EPOKA E WEB-IT

Epoka e Web-it, dje dhe sot

Jemi më me fat ne, që ishim të fundmit e gjeneratës së edukimit spartan, por që pamë edhe këtë botën tjetër, të internetit, sepse pikërisht kjo e dyta na bëri të vlerësojmë atë të parën...

Fëmijët tanë kanë lindur në epokën e web-it. Për më tepër jo vetëm që janë digjitalë nativë, porjanë edhe "internet-nativë". (Sa tingëllon argëtuese kjo)


Çdo brez është i ndryshëm  nga ai mëparshmi, por ka edhe raste kur historia bën ca kapërcime gjigande, raste në të cilat krijohet një humnerë e thellë midis prindërve e fëmijëve, si p.sh. para apo pas revolucioneve industriale. Kjo më bën të mendoj se mbase tani jemi në mes apo në nisje (koha do ta vërtetojë) të një revolucioni digjital. 


A e keni menduar ndonjëherë? Jemi prindër të një brezi hipernet. Mund të tingëllojë e thjeshtë nëse nuk mendojmë për të ardhmen, por këtu dua të ndalem.    


Nëse jeni duke lexuar këtë postim dhe keni lindur para 1985-ës, atëherë i keni mbi 30 vite mbi supe. Le të provojmë të mendojmë kohën kur të jeni të moshuar. Në të vërtetë askush nga ju nuk e vret mendjen. Hipernet jeni edhe ju vetë, gjithmonë të gatshëm të postoni foto e vidio argëtuese ose thjeshtë informuese në fb, insta dhe tani edhe në snep, apo edhe të fjaloseni në whtp për të rejat e fundit,  e ku di unë...Ama një ditë ju do të jeni brezi i fundit që do të mbajë mend botën pa web.  


Bota në të cilën konsultoheshin fjalorët dhe enciklopeditë dhe as që perceptoheshin Google translate apo Wikipedia. Bota në të cilën, për të gjetur përgjigjen e një pyetjeje, të duhej të zhyteshe për orë të tëra nëpër libra voluminozë, ku gazetat ishin prej letre e nëse dëshiroje të shihje një film, mjaftoheshe me atë që kishte televizori. Bota në të cilën muzika ishte në radio apo kaseta magnetofoni dhe kur në walkman (sapo kishin dalë aso kohe), duhej të shkojë para apo pas për të dëgjuar këngën që dëshiroje. 


Në atë botë nuk mund të lexoje dot në errësirë sepse libri yt nuk ishtë i ndriçuar si kindli apo tableti, ndaj dhe mënyrat e kohët e të lexuarit ishin ndryshe. Një botë në të cilën "të jesh social" do të thoshte të ishe i dashur për të tjerët, të ishe aty për ta fizikisht dhe jo virtualisht. 


Brezi i 30 vjeçarëve të sotëm, ashtu si ai i 40+ (të cilëve i përkas edhe unë) një ditë do të jenë të fundit që do të kujtojnë një eksperiencë jete pa dhe  me internet.  Më së fundmi referuar vetes, në vitin 1997 unë kam kërkuar ndihmë nga një specialist për të shkruar temën time të studimeve pasuniversitare dhe për më tepër, nuk kisha asnjë adresë elektronike. 


I përkas fëmijërisë së televizorit bardhë e zi, pa telekomandë. Madje, për të parë fshehurazi një film tek Rai Uno, më është dashur të mbaj dorën pranë telit të veshur me të atëkohëquajturën "letër-llamarinë", duke qenë kështu një antenë njerëzore. Kam bërë shkollë fillore në epokën e mësuesit pedant, ku mësova të mbërthej kopsat dhe të lidh këpucët. Si shumica e atyre që më lexojnë, kam qenë e induktuar nga sindromi i "vajzës së mirë" dhe kam qenë në fakt një vajzë për së mbari në një botë e gjitha analogjike, ndërsa tani kam një jetë -dhe dy fëmijë- shumë high-tech. Nëse e gjeni veten, qoftë edhe fare pak, në këtë përshkrim që sapo lexuat, do të thotë që jeni në pozitën e kënaqëshme të vlerësimit pro dhe kundër të të dy botëve: asaj stilografike dhe asaj WhatsApp.

Nuk di ju, po unë të dyja botët i kam shijuar dhe me këtë dua të them se ky shkrim nuk është apologji për kohërat e bukura të mbetura pas. Librat vazhdoj t'i pëlqej në letër dhe çmoj shumë atë lloj përqëndrimi që lind nga nevoja për shkak të sasisë së paktë të alternativave që ke në dispozicion. E thënë me fjalë të tjera, ishte ishte shumë më e lehtë të lexoje Prustin në kohën kur s'kishte internet. Nga ana tjetër gjithë mundësitë që më ofron teknologjia më shkojnë shumë për shtat, sepse më japing mundësinë të bëj çka mua më pëlqen, por në mënyrë më evolutive.  


Në web gjej gjithçka për të cilën kam nevojë e për më tepër më jep mundësinë që ja, nëpërmjet edhe këtij shkrimi të komunikoj me njerëz të njohur e të panjohur, në kohë reale, madje edhe mijëra kilometra larg. Kam në xhep, si të gjithë, një miniobjekt me të cilin mund të telefonoj, të dëgjoj muzikë, të mbaj një leksion, të shkruaj, shkurt në xhep mbaj zyrën time. Mund të ndjek një kurs on-line, siç mund edhe të qesh duke parë vidio humori të ndryshme. E pra, e dua kaq shumë këtë epokë sepse dua Internetin.  Por gjithsesi, pohoj se na ka shkuar më për së mbari ne, sesa fëmijëve tanë që kanë lindur në web. 


Jemi më me fat ne, ne që ishim të fundmit e gjeneratë së edukimit spartan, por që pamë edhe këtë botën tjetër, sepse pikërisht kjo e dyta na bëri të vlerësojmë atë të parën, por edhe të shohim limitet e mundshme, shkurt të ruajmë dhe bëjmë aktiv shpirtin kritik. Fëmijët tanë kanë dizavantazh të madh ngaqë u duhet të gjejnë dhe zhvilloljnë vetveten duke u përpjekur të çintoksikohen nga varësia web. Dhe kjo, është padiskutim e vështirë: është çështje përqëndrimi në një univers që ndryshon me sekonda.   Madje ekspansioni teknologjik në të cilin jetojnë fëmijët tanë, është problemi më i madh që na shfaqet ne si prindër të dy epokave. 


(Natasha Poroçani për Portalin Shkollor)

2,324 Lexime
5 vjet më parë