Floreta Gjino: Çdo nxënës ka ritmin e vet, si mund t’i ndihmojë shkolla të gjithë të përparojnë?
Si mund të ecë përpara çdo nxënës, pavarësisht aftësive dhe vështirësive që ka? Mësuesja Floreta Gjino sjell një këndvështrim praktik mbi mësimin e diferencuar, mbështetjen për nxënësit që hasin vështirësi dhe sfidat për ata që mund të shkëlqejnë.
Nga Floreta Gjino,
mësuese e Gjuhë shqipe-Letërsi, shkolla jopublike "Numani", Fier.
Për çdo nxënës, një mundësi për të ecur përpara
Nga mbështetja për ata që kanë vështirësi, te sfida për ata që mund të shkëlqejnë.
Në një klasë me tridhjetë nxënës, një mësuese shpjegon të njëjtën temë për të gjithë, por fëmijët që ka përballë vijnë nga realitete e mjedise sociale të ndryshme, aftësi të të nxënit të ndryshme. Njëri ka nevojë t’i shpjegohet përsëri një koncept, një tjetër e ka kuptuar konceptin dhe pret një pyetje më të vështirë, një i tretë mund të ketë ide të shkëlqyera, por nuk di ende si t’i shprehë me shkrim.
Si mund të mësojnë të tre? Kjo është një nga pyetjet më praktike që duhet t’i bëjmë sot shkollës shqiptare.
Kur flasim për “Kompetencat e të nxënit”, fjalët mund të tingëllojnë të largëta për mjedisin e klasës, por realisht janë gjëra të thjeshta për t’u kuptuar. Nxënësi duhet të dijë të lexojë me kuptim, të bëjë pyetje, të arsyetojë, të bashkëveprojë me të tjerët, të dallojë gabimin dhe të mos ngurrojë të provojë përsëri. Qëllimi nuk është që këto aftësi të shkruhen bukur në një plan, por që fëmija t’i përdorë në mënyrë sa më të frytshme.
Marrim si shembull një orë të Gjuhës shqipe. Nxënësit në klasë lexojnë një tekst ku autori mbron një mendim dhe mësuesja u kërkon të gjithëve të gjejnë mendimin kryesor. Nxënësve që kanë vështirësi u drejtohen disa pyetje ndihmëse dhe një shembull. Ata që e zotërojnë këtë hap, tregojnë faktet mbështetëse që përdor autori. Të tjerët krahasojnë argumentet dhe pyesin: “A janë bindëse këto prova?” Të gjithë punojnë mbi të njëjtin tekst, por secili ka një hap ku mund të përparojë.
Kjo mënyrë pune është e mundur edhe në klasa me numër të madh nxënësish, por ka kufijtë e vet. Një mësuese e vetme nuk mund t’u japë tridhjetë nxënësve ndihmë individuale të thelluar në çdo orë. Nuk është “e ndershme” t’i kërkohet të zgjidhë me përkushtim një problem që kërkon organizim, kohë e personel.
Prandaj shkolla ka nevojë për mundësi shtesë.
E para është mbështetja e synuar, nëse disa nxënës kanë të njëjtën vështirësi në lexim, shkrim ose matematikë, një mësues mund të punojë me ta në grup të vogël për disa javë, por duhet të dihet që në fillim çfarë do të mësojnë dhe në fund, të shihet nëse e kanë mësuar.
E dyta është thellimi, nxënësit që tregojnë interes ose aftësi në një fushë të kenë mundësi të shkruajnë, të krijojnë, të kërkojnë, të debatojnë ose të zgjidhin probleme më të ndërlikuara.
Këto mundësi nuk duhen ndarë me etiketa si nxënës “i dobët” dhe “i talentuar”. Një nxënës mund të ketë nevojë për ndihmë në një lëndë dhe të shkëlqejë në një tjetër. Po ashtu, talenti nuk shihet gjithmonë te nota. Një fëmijë që nuk ka pasur libra, kurse apo transport mund të ketë pasur më pak mundësi për ta treguar talentin.
Shqipëria ka tashmë programin “Pas shkolle”, që parashikon si përforcimin e të nxënit, ashtu edhe veprimtarinë krijuese. Është një hapësirë që mund të përdoret mirë nëse pyetet jo vetëm sa fëmijë morën pjesë, por edhe çfarë fituan prej saj. Duhet menduar edhe për nxënësit që nuk mund të qëndrojnë pas mësimit për shkak të transportit, orarit ose kushteve familjare.
Zgjidhja nuk mund të jetë njësoj për çdo shkollë. Në qytet mund të ketë klasa të mbushura, ku mësueses i mungon koha dhe mundësia për secilin nxënës. Në fshat mund të ketë pak nxënës, por ka klasa të bashkuara, largësi dhe më pak specialistë. Burimet dhe mësuesit shtesë duhen caktuar duke parë vështirësinë reale të punës, jo vetëm numrin e nxënësve në një regjistër.
Nga mund të nisë një shkollë? Është e rëndësishme në shkollë të evidentohen nevojat, të shihen punimet e nxënësve dhe të zgjidhen një ose dy aftësi ku shumë prej tyre kanë nevojë për ndihmë. Për shembull, në Gjuhë shqipe mund të jenë kuptimi i tekstit dhe përdorimi i fakteve në një argument. Për disa javë, nxënësit që hasin vështirësi marrin mbështetje të përqendruar, ndërsa ata që janë gati për më shumë punojnë me detyra më sfiduese. Në fund, mësuesit krahasojnë punimet me ato të fillimit për të parë kush përparoi dhe kush ka ende nevojë për ndihmë. Shkolla dhe drejtoria arsimore shqyrtojnë kohën, personelin e materialet që duhen për të vazhduar puna.
Një aktivitet i fotografuar bukur tregon se shkolla ishte aktive.
Përparimi i nxënësit tregon se ajo po e përmbush qëllimin e saj.
Pyetja që duhet t’i bëjmë çdo nisme është e thjeshtë: “Cili fëmijë mësoi më shumë, cili mbeti pas dhe çfarë do të bëjmë ndryshe për të?”
Një shkollë e mirë nuk i kërkon çdo fëmije të ecë me të njëjtin hap. Ajo kujdeset që askush të mos mbetet pa ndihmë dhe askush të mos mbetet pa sfidë.
Burime:
Ministria e Arsimit. Programi «Pas Shkolle» dhe dokumentet zbatuese, 2026 për mbështetjen mësimore dhe veprimtaritë pasuruese. arsimi.gov.al
OECD. Reviews of Evaluation and Assessment in Education: Albania për përdorimin e vlerësimit për të dalluar nevojat e nxënësve dhe për të përshtatur mësimin. www.oecd.org
Education Endowment Foundation. Small group tuition për mbështetjen e synuar në grupe të vogla. educationendowmentfoundation.org.uk
UNICEF Albania. Education për qasjen, pjesëmarrjen dhe arritjet e nxënësve në arsimin gjithëpërfshirës.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Sa kohë i duhet një fëmije për t’u përshtatur me fillimin e vitit shkollor?
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë