ÇRREGULLIMET E TË NXËNIT

Fëmijë që vuajnë nga çrregullimet e të nxënit

Fëmijët e prekur nga çrregullime të tilla shfaqin probleme dhe lexojnë në mënyrë të pasaktë, shkruajnë në mënyrë të paqartë, nuk arrijnë të kuptojnë përmbajtjen e teksteve, kanë shumë gabime në përdorimin e numrave...

Shpeshherë ndodh që fëmijët etiketohen nga mësuesit apo prindërit si nxënës dembelë apo që nuk duan të mësojnë. Por e vërteta mund të jetë shumë ndryshe. 

Psikologia Lorela Garuli tregon se këta fëmijë mund të vuajnë nga çrregullimet e të nxënit, që i bën të mos kenë performancë të kënaqshme në orën e mësimit. Fëmijët e prekur nga çrregullime të tilla shfaqin probleme dhe lexojnë në mënyrë të pasaktë, shkruajnë në mënyrë të paqartë, nuk arrijnë të kuptojnë përmbajtjen e teksteve, kanë shumë gabime në përdorimin e numrave dhe llogaritjen e tyre, mbajtjen mend të shifrave dhe të procedurave të matematikës. Psikologia thekson se duhet të evidentohen qartë rastet dhe të krijohet një urë bashkëpunimi mes prindërve dhe mësuesve për gjetjen e zgjidhjeve alternative për këta fëmijë.


Mund të na tregoni se çfarë janë çrregullimet e të nxënit dhe cilat mekanizma prekin?

Çrregullimet e të nxënit kanë në thelb të gjitha proceset, mekanizmat që janë në themel të të studiuarit dhe të të nxënit, që janë tre: të lexuarit, shkrimi dhe vështirësi në matematikë. Të gjitha këto rezultojnë të jenë detyra komplekse për fëmijët, për shumicën dërrmuese të tyre, por edhe për ata që i mësojnë këto procese pa shumë vështirësi. Megjithatë, kur bëhet fjalë për çrregullimet e të nxënit, ajo që duhet të dimë është që për këta fëmijë e nxënës, shkronjat, numrat, rrokjet, fjalët, fjalitë, veprimet e thjeshta matematikore, të numëruarit etj., mund të kthehen labirinte të vërteta, pra klasifikohen si çrregullime të të nxënit.


Cilat janë disa prej problematikave që shfaqin fëmijët e prekur nga këto çrregullime?

Fëmijët shfaqin vështirësi apo dëmtime të ashpra në të gjitha këto aftësi, që lidhem me këto lëndë shkollore: matematikë, lexim dhe drejtshkrim. Konkretisht, fëmijët që vuajnë një çrregullim lexojnë në mënyrë të pasaktë, shkruajnë në mënyrë të paqartë, nuk arrijnë të kuptojnë përmbajtjen e teksteve, kanë shumë gabime në përdorimin e numrave dhe llogaritjen e tyre, mbajtjen mend të shifrave dhe të procedurave të matematikës. Duhet specifikuar, se çrregullimet e të nxënit janë të lindura, mund të prekin çdo fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik, kërkojnë kohë dhe angazhim për t’u trajtuar dhe diagnoza për çrregullimin e disleksisë bëhet në përfundim të klasës së parë, ndërsa për diskalkulinë, fëmijës i jepet më shumë kohë dhe diagnoza, nëse do të kemi një të tillë, do të vendoset në fund të klasës së tretë.


Mund të na përshkruani disa prej simptomave që shfaqin vogëlushët, të cilat prindërit nuk duhet t’i neglizhojnë?

Çrregullimet e të nxënit kuptohen dhe përkufizohen sipas manualeve psikologjike dhe në thelb të tyre qëndron vështirësia në të nxënë dhe në përdorimin e shprehive akademike, sikurse e përmendëm më lart. Përtej shprehive shkollore, këta fëmijë ndeshin edhe shumë vështirësi psikologjike, si vetëbesim të ulët, vetëkoncept jo pozitiv, u duket vetja të paaftë, jo të zgjuar, sepse shohin që nuk po ndjekin dot ritmin e bashkëmoshatarëve të klasës, ndihen të brishtë emocionalisht, lodhen shumë shpejt, nuk kanë përqendrim, nuk e duan shkollën, sepse nuk është një mjedis që i “mirëpret”.


Sa është numri i fëmijëve të prekur nga çrregullimet e të nxënit në vendin tonë?

