
Emanuela Dervishi: Fëmijët tanë në amullinë e harresës kanë gjithnjë nevojë për ne, ndonëse janë me apo pa “pushime”
Në verë, shumë fëmijë përballen me dhunë, frikë e vetmi, larg syrit të profesionistëve e strukturave mbështetëse. Emanuela Dervishi na kujton se pushimet nuk janë çlodhje për të gjithë. Kujdesi ynë duhet të jetë i pandërprerë, sidomos tani.
Nga Emanuela Dervishi
Punonjëse Sociale, shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” Elbasan
Vera ka ardhur. Zhurma e ziles së fundit u mbyll me fishkëllima, ngazëllime, fotografi dhe premtime për “pushime”. Por për shumë fëmijë, pushimi nuk do të thotë paqe. Për disa vajza, vera është një rikthim në shtëpi të ftohta emocionalisht. Për disa djem, është një kohë izolimi, bullizmi virtual, ose punë fizike për të ndihmuar familjen që mezi ia del.
Për shumë prej tyre, vera nuk është çlodhje, por vazhdim i dhimbjes, vetëm me një formë tjetër. Në këto ditë korriku, kur temperaturat arrijnë kulmin, ndjejmë se po avullojnë jo vetëm rrugët, por edhe vëmendja jonë. Tashmë që nuk ka shkollë, nuk ka më mësues të vëmendshëm,nuk ka më zyra psikologësh në shkolla, nuk ka më punonjës sociale që ndjekin çdo ditë sjelljet e nxënësve, çfarë ndodh me ata që ishin viktima të bullizmit? Me ata që shfaqën shenja dhune? Me ata që kishin frikë?
Amullia si terren i heshtur i dhunës
Ka një heshtje të frikshme që vjen me verën. Jo vetëm për shkak të vapës, por sepse problemet zhduken nga fjalori institucional. Por nuk zhduken nga realiteti. Fëmijët vazhdojnë të jetojnë në shtëpi ku dhuna nuk pushon kurrë. Disa adoleshente kanë frikë të jenë vetëm në shtëpi me një prind që i ka prekur pa leje. Disa të tjera janë ende nën “shënjestrën” e rrjeteve sociale, që vazhdojnë të qarkullojnë video të turpshme apo ofendime online. Bullizmi nuk ka pushim veror. Trauma nuk njeh orare. Plagët e shpirtit nuk shërohen me pushime.
Mungesa e strukturës: Armiku i padukshëm i fëmijës së plagosur
Shkolla, sado me mangësi, është një strukturë. Është vendi ku fëmija ka një ritëm, një mbështetje minimale, një sy që sheh, qoftë ai i mësuesit apo i ndonjë profesionisti të kujdesshëm. Por në verë, fëmija mbetet vetëm me botën e vet. Dhe kur ajo botë është e errët, e ndërtuar me ndëshkime, frikë, ose vetmi, mungesa e strukturës e lë atë në mëshirën e shpërthimeve të veta ose të të tjerëve.
Shoqëria që sheh me indiferencë
Kur një fëmijë endet rrugëve, apo qëndron gjithë ditën në ekran, ne themi: “Janë fëmijë, janë me pushime.” Por çfarë ndodh kur ai fëmijë është duke përjetuar ankth? Kur ka një histori dhune? Kur ai ekran është i vetmi shok dhe njëkohësisht agresori i tij më i madh? Pse nuk e shohim? Sepse nuk kemi kohë? Apo sepse kemi mësuar të mos shqetësohemi meqë jemi me “pushime”.
Kjo është koha kur më së shumti duhen profesionistët, pasi problemet nuk janë me “pushime”.
Në verë, shkollat mbyllen, profesionistët nuk janë më në kontakt me fëmijët, dhe prindërit shpesh janë të zënë me punë ose me stresin e mbijetesës. Dhe kështu, fëmija mbetet me dhimbjet e veta dhe me një shoqëri që i thotë: “Shijo verën!”.
Por si ta shijojë dikush verën kur netët i kalon në frikë? Kur mëngjeset nisin me ankth? Kur e vetmja marrëdhënie që njeh është ajo me telefonin që nuk pushon së treguari “sa i pavlerë je”? Kjo amulli nuk është thjesht pasivitet,është dhunë e re. Heshtja është dhunë. Mospërfshirja është dhunë. Dhe në këtë verë, shumë fëmijë po e ndjejnë mbi supe këtë lloj dhune.
Ne jemi mësuar të reagojmë vetëm kur ndodh tragjedia, kur mediat bërtasin, kur ndonjë histori bëhet virale. Por tragjeditë nuk ndodhin papritur, ato rriten në verë, në heshtje, në mungesë të syve që duhej të shikonin.
Çfarë mund të bëjmë tani, si njerëz, jo vetëm si profesionistë?
Një telefonatë për një nxënës që kemi parë të tërhequr. Një bisedë e ngrohtë me fëmijët tanë për atë që ndjejnë. Një grup veror në komunitet për t’i mbledhur vajzat dhe djemtë, për t’i dëgjuar. Një pyetje e thjeshtë që shpesh mungon: “Si je me të vërtetë?”. Fëmijët kanë gjithnjë nevojë për ne,ndonëse janë me apo pa “pushime”.
Amullia nuk është pushim. Është shpesh terren i frikshëm për fëmijët që kanë përjetuar dhunë, përçmim, bullizëm. Nëse nuk e mbajmë gjallë vëmendjen dhe kujdesin, kjo verë mund të jetë edhe më e dhimbshme se viti shkollor.
Në këtë vapë që djeg gjithçka, të mos lejojmë që të digjet edhe fëmijëria. Të jemi syri që sheh, veshi që dëgjon dhe dora që mbështet, jo vetëm gjatë vitit shkollor, por edhe tani, kur shpesh ata kanë më shumë nevojë për ne.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Emanuela Dervishi: Kur empatia nuk është luks emocional, por oksigjen për çdo marrëdhënie