Intervistë

Evans Drishti, shembulli model i mësimdhënësit i cili nuk ngel në “robërinë” e një ditari

E mëposhtmja nuk është thjesht një intervistë me mësuesin, intelektualin dhe përkthyesin Evans Drishti, por ai na sjellë modele të vërteta praktike mësimdhënjeje të cilat ndikojnë në mënyrë të vazhdueshme tek të rinjtë. Ndërkohë mesazhet që ai përcjellë janë për klasa të jashtëzakonshme!

Profili i mësuesit që do prezantojmë sot në hapësirën “Një mësues për t’u dashur”, të Portalit Shkollor Albas, është frymëzues jo vetëm për eksperiencat e studimeve dhe të mësimdhënies që ai ka si brenda dhe jashtë vendit, por edhe për mesazhet që dëshiron të japi gjithmonë teksa ushtron profesionin e tij si mësues e drejtues. Për Evans Drishtin nuk mund të quhesh i plotësuar profesionalisht në mësimdhënie vetëm duke u mjaftuar me realizimin e një ditari, regjistri apo të një evidence. Përkundrazi, sipas tij, zhvillimi i pasioneve mbetet rruga më e volitshme e tejçimit të dijeve për të qenë gjithnjë një intelektual i angazhuar. E mëposhtmja nuk është thjesht një intervistë me mësuesin, intelektualin, përkthyesin, Evans Drishti, por ai na sjellë modele të vërteta praktike të cilat ndikojnë gjithë jetën te brezat, ndërkohë mesazhet që ai përcjellë janë për klasa të jashtëzakonshme!



Evans, Ju jeni një mësues me një eksperiencë të gjatë pune; prej 19 vitesh ushtroni këtë profesion. Goxha vite këto për të na rrëfyer pak nga jeta juaj profesionale dhe për të përcjellë pse jo këshilla dhe mesazhe të vlefshme për kolegët dhe prindërit që patjetër kanë lidhje të drejtpërdrejtë në rritjen, edukimin dhe arsimimin e brezave. Së pari çfarë mund të na thoni sot për këtë rrugëtim të gjatë tuajin në shërbim të dijes?


Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për mundësinë që ofroni për këtë intervistë dhe për kohën tuaj të vyer që vini në dispozicion. 

Njeriu, në vetvete, me të kaluar procesin e bukur të fëmijërisë për të vijuar në atë të rritjes dhe pjekurisë, detyrimisht i vë disa objektiva vetes për të përcaktuar një drejtim profesional me të cilin nga njëra anë do të plotësojë formimin e tij intelektual për t’u afirmuar në strukturat shoqërore e nga ana tjetër do të kërkojë të integrohet në hapat e jetës bashkëkohore. Për nga natyra mbetem përherë kërkues i sfidave të reja për të mos ngelur i mbyllur dhe i kufizuar në aspektet e rutinshme që të kërkon profesioni, duke kërkuar përherë çeljen e dritareve që të ofrojnë një tjetër vizion, ndryshe nga i djeshmi. Kërkimi i dijes është një obligim, që në fakt s’mbaron thjesht me diplomimin nga një degë e një universiteti të caktuar. 

Më duhet të them se vajtja ime në Turqi më çeli diapazone të reja duke më mundësuar përftimin e shumë këndvështrimeve dhe botëkuptimeve të larmishme, qofshin ato profesionale apo edhe individuale dhe shoqërore. Me kthimin tim në vitin 2003 si mësimdhënës në Medresenë e Shkodrës sfida profesionale do të merrte të tjera nuanca duke më ndërgjegjësuar akoma më shumë për atë çfarë synoja dhe çfarë duhej të bëja. Asokohe gjykova të arsyeshme të vijoja edhe studimet e dyta në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe si një pasion i hershëm i imi që më mundësonte natyrshëm ta çoja veten edhe disa hapa më shumë duke zhvilluar dhe çuar më tutje jo vetëm mësimdhënien si një proces edukativo – kulturor  me të gjitha dimensionet e kërkuara, por duke më bërë të kuptoja se s’mund të ngelesha vetëm në kuadrin e një mësimdhënësi. 

Kam besuar përherë se s’mund të quhesh “i plotësuar” profesionalisht në mësimdhënie vetëm duke u mjaftuar me realizimin e një ditari apo plotësimine një regjistri apo të një evidence, përkundrazi zhvillimi i pasioneve mbetet rruga më e volitshme e tejçimit të dijeve për të qenë gjithnjë një “intelektual i angazhuar”. 

E nëse i kthehem së shkuarës, në një rrjedhë kronologjike, padyshim që shoh të realizuara shumë projekte që më kanë zhvilluar dhe integruar dita – ditës dhe kohë pas kohe si në procesin e përkthimeve të larmishme, të shkrimeve të ndryshme publicistike dhe edukative, të koordinimeve dhe pjesëmarrjeve në projekte shumë të vlerësuara kombëtare dhe ndërkombëtare. 



Të ndalemi pak te zgjedhja e hershme, të kthehemi vite pas...Pse keni zgjedhur pikërisht të jeni mësues i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë? 


Mund të them së pari se, në shumë raste profesioni vjen si një trashëgimi gjenetike familjare apo edhe farefisnore. Në rastin tim personal, mendoj nga njëra anë se ky profesion u trashëgua nga ime më dhe jo vetëm, të cilët e ushtruan mësimdhënien dhe arsimin në përgjithësi prej disa dekadash. Natyrshëm,është dhe mbetet një krenari për mua ta trashëgoj një profesion të këtillë, por këtë herë i sjellë në dimensione të ndryshme.

Nga ana tjetër Letërsia si shkencë është burimi i energjive universale,nga ku ke ç’të përftosh e ç’degëzime të çelësh në pemën e jetës tënde individuale, profesionale e shoqërore. Shoqëruar me Gjuhën shqipe ky spektër merr të tjera përmasa duke më bërë të kuptoj shpeshherë se sa “të vegjël” jemi përpara diapazonit shumëdimensional që na shpalos kjo shkencë globale. 



Po për zgjedhjen për të punuar deri më tani vetëm në Medresenë e Shkodrës çfarë mund të na thoni? Padyshim që kjo medrese përveçse është një institucion arsimor, ka dhe karakter fetar, si e shikoni këtë në edukimin e nxënësve?


Me përfundimin e shkollës asokohe 8-vjeçare “Salo Halili” në Shkodër u interesova të vijoja gjimnazin në Medresenë e Shkodrës për faktin se: sapo kish nisur rrugëtimin një institucion arsimor jopublik që të ofronte pikësëpari një arsimim të nivelit tejet të lartë, pasi të gjithë mësimdhënësit ishin më të përzgjedhurit nga të gjitha institucionet arsimore të Shkodrës si të sistemit parauniversitar ashtu edhe të atij akademik, e për rrjedhojë kishim fatin e madh të merrnim mësim nga figurat më të dëgjuara të kohës në fushën e arsimit. Kjo natyrshëm përbënte edhe një privilegj. 

Nga ana tjetër Medreseja ofronte edhe aspektin fetar nëpërmjet disa lëndëve specifike të edukatës dhe kulturës fetare. Duke qenë i rritur edhe në gjirin e gjysheve (të ndjera) dhe si një amanet i tyre gjykova të arsyeshme të vijoja këtë udhë, e cila do të më çelte më pas edhe rrugëtimin tim akademik për t’iu rikthyer tashmë kësaj shkolle jo si nxënës, por si mësimdhënës. 

Stafi pedagogjik tejet i kualifikuar dhe me shumë eksperiencë, bashkëpunimet brenda kuadrit për një zhvillim profesional sa më produktiv, hapësirat e gjëra të ofruara nga mbështetja e Shoqatës “Istanbul” si donatore e këtij institucioni në zhvillimin e shumë projekteve të larmishme dhe natyrshëm një ambicie individuale në kërkim të më së mirës mund të them që ishin disa nga arsyet që më bënë të jem i pranishëm vazhdimisht në këtë institucion. 

