PORTRET

Grigor Mina Kallajxhiu, figura e shquar e arsimit shqiptar

Grigor Mina Kallajxhiu është një ndër arsimtarët më të shquar. Me një aktivitet të gjatë si drejtues, studiues, hulumtues dhe mësues, ai ka lënë pas një trashëgimi që vlen të admirohet. Ju ftojmë të lexoni më gjatë rreth këtij personaliteti.

Grigor Mina Kallajxhiu është një ndër arsimtarët më të shquar. I karakterizuar nga një ndërgjegje e lartë, pasion, korrektesë dhe përkushtim në punë, ai çmohet për aftësitë dhe pasionin e tij në mësimdhënie, të cilën e ka dëshmuar më së mirin në drejtimin e pedagogjikes së Elbasanit. Me një aktivitet të gjatë si drejtues, studiues, hulumtues dhe mësues, ai ka lënë pas një trashëgimi që vlen të admirohet. Ju ftojmë të lexoni më gjatë rreth këtij personaliteti.



Rreth jetës


Grigor Kallajxhiu, siç e thërrasin shkurt Gori, lindi në lagjen “Shënkoll” të qytetit të Elbasanit, më 25 janar 1931. Rrjedh nga një familje qytetare, atdhetare e arsimdashëse. Vlerësime e kujtime me shumë mirënjohje e respekt vijnë për Grigorin, si mësues, koleg e drejtues nga mjedisi arsimor dhe qytetas, por dhe ngado ku punojnë e jetojnë bashëkohësit dhe nxënësit e tij. Kjo e lartëson edhe më shumë figurën e portretin e tij. Mësimet e para të arsimit fillor i mori në qytetin e tij të lindjes, Elbasan. Në vitin 1951 mbaroi studimet në shkollën Normale (duke ndjekur 3 vite të Kursit të ulët, 4 vite të kursit të lartë të Normales). Në nëntor të vitit 1951 filloi studimet e larta pranë Institutit të Lartë Pedagogjik të Tiranës, specialiteti Histori, studime të cilat i përfundoi me sukses në vitin 1953. Në periudhën 1956-1958 plotësoi paralelisht studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën Histori. Në gusht të vitit 1951 u emërua mësues në rrethin e Gjirokastës, në fshatin Topovë të Zagorisë. Në vitet 1953-1955 emërohet mësues i historisë në Teknikumin e Naftës në Kuçovë. Në vitet 1955 dhe 1956 punon si mësues në Liceun e Korcës dhe në teknikumin bujqësor “Irakli Terova”. Ai karakterizohej për një ndërgjegje të lartë, pasion, korrektesë dhe përkushtim në punë. Në vitin 1956-1957 emërohet mësues i historisë pranë shkollës Normale, Elbasan. Në vitin 1959 emërohet nëndrejtor në shkollën Normale, Elbasan dhe këtë detyrë e vazhdoi deri në vitin 1971. Në vitin 1971 emërohet drejtor i shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi” (Normale) dhe me këtë detyrë e mbyll rrugëtimin e tij si arsimtar deri me daljen në pension, më 25 janar të vitit 1986. 


Mësues, Drejtues, Studiues dhe Hulumtues: Gjatë gjithë jetës së tij aktive si mësues dhe drejtues ka qenë kërkues, ka reflektuar gjthmonë një shkallë të lartë profesionalizmi, i përkushtuar e i palodhur, studiues dhe hulumtues në arsim, si dhe në fushën e historisë dhe metodave. Në qendër të punës së tij si drejtues, ishte forcimi cilësor i shkollës, ruajtja e traditave të saj, edukimi i marrëdhënieve bashkëvepruese mësues e nxënës, përgatitja e mësuesve të rinj. 

Si menaxher, Grigori shpalos disa vlera: marrëdhënie korrekte e ndihmëse me nxënësit e mësuesit, pasion e ndershmëri në punë, motivues në iniciativa, gjenerues idesh e mendimesh të reja për ristrukturimin e arsimit, çuarjes përpara të punës kërkimore-shkencore dhe në kualifikimin e kuadrit. 


Një kujdes të veçantë i kushton përgatitjes së mësuesve të ardhshëm. Njëherazi, përgjatë punës si drejtues por edhe mësues lënde, Grigori është marrë me studime me karakter pedagogjiko – shkencor dhe është autor i shumë temave, kumtesave, studimeve të botuara në shtypin e kohës, lokal dhe kombëtar. Këtë veprimtari si studiues Grigori e vazhdon edhe pas daljes në pension, ku publikon periodikisht mendime të tij lidhur me rolin e shkollës Normale në vite, në ruajtjen e traditës së saj.


Vlerat njerëzore dhe profesionale


Ai ishte gjithmonë aktiv, vlerësues dhe komunikues në bashkëveprim. Shumë bashkëkohës, mësues, ish-nxënës, prindër, kolegë, jo vetëm në Elbasan por në të gjithë zonat ku ata jetojnë e kontribuojnë si mësues, deri edhe nxënës e mësues nga Kosova bartin dhe përcjellin kujtime, mesazhe urimi në ditën e mësuesit dhe mbresa.

Grigori mbahet mend si racional dhe kurajoz në dhënien e mendimeve, energjik dhe i drejtë, ndërtues i marrëdhënieve njerëzore, me iniciativë dhe me prirje për të arrtitur sa më shpejt të renë dhe progresin, zgjidhës i situatave dhe ndërtuesi raporteve të drejta dhe bashkëpunuese në kolektiv, i komunikueshëm dhe i afërt me nxënësit e kolegët e tij, një drejtues i suksesshëm. Grigorin e gjallë dhe energjik në vitet e punës e gjeje gjithmonë midis nxënësve dhe mësuesve në të gjitha veprimtaritë shoqërore.



Burimi: Arkivi digjital i Elbasanit


(Portali Shkollor)

3,377 Lexime
4 vjet më parë