Udhëzime

Fjali inkurajuese që mund të përdoren nga mësimdhënësit për të motivuar nxënësit

Nxënësit duhet të inkurajohen rregullisht. Kur ndihen të inkurajuar, ata priren të jenë më pozitivë, të sillen më mirë dhe të përpiqen më shumë për të pasur sukses në klasë gjatë aktiviteteve apo diskutimeve.

Këshilla se si të inkurajoni nxënësit:


1. Përqendrohuni te përpjekjet e nxënësve, jo te talenti

Gjëja më e mirë që mund të bëni kur jeni duke inkurajuar nxënësit, është të shmangni fokusimin në aftësinë dhe në vend të kësaj të përqendroheni në përpjekjen që nxënësi/ja po bën në detyrë. 


Fjalitë tuaja inkurajuese do t'i ndihmojnë nxënësit të kuptojnë se ata kanë aftësinë të përmirësojnë përpjekjet e tyre dhe zhvillojnë këmbënguljen që të mos dorëzohen.



2. Jini specifik në frazat inkurajuese që zgjidhni të përdorni

Kur përdorni fjali inkurajuese me një nxënës, sigurohuni që të jeni shumë specifik. Në vend që të thoni "Punë e shkëlqyeshme, më pëlqen", mund te thoni diçka si "Uau, më pëlqejnë ngjyrat që ke përdorur". Këto fjali pozitive për fëmijët mund të kenë një ndikim të madh.



3. Përdorni fjali inkurajuese, por shmangni lavdërimet e tepërta

Fjalitë inkurajuese kanë të bëjnë me inkurajimin e një nxënësi/eje për të bërë mirë. 


Lavdërimi i tepërt mund të ketë efekte negative. Kështu, për shembull, t'i thuash një fëmije se ai është i zgjuar dhe inteligjent shumë shpesh mund të ketë një efekt negativ. Fëmija mund të mendojë se nuk duhet të përpiqet më, sepse është thjesht "shumë i zgjuar". Ose duke i thënë vazhdimisht një fëmije se sa "bukur" duket, mund të bëjë që ai të ketë shumë vetëbesim.


Sigurisht, kjo nuk do të thotë se ju nuk mund t'ia thoni këto gjëra fëmijës tuaj! Por kini parasysh sa shpesh thuhen këto fjali dhe në cilin kontekst.



Fjali të përgjithshme inkurajuese:

- Ti më bën të buzëqesh.

- Unë besoj te ti.

- Mund të më thuash çdo gjë.

- Unë jam shumë krenar/e me ty. 



Fjali inkurajuese gjatë kryerjes së një detyre:

- Më trego se çfarë po bën.

- Idetë tua janë shumë kreative.

- Unë mund ta shoh se po përpiqesh shumë.

- Dëshira jote për të mësuar më bën shumë krenare.

- Më pëlqen entuziazmi yt.



Fjali inkurajuese kur nxënësi juaj është duke kaluar kohë të vështirë:

- Më vjen shumë mirë që kërkove ndihmë kur të duhej.

- Besoji instinktit tënd.

- Unë besoj te ti.

- Askush nuk është i përsosur, dhe kjo është në rregull.

- Mund të mësosh nga gabimet tua.

- Këmbëngulja do të të ndihmojë të kesh sukses.

- Gabimet janë dëshmi se po përpiqesh.



Fjali inkurajuese kur nxënësi juaj ka pasur një ditë të keqe:

- Më vjen keq që ke pasur një ditë të keqe, nesër do të jetë më mirë.

- Do të ndihesh më mirë pasi të pushosh pak.

- Më thuaj diçka që të bëri të buzëqeshësh sot.

- Kur kam një ditë të keqe, përpiqem të përqendrohem në gjërat pozitive.

- Të gjithë kanë ditë të këqija.



Fjali inkurajuese për të falënderuar nxënësit tuaj:

- Tregove bujari shumë të madhe kur e bëre këtë.

- Kjo ishte një gjë e mirë për të bërë.

- E vlerësoj kur vendos dikë tjetër në vend të parë.

- Ti je një mik/mikeshë aq i/e mirë.

- Ndershmëria jote më bën shumë krenar/e.

- Më pëlqen t'ju shoh duke punuar së bashku.


Burimi: Klikoni këtu 

 

 Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën

 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,277 Lexime
2 vjet më parë