Mendoj se karakteri fetar i një shkolle përbën një armatë tejet të fuqishme dhe të sigurtë për një edukim shpirtëror të qëndrueshëm për brezat e rinj. Të edukohesh me dy krahë, si në aspektin shkencor ashtu edhe në atë fetar përbën një domosdoshmëri të një arsimimi të mirëfilltë të brezave si dhe një siguri ideore dhe shpirtërore që i forcon akoma më shumë të rinjtë si në ndërtimin e një karakteri të hekurt ashtu edhe në formimin e një profesionalizmi të admirueshëm që jetojnë gjatë në rrjedhat e kohës. 



Po te brezat çfarë ndryshimi vëreni, pasi ju keni patur mundësinë të njiheni me shumë prej tyre qoftë si mësues qoftë si drejtues? 


Mund të them se në fillesat e mia si mësimdhënës kishte një brez vërtet tejet të fortë dhe kërkues, me ambicie të shumta, që mësonin në mënyrë të admirueshme, që fokusoheshin në çdo kohë në shpjegimet e mësuesve, që përqendroheshin në atë çfarë u kërkohej qoftë kjo në punën e pavaruar apo në grupe, qoftë në përpjekjet për dhënie të përgjigjeve sa më të sakta dhe të kuptueshme, qoftë në kërkesat e vijueshme për të marrë diçka më shumë nga ajo që ofronin librat shkollorë, qoftë në respektin që tregonin në vlerësimin e figurës së mësimdhënësit. Kjo bëhej akoma më e dukshme, veçanërisht në angazhimin e tyre në realizimin e shumë projekteve, ku shfaqnin edhe aftësitë e tyre, të cilat më pas edhe i zhvillonin më tej.

Sot, sikurse dihet, kudo në vendin tonë punohet me “brezin e teknologjisë” që natyrshëm gjithçka që u ofrohet e marrin “të gatshme”, gjë e cila krijon një “ftohje” me librin shkollor dhe jo vetëm. Prandaj, parë në këtë këndvështrim, mësimdhënia dhe mësimnxënia sa vjen e vështirësohet duke kërkuar përherë “koncentrat” që njohuritë të jenë sa më koncize. 



A mund të na sillni disa kujtime që ju keni përjetuar gjatë kësaj periudhe të gjatë si mësimdhënës?


“Të ndjekësh hapat e nxënësve përtej një procesi mësimor” besoj është çelësi i suksesit të një arsimtari, që në thelb të punës së vet s’ka thjeshtë dhe vetëm “kryerjen e një ore mësimore”, por nxjerrjen në pah të aftësive që zotëron një i ri duke ofruar alternativa të larmishme të menaxhimit të tyre. 

Personalisht ruaj përherë një komunikim mjaft të shëndetshëm me shumë nxënës me temperamente admiruese, me të cilët kam punuar për shumë kohë në kultivimin e talenteve të tyre mbështetur edhe në prirje të posaçme. 

Mund të sjell në vëmendje këtu një projekt tejet produktiv të cilin e titulluam “Në gjurmët e shtypit të shkruar”, ku nëpërmjet një bashkëpunimi me Bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës dhe Bibliotekën Universitare për disa javë me radhë me grupe të caktuara nxënësish kemi realizuar hulumtime të larmishme në gazeta dhe revista të periudhës së para viteve 90’, ku në objektivin tonë kishim njohjen e brezit të ri me plejadën e ndritur të studiuesve të asaj kohe si dhe me ngjarjet dhe fenomenet më në zë për kohën. Më pas hulumtimet e kryera u prezantuan në formën e një ekspozite unike në llojin e saj,ku brezi i ri gjeti mundësinë e “shfletimit” dhe “vëzhgimit” më nga afër të një kulture që u përkiste trashëgimisë së tyre. 

Puna me librin mbetet boshti qendror i preokupimit të një arsimtari. “Panairi i librit”është kthyer në një traditë për shkollën tonë. Në fokus këtu është prezantimi i librave të ndryshëm që disponon biblioteka dhe jo vetëm tek të gjithë nxënësit e shkollës. Në këtë rast grupe të caktuara nxënësish kryejnë lexime të rregullta të librave të larmishëm duke nxjerrë fraza apo fragmente domethënëse, të cilat u prezantohen nxënësve duke i tërhequr ata më në brendësi të konteksteve që ofrojnë. 