Sa u përket shifrave të fëmijëve të prekur nga këto çrregullime në Shqipëri, nuk ka. Ne mund t’u referohemi statistikave që vinë nga vendet e tjera, për shembull në Itali, në një studim të vitit 2012, rezultatet kanë treguar se shpërndarja e çrregullimeve të të nxënit është rreth 3.2%, që do të thotë përafërsisht 3 ose më shumë në 100 nxënës mund të vuajnë nga këto çrregullime. Duhet specifikuar që janë tri lloje çrregullimesh të të nxënit. Është disleksia, që është grupi më i madh, që ka të bëjë më leximin, është çrregullimi që lidhet me të shkruarin; disortografia dhe disgrafia, si dhe grupi i tretë, i matematikës që është diskalkulia.


A ka raste kur fëmijët vuajnë nga më shumë se një lloj çrregullimi?

Shpeshherë fëmijët nuk vuajnë vetëm nga një lloj çrregullimi. Disleksia, grupi i parë, më i përhapuri që mbizotëron, por ndodh që një fëmijë mund të vuajë nga të tria llojet e çrregullimeve ose prej dy prej tyre.


Vetë fëmijët e kuptojnë kur janë të prekur nga çrregullimet e të nxënit? A ka një mënyrë trajtimi përfundimtare të problemit?

Janë të vetëdijshëm që diçka nuk shkon mirë me ta, që etiketohen shumë. Duhet shpjeguar paralelisht me punën didaktike, arsimore dhe edukative, duhet bërë një punë shumë e madhe edhe në planin emocional, afektiv dhe psikologjik, duke i sqaruar që “ti do t’i mësosh të gjitha, do kapësh ritmin e shokëve të klasës”, sepse ky është problem që fëmijët kanë. Gjithmonë duhet punuar me motivimin e këtyre fëmijëve. Për sa kohë që një çrregullim i lindur, neurologjik për shembull nuk zhduket. Patjetër që kalon në një farë mase, zbehet, përmirësohet, rregullohet, evoulon, sepse çrregullimi ndryshon. Mund të jetë më i rëndë në vitet e para të shkollimit, kur fëmija përballet në mënyrë direkte me të gjitha aftësitë dhe shprehitë që kanë të bëjnë me të nxënit.


Cilat janë masat që duhet të marrin mësuesit për trajtimin e këtyre fëmijëve?

Këtyre fëmijëve duhet t’u vijë në ndihmë edhe sistemi arsimor, struktura, sepse të paktën në vendet fqinjë, ku këto çrregullime janë të njohura me legjislacion, këta fëmijë kanë mënyra të ndryshme se si mësojnë. Sa i përket vazhdimësisë gjatë jetës, pas përfundimit të shkollës, këto vështirësi mund të flenë, mund të jenë më të fshehura, por patjetër që shfaqen, në momente të caktuar të përditshmërisë, në varësi të situatave.


A janë të aftë mjaftueshëm mësuesit dhe prindërit për të evidentuar rastet e prekura?

E vërteta është se lidhur me këto çrregullime mungon shumë informacioni dhe ndërgjegjësimi. Shumë herë janë mësuesit, ata që nuk i kuptojnë dhe nuk dinë t’i evidentojnë dhe kjo sepse tek ne mungon informacioni, mjetet, teknikat, instrumentet e nevojshme për të identifikuar këta fëmijë dhe për të kuptuar realisht problematikën që kanë. E njëjta situatë është edhe në familje. I gjithë ky presion psikologjik dhe i gjithë ky moskuptim për situatën e tyre rëndon sigurisht mbi supet e fëmijës, i cili ndihet i demotivuar, nuk ndihet inteligjent e shumë elemente të tjera. Shumë herë e identifikojnë si indiferent, si një fëmijë që nuk do të mësojë, si një fëmijë që neglizhon mësimet, si një fëmijë dembel. Këto janë etiketimet, por në fakt e vërteta nuk është kjo.


Cilat janë këshillat tuaja për prindërit e fëmijëve me çrregullime të të nxënit?

Ka raste kur prindi arrin të identifikojë vështirësitë dhe ua raporton mësuesve, ose anasjelltas. E rëndësishme është që mësuesi të tregojë profesionalizmin e duhur dhe prindi bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e duhur. Nëse një fëmijë identifikohet dhe ndjek terapinë e duhur, disa herë në javë, patjetër që ka përmirësime. Me këta fëmijë nuk është e vështirë që të punosh. E rëndësishme është që puna të jetë sistematike dhe e vazhdueshme.



(Voltiza Duro; Portali Shkollor)

985 Lexime
5 muaj më parë