Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, nga sot i hapur online për publikun

Fjalori i madh i gjuhës shqipe është tashmë online në fjalori.online. Platforma e hapur nga Akademia e Shkencave u jep akses të lirë të gjithë përdoruesve dhe fton publikun të dërgojë sugjerime për pasurimin dhe përmirësimin e kësaj vepre madhore.

Nga sot, 12 janar 2026, ora 00:00, përdoruesit kanë akses të lirë në platformën online të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, përmes domenit fjalori.online 


Hapja e platformës është miratuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me vendimin nr. 1, datë 06.01.2026, duke e bërë këtë vepër madhore të albanologjisë të disponueshme për të gjithë.


Gjatë një periudhe nëntëmujore nga dita e hapjes, publiku do të ketë mundësinë të dërgojë mendime, sugjerime dhe plotësime për përmirësimin e përmbajtjes. Pas përfundimit të kësaj faze, Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik do të kenë një afat tremujor për t’i shqyrtuar dhe pasqyruar këto kontribute në versionin përfundimtar.


“Fjalori i madh i gjuhës shqipe” është një nga tri projektet madhore kombëtare në fushën e albanologjisë, krahas “Historisë së Shqiptarëve” dhe “Enciklopedisë Shqiptare”, të ndërmarra nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për të promovuar identitetin, historinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.


Për hartimin e kësaj vepre kanë punuar hartues, redaktorë dhe korrektorë të shumtë, nën drejtimin e akademik Jani Thomait si kryeredaktor, si dhe dy zëvendëskryeredaktorëve, akademik Valter Memishaj dhe prof. dr. Shezai Rrokaj. Hapi përfundimtar i projektit do të jetë botimi i fjalorit në dhjetë vëllime vitin e ardhshëm.


Platforma online është ndërtuar për të funksionuar në të gjitha pajisjet digjitale, duke u mundësuar përdoruesve kërkim, lexim dhe ndërveprim të lehtë me përmbajtjen. Ky fjalor përbën një mjet thelbësor për shkrimtarët, publicistët, nxënësit, studentët, mësuesit, pedagogët, studiuesit dhe për këdo që punon me gjuhën shqipe, si në të shkruar ashtu edhe në të folur.


Me hapjen online, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” bëhet më i afërt se kurrë me përdoruesit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në digjitalizimin dhe pasurimin e trashëgimisë sonë gjuhësore.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

350 Lexime
3 orë më parë