Sjellja me fëmijët

Fëmijët janë tanët, por nuk janë kopja jonë

Ne jemi vetë prindër dhe shohim që fëmijët tanë nuk ngjajnë aspak në karakter me njëri-tjetrin. Krahasimi nuk është aspak i mire, aq më keq kur thuhet përpara klasës. Nxënësit janë të ndjeshëm dhe secili i percepton fenomenet në mënyrën e vet. Krahasimet janë pa vend.

Më ka ndodhur shpesh të dëgjoj në takimet me prindër kur kolegët diskutojnë për përparimin e nxënësve. Ka prindër që mundohen gjithmonë të justifikojnë fëmijën e tyre, ka të tjerë që janë kërkues, ka të tjerë që janë tolerantë, duke thënë që nuk ka rëndësi nota mjafton që fëmija im të vijë me dëshirë në shkollë; por ka të tjerë që i duan fëmijët e tyre të jenë kopje e vetes, ka edhe nga ata prindër që nuk vijnë fare, duke u mjaftuar vetëm me një telefonatë.  


Krahasimet në klasë


Ndodh që edhe mësuesit i krahasojnë nxënësit me motrën ose vëllanë që janë në një klasë tjetër, më lart ose më poshtë. Ka patur raste që nxënësit janë ndier keq nga ky krahasim. Ne jemi vetë prindër dhe shohim që fëmijët tanë nuk ngjajnë aspak në karakter me njëri-tjetrin. Krahasimi nuk është aspak i mire, aq më keq kur thuhet përpara klasës. Nxënësit janë të ndjeshëm dhe secili i percepton fenomenet në mënyrën e vet. Krahasimet janë pa vend, sepse dhe interesat e nxënësve janë të ndryshme. Nëse një nxënës nuk ka rezultate të mira, kjo nuk do të thotë që është pak më i mirë se motra ose vëllai i tij. Ndoshta nxënësi duhet të shtojë përpjekjet për përgatitjen e tij ditore, por kjo nuk duhet të jetë argument për krahasim, madje as brenda klasës. Askush nuk ndjehet mirë kur bëhen krahasime, thjesht nxënësi e ndjen veten të lënduar dhe humbet dëshirën për të vazhduar më tej. Mendoj që i shtohet mllefi jo dëshira për të punuar. 


Krahasimi me veten


Prindërit duhet të jenë realistë, kur përballen me përparimin e fëmijëve. Problemi qëndron se, duke qenë me orë të gjata në punë, ata nuk arrijnë ta kontrollojnë dot fëmijën në përgatitjen ditore. Mjaftohen me pyetjen: "-I bëre mësimet?". Fëmijët përfitojnë nga situata të tilla dhe përgjigjen gjithmonë me po. Ka raste kur prindërit pyesin çdo ditë shokun apo shoqen e klasës për detyrat e fëmijës së tyre, sepse fëmija nuk do t’i bëjë dhe thotë shpesh: "-Nuk kemi". 

Kur prindi përballet me realitetin në takimin me prindër dhe mësuesit shprehin ndonjë pakënaqësi për përparimin e fëmijës, atëherë kam dëgjuar prindër që fillojnë dhe flasin për veten e tyre duke bërë një biografi të vetes, të rezultateve të shkëlqyera që ka patur në shkollë, të talenteve dhe gjuhëve të huja që zotërojnë, të arritjeve në karrierë, etj. 

Nuk është fare me vend krahasimi i fëmijës me veten. Fëmijët janë tanët, por jo kopja jonë. Ata kanë personalitetin e tyre që ndryshon nga prindërit dhe nga motrat dhe vëllezërit.

Ajo që nuk duan të besojnë këta prindër, është se duke mos qenë të pranishëm në familje për shkak të punës, e humbasin fillin e kontrollit ndaj fëmijëve. 


Kontrolli prindëror


Ka edhe prindër që mund të jenë kërkues dhe i ndihmojnë fëmijët në përgatitjen ditore, kur fëmija ka vështirësi në të nxënë. Ka edhe prindër, që edhe pse punojnë me orë të gjata e gjejnë kohën për t’i kontrolluar fëmijët e tyre dhe për t’i ndihmuar ata aty ku kanë nevojë. Çdo prind kërkon më të mirën për fëmijën e vet, këtë nuk e ve aspak në dyshim.

Nëse dikush mjaftohet vetëm me punën e mësuesit në klasë, kjo nuk sjell asnjë përparim. Ndihma e prindërit në shtëpi është vendimtare për përparimin e fëmijës. Prindi ka përgjegjësinë më të madhe në përgatitjen ditore të fëmijës. Nëse lihet pas dore për shkak të angazhimeve, apo orëve të gjata ne punë, nuk mund të kërkohet nga fëmija një përgjegjësi aq e madhe, sa të jetë i pavarur në punën e tij. Sidomos në fillore, fëmijët kanë nevojë për punën e mësuesit në klasë dhe ndihmën e prindërve në përgatitjen ditore në shtëpi. Këto janë dy hallka të rëndësishme, sepse puna e mësuesit në klasë është vendimtare në formimin e nxënësve dhe u mëson edukatën e punës, ndërsa në shtëpi nëse nxënësi ka ndihmën e prindërve, atëherë këto njohuri forcohen dhe kanë baza të forta për ndërtimin e dijeve. 


Edukata e punës


Duket si klishe, por është shumë e rëndësishme sidomos në fillore, që nxënësi të kuptojë. Ka një rend të të bërit të mësimeve për të nesërmen. Shpesh nxënësit bëjnë detyrat pa lexuar mësimin. Dhe kjo nuk sjell ndonjë rezultat të mirë në përgatitje. Duhen mësuar fëmijët që në fillim mësohet mësimi, nxirren konkluzionet dhe më pas bëhen detyrat. Duhet t’i mësojmë ata që të mos e memorizojnë mësimin, por ta kuptojnë duke vënë në punë logjikën.




Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

973 Lexime
1 vit më parë