Epopeja Loris Qose, gjeniu i matematikës nga Cërriku që po befason botën
Nga Cërriku në arenën botërore të matematikës. Historia frymëzuese e Loris Qoses dëshmon se talenti, puna dhe një mësuese e përkushtuar mund të sfidojnë çdo kufi. Një rrëfim për suksesin, arsimin dhe fuqinë e ëndrrave që bëhen realitet nga Evans Drishti.
Nga Evans Drishti
Ideja s’është thjesht dhe vetëm të valëvitësh flamurin kombëtar në botën e jashtme, por të ulesh në një tryezë me kokat ndërkombëtare për të ndërtuar strategjitë e një bote mjaft të lumtur që të përket ty dhe njerëzve të urtë e të mençur.
International STEM Olympiad është një garë ndërkombëtare dixhitale dhe fizike për nxënësit e klasave 1-12. Ajo fokusohet në integrimin e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, duke përdorur pyetje të bazuara në skenarë nga jeta reale.
Qëllimi kryesor i kësaj olimpiade është të zhvillojë aftësitë e të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve. Përveç kësaj, ajo ofron platforma interaktive trajnimi për nxënësit që janë të pasionuar pas shkencave
Konkurimi i radhës i kampionit të botës Loris Qose ishte pikërisht ky kompeticion me pjesëmarrjen e 56 shteteve nga e gjithë bota, që këtë vit u zhvillua në Itali.
Në postimin e tij në rrjetet sociale kampioni i botës Lorisi shprehet ndër të tjera:
“Mirënjohje të veçantë për mësuesen time, Flutura Hoxholli, për përkushtimin, besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, si edhe për ekipin e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e ngrohtë gjatë këtij rrugëtimi. Jam krenar që me këtë arritje bëra krenar Shqipërinë, DRAP Korçë, ZVAP Cërrik, Bashkinë Cërrik dhe Shkollën 9-vjeçare “7 Marsi” Cërrik. Ky sukses është fryt i punës, këmbënguljes dhe besimit se ëndrrat realizohen kur nuk dorëzohesh.”
Një punë e jashtëzakonshme e një zonje të nderuar, e një mësueseje profesioniste, e cila padiskutim meriton të marrë çmimin e madh “Mjeshtre e madhe” të akorduar nga vetë Presidenti i Republikës, pasi shpalosi tërë profesionalizimin dhe njohuritë e saj të gjithanshme në fushën e matematikës duke besuar në prirjet gjeniale të një djaloshi shumë të ri siç është Lorisi.
Vetë mësuesja Flutura Hoxholli mbetet padiskutim modeli i një arsimtareje që jo vetëm e dashuron profesionin e saj, por reflekton dinjitetin njerëzor dhe profesional duke këmbëngulur në nxjerrjen në pah të vlerave që ruhen në natyrën e një fëmije, që sot rrezatoi si një yll ndriçues, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë globin.
Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve s’duhet të hezitojë asnjë çast duke e marrë profesoreshë Fluturën tashmë në stafin e Ministrisë si eksperte në fushën e shkencave matematikore.
Kujtojmë këtu se bota e jashtme i vlerëson tej mase të tillë profesionistë duke i bërë mentorë për mbarë vendin. Ndaj edhe mësuese Flutura Hoxholli tashmë duhet të bëhet mentore dhe orientuese profesioniste e nxënësve të mbarë Shqipërisë.
Puna individuale në përgatitjet e një olimpiade ka specifikat e veta:
Ajo kërkon:
a- Vlerat dhe dëshirat njerëzore për ta pranuar nxënësin si fëmijën tënd
b- Hulumtime profesionale të vazhdueshme në lidhje me fushën ku veprohet, në rastin konkret me matematikën për t’u thelluar më shumë në specifikat e shumta që ofron matematika si shkencë.
c- Zhvillimin e diapazonit profesional duke kuptuar mirëfilltazi aftësitë përkatëse që ka nxënësi gjeni në këtë fushë,
d- Përcaktimin e linjës kronologjike të procesit për të mundësuar një mbarëvajtje efikase të ngjitjes së shkallëve të suksesit.
e- Bashkëpunimi rigoroz duke kapërcyer nocionin kohë në kushte dhe rrethana të ndryshme.
Në kushtet dhe rrethanat e një vendi, që shfaq një prirje të tmerrshme për t’u marrë sa më shumë me situatat kritike problematike të adoleshentëve duke krijuar gjithnjë e më shumë një imazh negativ ndaj tyre, vjen pikërisht fenomeni Loris Qose, i cili prezanton përpara publikut mbarëshqiptar
a- figurën e një adoleshenti punëtor, arsimdashës, kërkues, guximtar, lexues i rregullt, i apasionuar pas shkencës së matematikës dhe jo vetëm,
b- figurën e një adoleshenti të një natyre të thjeshtë, shumë modest, të sjellshëm, të kulturuar, të kujdesshëm, me këmbë në tokë, fytyrëqeshur, inteligjent,
c- figurën e një adoleshenti që di mjaft mirë se sa peshon dhe çfarë kërkon, që sfidon kohën dhe kënaqësitë e moshës, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tjerë, për të triumfuar në arenën ndërkombëtare,
d- figurën e një nxënësi të mirëedukuar nga një familje që ka ditur të ushqejë tek fëmija i tyre vlerat njerëzore dhe përulësinë ndaj punës me dinjitet,
e- figurën e një djaloshi që triumfon në mesin e shoqërisë së vet, jo me mburrje false dhe vese të ulëta, por me ambicien e pathyeshme dhe besimin në angazhimin e palodhur për të arritur fitoren e merituar.
f- Figurën e një adoleshenti që triumfon përmbi fenomenin e bullizimit të përhapur aq shumë në shoqërinë shqiptare me në fokus adoleshentët,
g- Figurën e një nxënësi plot kreativitet, që dashuron kulturën gjithëpërfshirëse dhe dijen e sigurt.
h- Figurën e një djaloshi të ri, që diti mjaft mirë t’u bënte me dije jo vetëm shqiptarëve, por mbarë botës se s’ka rëndësi nëse vini inga një vend i vogël apo i madh, i njohur apo i panjohur, por e rëndësishme mbetet këmbëngulja dhe bindja e sigurtë, se pas çdo vështirësie vjen patjetër një lehtësim dhe se ç’të mbjellësh do të korrësh.
Shumë të rinj adoleshentë, në moshën e Lorisit mund të mendojnë me të drejtë se nxënës si Lorisi janë të rrallë dhe se jo të gjithë mund të bëhen kampionë bote, por diçka është mëse e sigurt:
Çdo adoleshent në natyrën e vet padiskutim shfaq prirje në një fushë të caktuar; dikush mund të jetë një kuzhinier shumë i mirë, një tjetër rrobaqepës shumë i zoti, një tjetër mund të shfaqë aftësi të vyera në fushën e mobilierisë, dikush tregohet i shkathët si dizanjues mjeshtëror, një tjetër mund të jetë një menaxhues marketingu apo një organizator eventesh tejet profesionist, të tjerë dalin profesionistë të fushave të shkencave natyrore apo shoqërore… E rëndësishme është të ushtrosh veten në atë fushë që dëshiron dhe të besosh në një parim të thjeshtë
“Unë vlej përtej zonës ku banoj, përtej vendit ku jetoj!”
Kjo është mundësia e artë që ofrojnë rrjetet sociale, ta servirin botën në pëllëmbë të dorës, që ti ta shfrytëzosh dhe të konkurrosh në mesin e profesionistëve.
Loris Qose tashmë e vërtetoi sërish se vendlindja e tij Cërriku dhe vetë Shqipëria vjen e vogël për një gjeni të matematikës. Me triumfet e tij të padiskutueshme ai e bën të qartë se matematika si shkencë është një univers i pakufishëm dhe se të thelluarit në këtë shkencë kërkon diapazone akoma më të gjera se ato çfarë ofron Shqipëria.
Ideja s’është thjesht dhe vetëm të valëvitësh flamurin kombëtar në botën e jashtme, por të ulesh në një tryezë me kokat ndërkombëtare për të ndërtuar strategjitë e një bote mjaft të lumtur që të përket ty dhe njerëzve të urtë e të mençur.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Kanadaja u njeh pemëve të drejta – Një mesazh i fuqishëm për respektin ndaj natyrës
Letërsia shqipe, 70% në toskërisht e 30% në gegnisht
Psikologia Sonila Jaupbashi: Matura që nuk kishte nevojë të impresiononte askënd!