
Emanuela Dervishi: Kur empatia nuk është luks emocional, por oksigjen për çdo marrëdhënie
Ky shkrim prekës i Emanuela Dervishit na kujton se empatia nuk është luks, por nevojë themelore për çdo marrëdhënie , veçanërisht mes adoleshentëve, prindërve dhe mësuesve. Një thirrje për të dëgjuar më shumë, për të kuptuar më thellë, për të ndjerë më njerëzisht.
Shkruar nga: Emanuela Dervishi
Punonjëse sociale shkollore; shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku”, Elbasan
Si e përjetojnë atë adoleshentët, mësuesit dhe prindërit, dhe çfarë mësova unë si punonjëse sociale.
Ka disa fjali që të qëndrojnë gjatë në zemër. Një prej tyre ishte kjo:
“Më duket sikur askush nuk më kupton.”
Ishte një nxënëse që e tha me një zë të ulët, plot frikë dhe trishtim. Dhe në atë moment, kuptova që empatia nuk është thjesht një fjalë e bukur për posterat e motivimit në shkollë – është një domosdoshmëri e thellë njerëzore, sidomos në kohët që jetojmë.
Në punën time si punonjëse sociale në shkollë, jam çdo ditë në vijën e parë mes tri “botëve” që shpesh përplasen: adoleshentët, prindërit dhe mësuesit. Të treja kërkojnë të dëgjohen, të kuptohen, të ndihen. Por shpesh, ndodhin keqkuptime – jo sepse mungon dëshira, por sepse mungon të qëndruarit për të kuptuar, ajo hapësira për të parë tjetrin me sytë e ndjeshmërisë.
Çfarë më treguan adoleshentët?
Ata nuk kërkojnë gjithmonë zgjidhje. Kërkojnë dikë që t’i dëgjojë vërtet, që i sheh përtej notës, përtej sjelljes. Kur një mësues/e pyet:
“Si je sot?”,është pikërisht ky çelës magjik nëpërmjet të cilit hapet një derë,kalimi i së cilës mund të të shpëtojë nga një ditë të keqe.
Po mësuesit?
Kjo është pyetja tek e cila nuk ndalemi mjaftueshëm.
Pas çdo ore mësimi, pas çdo komenti në ditar, pas çdo vërejtje apo përqafim të ngrohtë, qëndrojnë mësues të lodhur, por të përkushtuar, shpesh të lënë në hije, por gjithmonë në terren.
Janë heronjtë e heshtur të klasave, që përballen çdo ditë me ankthin, ndryshimet e humorit dhe trazirat e adoleshencës. Dhe megjithatë, ata qëndrojnë. Nuk dorëzohen. Marrin frymë thellë dhe hyjnë në klasë, për të dhënë shumë më tepër se mësim: japin prani, siguri dhe dashuri të qëndrueshme.
- Një mësuese më tha njëherë:
“S’mund të ndryshoj gjithë botën e tyre, por mund të jem një vend i sigurt për ta për 45 minuta.”
Dhe ky është heroizëm i heshtur.
Po prindërit?
Shumica janë plot dashuri, por shpesh ndihen të humbur në gjuhën e ndërlikuar të adoleshencës moderne.
“Nuk e kuptoj më fëmijën tim,” më thonë me një lloj trishtimi që nuk e fshehin dot.
Dhe unë i dëgjoj. U flas. U jap kohë. Sepse edhe prindërit kanë nevojë për empati – për të mësuar si të rikrijojnë lidhjen me fëmijët, pa fajësim, pa panik, pa frikë.
Çfarë mësova unë?
Që empatia nuk është luks emocional – është oksigjen për çdo marrëdhënie. Në klasë, në shtëpi, në zyrë. Është ajo që na bën të ndalojmë dhe të themi:
“Unë jam këtu. Po të dëgjoj. Pa të gjykuar.”
Kam parë se si një shikim nga një mësues/e mund të ndryshojë një sjellje. Si një përqafim i thjeshtë pas një shpërthimi emocional, mund të mbajë një fëmijë të mos shembet. Si një bashkëbisedim i sinqertë me një prind mund të rikthejë besimin te fëmija i tij.
Çfarë mund të bëjmë ndryshe?
- Të krijojmë më shumë hapësira për ndjeshmëri në shkollë. Ora të veçanta reflektimi, dëgjimi, jo vetëm mësimi teorik.
- Të fuqizojmë mësuesit. Jo thjesht si transmetues dijesh, por si udhëheqës emocionalë – ata që, edhe në mes të kaosit, mbeten të palëkundur.
- Të diskutojmë me prindërit jo vetëm për nota, por për emocione. T’i ftojmë në shkollë jo vetëm kur ka probleme, por edhe për të ndarë mënyra të reja të komunikimit.
Në fund të ditës...
Nuk mbajmë mend gjithmonë mësimet që kemi mësuar. Por mbajmë mend si na kanë bërë të ndihemi ata që na kanë dhënë ato mësime.
Empatia është dhuratë. Dhe herë pas here, ajo vjen nga mësues të përkushtuar, prindër që përpiqen, dhe adoleshentë që kanë shumë për të thënë, nëse ne dimë të dëgjojmë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Si bëhet përshkrimi i nxënësve në fund të vitit shkollor? Më poshtë gjeni hap pas hapi udhëzimet