, sheqernave dhe yndyrave të ngopura. Globalizimi duket se po ndikon në negligjencën e konsumit të produkteve vendore, duke çuar në ndryshime të traditës së të ushqyerit dhe në një dietë të çrregullt e aspak korrekte.


Rezultate studimi 


Hulumtimi në disa prej shkollave tona tregon se tryeza e moshës shkollore 10-15 vjeç konsiston në një konsumim të lartë të ëmbëlsirave, mishit, gjalpit, produkteve të konservuara dhe pijeve energjike. Pavarësisht se nxënësit pranojnë konsumimin e frutave, nuk dimë nëse ato janë fruta të stinës apo të ruajtura në kushte frigoriferike për një kohë përtej parametrave të duhur. Po kështu, nuk konsumohen rregullisht perime dhe bishtajore, ndërsa vaji i ullirit preferohet pak. Në dietën e nxënësve tanë, prodhimet e detit janë të rralla. 15 për qind  e të anketuarve deklarojnë se nuk e hanë rregullisht mëngjesin dhe midis atyre që hanë mëngjes, shumica konsumon zakonisht ëmbëlsira dhe gjalpë. 45 për qind e nxënësve që deklarojnë se konsumojnë tri vakte, nuk saktësojnë nëse konsiderojnë vakt edhe ushqimin në pushimin e gjatë: patatina, molto, çibuk apo çokollata. Nëpërmjet këtij hulumtimi konfirmojmë se dieta e nxënësve tanë nuk është korrekte dhe respektimi i dietës mesdhetare shumë i dobët. Ndikimin e mënyrës së gabuar e të çrregullt të të ushqyerit e vërtetojnë vetë nxënësit e anketuar, të cilët pranojnë se në klasë ndodh të ketë zhurmë dhe se nuk ndihen të përqendruar e të vëmendshëm gjatë gjithë procesit mësimor. Vlen të theksohet se vetëm 6 për qind e nxënësve në asnjë nga orët mësimore nuk paraqesin shqetësime apo mungesë të përqendrimit. Kjo përqindje u përket nxënësve të  vlerësimit “shumë mirë” në arritjet mësimore dhe janë, pothuajse, të gjithë nxënësit që praktikojnë dietën mesdhetare. 


Dieta mesdhetare

Dieta  mesdhetare është e njohur nga UNESKO si Trashëgimi Kulturore jomateriale e njerëzimit. Ajo shkon përtej një liste të thjeshtë  të ushqimeve dhe  ka të bëjë edhe me kulturën e jetës, praktikat sociale, tradicionale dhe bujqësore. Në përgjithësi, kur flasim për dietën mesdhetare, nuk nënkuptojmë vetëm një listë ushqimesh, por një mënyrë jetese që kontribuon në mirëqenien psikofizike. Dieta mesdhetare bazohet në një konsumim të karbohidrateve me indeks të ulët glicemik (drithërat integrale), yndyra të pangopura (frutat e  thata, peshku, vaji i ullirit etj.), fruta dhe perime të stinës, si dhe në një konsum të ulët të mishit dhe t`produkteve të qumështit. Karakterizohet gjithashtu nga një konsum i kufizuar i sheqerit dhe përfshin konsumimin e produkteve lokale dhe të stinës. Disa studime kanë identifikuar rëndësinë e promovimit të kësaj diete në fazat e hershme të jetës për të inkurajuar zhvillim normal, fizik dhe akademik te fëmijët dhe të rinjtë.          



Burimi: https://ijbls.ielas.org/index.php/ijbls/article/view/6/6



Përgatiti Elmira Rama, punonjëse e sistemit arsimor (specialiste ne sektorin e inspektimit Fier)


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

900 Lexime
8 muaj më parë