“Fjala dhe fjalori – thesare që na bëjnë të kuptojmë se jemi NJERËZ” ka qenë një tjetër projekt – organizim të cilin e realizuam kohët e fundit, ku synuam prezantimin e llojeve të larmishme të fjalorëve si dhe peshën që mbart “FJALA” në përdorimet e saj në fjali duke kuptuar në këtë mënyrë edhe madhështinë që na ofron gjuha jonë e begatë shqipe apo edhe gjuhët e tjera të huaja.



Nga ana tjetër sa e vështirë është të realizoni të gjitha rolet tuaja profesionale (mësues, drejtues, përkthyes etj)?


Ruaj përherë bindjen se si qenie njerëzore e kemi për detyrë të jemi gjithnjë në veprim, gjithnjë në sjellje të risive, pavarësisht kushteve dhe rrethanave. Dihet se çdonjëri prej nesh ka 24 orë në dispozicion, por secili i përdor sipas intelektit dhe mundësisë që i ofrohet. E megjithatë mjafton të shfaqësh dëshirë për një realizim të mundshëm, pastaj gjatë rrugës kupton se ku mund të qëndrosh për të qenë më i pranueshëm. Profesioni dhe pasionet mbeten përherë në shërbim të njëra – tjetrës dhe më kanë dhënë të kuptoj se çdo pasion është një kulturë“e detyrueshme” për t’u kultivuar dhe për t’u vënë në shërbim për veten dhe shoqërinë mbarë. Pastaj “e bukura” qëndron përherë rreth nesh, por ja që dikush mund ta shohë edhe si diçka “të shëmtuar” duke mos bërë asnjë veprim dhe ngelet kështu i mbyllur në kafazin e vet. 



Evans, ndër të tjera këto vitet e fundit ju sillni shkrime në Portalin Shkollor  të një karakteri reflektues e analizues, por edhe opinione mbi arsimin në vend dhe jo vetëm. Ndaj këtë pjesën tjetër të intervistës do ta fokusojmë te disa pyetje të cilat mund të shërbejnë shumë si model praktik për mësuesit në klasë, janë thelbësore në fakt... Nëse do të hynim në klasën tuaj gjatë një mësimi të jashtëzakonshëm, çfarë do të shihnim dhe do të dëgjonim? 


Për mendimin tim në fushën e arsimit mbetet e domosdoshme që arsimtari të mos jetë “i njëjtë” në orët mësimore, por sa herë që paraqitet përpara auditorit të reflektojë ngjyrime të larmishme. Dikush mund të thotë: “S’mund të bëjmë shpikje!” E saktë. Por çdo temë e trajtuar në tekste shkollore “mund” dhe “duhet” të sillet në forma tërheqëse. 

P.sh disa herë tekstet e mësimeve të reja i sjell të printuara në formate letre të mëdha dhe nxënësit befasohen kur i shohin, pasi për ta përbën jo vetëm një “risi” por edhe një lloj argëtimi. 

P.sh përdor shumë “fjalët kyçe” të një teksti, jo thjeshtë ato që gjenden në “fjalorë” dhe mundohem të krijoj në vetëdijen e çdo nxënësi “IMAZHE” të qarta dhe të kuptueshme duke ia lehtësuar punën që të kuptojë subjektin e fragmentit dhe fenomenet e shfaqura. Ka shumë rëndësi të sillen “ilustrime” dhe “portrete” që nguliten në kujtesën e brezit të ri thjeshtë dhe qartë. 

P.sh komunikoj në gjuhën dhe psikologjinë e moshës së secilit duke thyer “heshtjet” dhe “ndrojtjet” dhe duke i kthyer në “artistë” të ngjarjeve. Secili gjen veten në një “rrëfim” apo “përshkrim” apo “argumentim” sado i thjeshtë të jetë. 

P.sh krijoj patjetër “skema” të larmishme të tematikave, nëpërmjet të cilave nxënësi kthjellohet në një “LOGJIKË” dhe “ARSYETIM” të qartë. 

P.sh krijoj një lidhje të drejtpërdrejtë të temës me objektet apo gjërat më të dashura për ta, ku kjo mund të jetë një lojë, një gatim, një veshje, një dëshirë madje edhe diçka që ata e ruajnë si “të shtrenjtë”. 



Na tregoni për një strategji të menaxhimit të sjelljes që keni përdorur për të ndihmuar në angazhimin e një nxënësi ose grupi individual? 


Mendoj se ruajmë një mendim të përbashkët kur them se çdo njeri ka nevojë të respektohet dhe të vlerësohet për atë çfarë është. 

Ka shumë rëndësi “të flasësh” me të riun jo vetëm për temat mësimore, por edhe për çdo lloj angazhimi të përditshmërisë së tij. Është e domosdoshme “ndërprerja” e procesit mësimor, për të kaluar në një “proces” edukativ – kulturor duke trajtuar edhe gjërat më të “thjeshta” që natyrshëm e bëjnë atë / apo i bëjnë ata “të ndjehen mirë”. 

P.sh: Cili ishte gatimi që shijove më shumë një ditë më parë? Cila ishte videoja më domethënëse që ke parë këto ditë? Cilat lojëra të argëtojnë më shumë? Cilën veshje ke më përzemërt? Cila ngjyrë të “qetëson” më shumë? Çfarë nuk do doje apo nuk do donit të dëgjonit nga prindërit tuaj dhe pse?...  

Apo ... 

Ka shumë “peshë” organizimi i një “demonstrimi” argëtues, ku jo vetëm një grup, por i tërë auditori bëhet përfshirës. 

Të mos merakosemi se “ikën” minutat pa bërë “mësim”, pasi çdo lloj bashkëbisedimi është një proces edukativ. Mjafton edhe pesë minuta të jepni dy a tri çështje thelbësore të temës dhe do jemi të bindur se të gjithë janë më gjithëpërfshirës si asnjëherë më parë. 



Cilat janë disa nga çështjet aktuale në arsim?


Rëndesa e tematikave lëndore; “Ftohja” e të rinjve me “leximin” e materialit lëndor; Raporti i brezit të ri me teknologjinë në disnivel me raportin e tyre me sistemin arsimor; “Konceptimi i gabuar” i krijuar tek të rinjtë sipas së cilit “e drejta” mbizotëron përpara “detyrimit”; Të krijosh bindjen se “e di” pa u thelluar dhe pa e kuptuar tematikën përkatëse; Mungesa e theksuar e “orëve argëtuese” dhe e “orëve projektuese”; Praktikat lëndore dhe mungesa e funksionimit të laboratorëve lëndorë. Dixhitalizimi; Mbështetja e grupeve elitare dhe integrimi i tyre në shoqëri; Kthimi në prioritet i lëndëve sociale si: psikologji, filozofi dhe sociologji; Forcimi i rolit të familjes në strukturat arsimore ; Funksionaliteti i klubeve shkencore e sociale; Rritja e seriozitetit në zhvillimin e olimpiadave për sistemin AML si një domosdoshmëri e ngritjes së nivelit arsimor; Forcimi i legjitimitetit të fjalës së arsimtarit dhe rritja e peshës së tij; Zëri i të rinjve është edhe zëri i arsimit. 



A jeni një mësues fleksibël? Nëse po, mund të na shpjegoni se si? 


Fleksibiliteti apo përshtatshmëria kanë të bëjnë me vizionin dhe horizontin që ushqeni gjatë rrugëtimit tuaj profesional. Personalisht kam qenë dhe jam i tillë në emër të integrimit dhe të përftimit të mendjes njerëzore. 

Shoqëria funksionon mbi bazën e normave,të cilat domosdoshmërish duhen respektuar. 

Kur nisni ditën e punës, gjëja më e rëndësishme është të zhvishni petkun e “problemeve” personale dhe të vishni “petkun” e profesionit që ushtroni. E rëndësishme është “ta dëgjoni” tjetrin deri në fund duke përdorur natyrshëm një “empati” të arsyeshme. Gjithashtu e rëndësishme është “ti shkoni punës nga pas” dhe jo të prisni t’ju vijnë të tjerët në kërkim. 



Cili është plani juaj i menaxhimit të klasës?


“Bashkëbisedimi” dhe “komunikimi” një për një me nxënësit sjell një lehtësim në mbarëvajtjen e procesit. Gjithsecili “jeton në botën e vet”, për rrjedhojë respektimi i mendjes dhe i shpirtit të çdo nxënësi sjell një “komoditet” në gjetjen e një gjuhe të përbashkët.  Bisedat motivuese janë një tjetër çelës i bashkëveprimit të suksesshëm, ku mund të flitet për gjëra shumë të thjeshta të përditshmërisë

(p.sh përgatitja e një dite të re, rregullimidhe sistemimi i çantës, rregullimi i shtratit pasi je ngritur, palosja e rrobave, mirëmbajtja e objekteve të rëndësishme, ushqimi i preferuar, fjala më e bukur që u dëgjua një ditë më parë, mesazhi më tërheqës që merret në një ditë, argëtimi që të dha gjallëri etj...).

Diçka duhet theksuar: brezi i ri duhet mbajtur përherë nën kontroll, ku minutazhi i dhënë duhet plotësuar me angazhime të larmishme duke u vetëdijësuar për plotësimin e përgjegjësisë. 



Cili mendoni se ishte aspekti më i vështirë i mësimdhënies së studentëve (praktikantëve)?


Gjëja më kyçe është dhe mbetet “njohja” me ambientin dhe rrethanat. Mund të zotëroni dije të shumta, por jo çdo gjë që zotëroni është e depërtueshme te të tjerët. Studentët praktikantë e kanë për detyrë të jenë “të lexuar” dhe “të lexueshëm” jo thjeshtë duke u mjaftuar me një notë pozitive të marrë në jetën akademike, por duke përftuar qasjet e larmishme të brezit të ri dhe duke dhënë “specifiken”. Diçka s’duhet harruar: Brezi i ri “të kupton” dhe “të vëzhgon” mjaft mirë dhe kujdesshëm. 



Çfarë do të bëni për të modifikuar mësimin tuaj për të përmbushur nevojat e një studenti të talentuar?


Gjithnjë është prioritet “dalja” nga kornizat e një teme mësimore. Bashkëveprimi në mënyrë të vijueshme me njohjen dhe analizimin e materialeve plotësuese, jo vetëm ato lëndore, por diçka përtej tyre, që ka të bëjë me zhvillimin vizionar të studentit. Studentin do ta njihni shumë më mirë jashtë procesit mësimor kur të ofroni një komunikim “miqësor” për t’ju shpjeguar prirjet dhe prioritetet e veta.  Mbetem përherë në zhvillimin e konsultave të larmishme duke studiuar dhe analizuar tekste dhe tematika të ndryshme, jo vetëm lëndore, por sociale e kulturore, ku mendja e studentit kthjellohet akoma më shumë.  Bashkëbisedimet me këtë grup të rinjsh s’mund të kufizohen vetëm në oraret e shkollës, përkundrazi të tilla komunikime shkojnë përtej çdo orari për të kuptuar edhe një herë nevojën emergjente të zgjerimit të një raporti fisnik marrës dhe dhënës. 



Cilat janë forcat tuaja të mësimdhënies?


Puna me tekstin libror; Nënvizimet e çështjeve kyçe; Reduktimet e mundshme dhe specifikimet përkatëse; Shënime të domosdoshme në punën me shkrim; Diskutime; Gjithpërfshirje; Trajtim i temave sociale e kulturore; “Çudia” e ditës apo e kohës; Larmia e mjeteve të punës; Reflektim; Dritare e re; Nocioni kyç i përftuar; Fjala dhe fraza kyçe e temës së re. 

Çdo njeri ka një “referim” në karrierën e tij profesionale, një figurë të rëndësishme që qëndron përherë modeli dhe frymëzimi i arritjes së suksesit profesional. Në këtë drejtim, keni ju një referim të këtillë? 

Patjetër që po. Në fillimet e mia si student në qytetin Izmir të Republikës së Turqisë, ku studioja shkencat Teologjike, lënda që më ka tërhequr më së shumti nisur edhe nga vetë profesori që e jepte ka qenë “Logjika” me Prof Dr.Ibrahim Emiroglu, i cili jo vetëm që m’u gjend pranë në çdo kohë, por u bë një model tejet i veçantë në përçimin me rigorozitet të shumë orientimeve të domosdoshme, që akoma edhe sot përbëjnë një “busullë” në rrugëtimin tim në zhvillimin e një “arsyetimi” të shëndetshëm për zgjidhjen e çështjeve të larmishme. 

Nga ana tjetër, një përforcues dhe orientues shembull në procesin e edukimit në arsim duke e shpalosur dhe e servirur në të gjitha dimensionet më të mirëstrukturuara dhe më produktive ka qenë dhe mbetet Prof.Islam Dizdari (i ndjerë) prej të cilit njeriu s’ngopej së përfituari për të avancuar në formimin profesional dhe intelektual. Dëshira e zjarrtë dhe pasioni i paepur për punën shoqëruar natyrshëm me një dije dhe kulturë shumëdimensionale shfaqeshin dukshëm në personalitetin e tij. Të gjitha këto reflektonin çdo ditë në çdo sipërmarrje pedagogjike, sociale dhe kulturore. 



Si i gjen idetë e reja për mësime?


Nëpërmjet leximeve dhe hulumtimeve të larmishme. E rëndësishme është të mos ngelesh në “robërinë” e një ditari. Angazhimet e ndryshme sociale dhe kulturore përbëjnë një domosdoshmëri për çdo arsimtar në rigjenerimin e formimit intelektual. Mendoni për pak çaste sa “gjeniale” është “ta befasoni” auditorin.  



Cilat janë metodat që mund t'i përdorni për të mësuar një mësim?


  • Një “LEXIM I KUJDESSHËM DHE I VËMENDSHËM” 
  • Lidhja e temës me nëntemat dhe kontekstin e prezantuar
  • Fjalët dhe frazat dominuese 
  • Lidhja e temës aktuale me temat e mëparshme 
  • Lidhja e shkencës që studioni me shkencat e tjera 
  • Elementet e zbatueshëm në shoqëri. 
  • Krijimi i “hartës së koncepteve” 
  • Krjimi i imazheve në strukturimin e saktë të temës 
  • Formulimi i pasaportës së identitetit 


Si mund të përcaktoni nëse nxënësit kanë mësuar?


Krijimi i një atmosfere të hareshme nëpërmjet një bashkëbisedimi “të lirë” dhe “të sinqertë”. 

Ofrimi i shprehive të tilla lehtësuese si: “S’ka gjë edhe nëse s’e ke lexuar”, “Thuaj diçka, sado e thjeshtë qoftë”, “Mund ta shprehësh mendimin, qoftë edhe i gabuar”, “Çdo notë që merret ka mundësi përmirësimi”...

Kur i drejtohemi p.sh “Ejani t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje të thjeshtë!...” vini re reagimet e atyre që kanë lexuar diçka dhe e atyre që as që kanë marrë mundimin të hapin librin. 

Çdo njëri prej tyre ka një “sedër” dhe askush s’dëshiron të shfaqet “më poshtë” se të tjerët. 

Nga ana tjetër, nxënësve u parashtrohet “një fjalë” ose “një frazë” ose “një ide” që përbën boshtin qendror të temës së ditës. Reagimet e tyre janë të ndryshme, por duhet kuptuar se çdo përgjigje e saktë s’vjen me lehtësi. 



Si e mbani kontrollin në klasën tuaj?


Fillimisht më duhet të theksoj se, për nga natyra jam një person që qëndroj vazhdimisht në këmbë, kjo edhe për një tjetër arsye, pasi sipas mendimit tim qëndrimi ulur në klasë merret edhe si një “mungesë respekti” ndaj auditorit. Sikurse e përmenda edhe pak më lart, angazhimi i vazhdueshëm i nxënësve qoftë me bashkëbisedime, qoftë me punë me shkrim, qoftë me motivime të ndryshme, qoftëme interesime personale apo edhe duke krijuar situata harmonike dhe të shëndetshme mundësojnë mbajtjen e një kontrolli në klasë. 



Si keni përdorur, apo si do ta përdorni, teknologjinë në klasë?


Në rastet e ofrimit të kushteve kur auditori disponon tabelat përkatëse, ku mund të prezantohen elemente të larmishme të teknologjisë.  Ka shumë rëndësi sot që të shtohet numri i kompjuterëve në klasa, ku nëpërmjet ekranit teknologjik të sillen materiale të bollshme vizive apo në shkrim për një lehtësim të mbarëvajtjes së procesit  Përdormi i një videoprojektori mbetet esencial për krijimin e “imazheve” aq të domosdoshme për brezin e ri. 



Si do të angazhonit një nxënës hezitues?


Pikësëpari është interesimi një për një me të pa praninë e të tjerëve. 

Leximi i një fjalie apo i një fragmenti të shkurtër duke i qëndruar pranë duke i dhënë motivime të ndryshme.  Ofrimi i një pune me shkrim duke spikatur atë karakteristikë që ai ka. 

Një bisedë e çlirët jashtë temës mësimore për të nxjerrë në pah një dëshirë apo disa dëshira të tij personale. 

Respektim i çdo shprehje të tij dhe natyrshëm një përgëzim i hapur për atë çfarë shprehet apo çfarë shkruan.

Një vënie në angazhim brenda dhe jashtë procesit mësimor duke i ofruar një “përgjegjësi krejt minimale” dhe të përballueshme për natyrën e tij. 

Të kuptuarit e pikave të forta dhe të dobëta dhe plotësimi i një kënaqësie të paharrueshme për të... 



Në fund, cili është mesazhi që doni të ndani në fund të kësaj interviste për të gjithë kolegët tuaj drejtues dhe mësues, por edhe për prindërit dhe nxënësit?


Ripërtëritja intelektuale mbetet një domosdoshmëri  e përhershme, pasi secili prej nesh ndjen nevojën e një rigjallërimi duke kuptuar se një “diplomë” universitare s’mund të jetë “e mjaftueshme” për ta quajtur veten “intelektual” 

Zhvillimi dhe pjesëmarrja në trajnime të shumta brenda dhe jashtë institucionit përbën një tjetër motivim për secilin prej nesh.

Forcimi i bashkëveprimeve dhe bashkëpunimeve për menaxhime të frytshme të proceseve si brenda institucionit ashtu edhe mes institucioneve mbeten një armatë e fortë e intelektualizimit dhe qytetarisë. 

Çdo prind sot duhet të jetë vetë nxënës dhe dashamirës i arsimit, në mënyrë që të kuptojë më së miri procesin e rritjes dhe zhvillimit të fëmijës së vet. 

Kur fëmija nuk sheh prindin të lexojë një libër, s’mund të presim një ngritje të nivelit arsimor. 


Prandaj, përtej angazhimeve të ndryshme që padyshim prindërit ushtrojnë për profesionet e tyre, s’duhet harruar se profesioni i parë i tyre është “prindërimi” dhe “zhvillimi intelektual” i vetes së tyre në radhë të parë dhe i familjes që kanë krijuar. 


Për ju nxënës!  Që të bëheni një “profesionist” në jetë s’mjafton të “impenjoheni” vetëm në fazën e fundit të maturimit, por të kultivoni dëshirat dhe pasionet e juaja shumë më herët të shoqëruara edhe me shkencën që ju bën më shumë për vete. Sado të zhvillohet teknologjia, e vetmja gjë që s’mund të marrë tjetër formë është LEXIMI” i kujdesshëm dhe të kuptoni atë çfarë lexoni duke rritur dhe pasuruar bagazhin tuaj leksikor dhe ideor. 


Si mendoni – a mund të vihet në punë një makinë pa e mbushur me lëndë djegëse? A mund të qëndrojmë pa u ushqyer?...




Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,586 Lexime
1 vit më parë