Griselda Mema: Teknologjia, themeli i shkollës moderne dhe laboratori bashkëkohor
Teknologjia po bëhet themeli i shkollës moderne, duke e kthyer orën mësimore në një proces interaktiv e efektiv. Me përdorimin e platformave digjitale dhe laboratorëve bashkëkohorë, nxënësit fitojnë kompetenca të shekullit XXI. Materiali u përgatit nga nëndrejtoresha Griselda Mema.
Punoi materialin: GRISELDA MEMA
Nëndrejtore e shkollës “KIÇO BLUSHI” Tiranë.
Në 10-vjeçarët e fundit, arsimi ka hyrë në një epokë transformimi të thellë, ku teknologjia po shndërrohet si forcë kryesore që udhëheq risitë dhe cilësinë në shkolla. Nuk mjafton më të flasim për teknologjinë si një ndihmë dytësore; ajo është bërë pjesë thelbësore e procesit mësimor, një partner strategjik që i jep jetë orës mësimore, laboratorëve dhe kabineteve shkencore.
Në shkollë, përfshirja e TIK-ut nuk është thjesht një tendencë, por një filozofi pune. Teknologjia mundëson të ndërtojmë një kulturë të re mësimi, ku nxënësi vendoset në qendër të procesit dhe zhvillon kompetenca që i nevojiten në një shoqëri gjithnjë e më digjitale.
Mësuesit po përdorin një sërë platformash digjitale që i japin orës mësimore ritëm, strukturë dhe interaktivitet:
• Kahoot, Quizizz dhe Mentimeter – aplikacione që nxisin mendimin kritik dhe pjesëmarrjen, duke e shndërruar vlerësimin formativ në një proces të gjallë dhe motivues.
• Google Classroom dhe Microsoft Teams – sisteme menaxhimi të të nxënit që organizojnë detyrat, materialet, komunikimin me prindërit dhe identifikimin e progresit në kohë reale.
• PhET Interactive Simulations – një platformë e domosdoshme për shkencat e natyrës, që u mundëson nxënësve të eksplorojnë fenomene fizike, kimike dhe biologjike përmes simulimeve të besueshme dhe vizuale.
• Labster – mjedis virtual laboratorik që lejon nxënësit të kryejnë eksperimente të avancuara në biologji, kimi dhe fizikë, edhe kur infrastruktura laboratorike është e kufizuar.
Përmes këtyre mjeteve, mësimi bëhet më dinamik, më i sigurt dhe më i përshtatur me ritmin individual të çdo nxënësi.
Investimi në kabinete moderne të fizikës, kimisë dhe shkencave të integruara ka qenë një nga prioritetet tona. Teknologjia ka ndihmuar që këto hapësira të mos jenë më thjesht mjedise pune, por qendra eksperimentimi ku nxënësit:
• punojnë me pajisje digjitale matëse,
• përdorin sensorë për temperaturën, intensitetin e dritës apo forcat,
• analizojnë të dhënat në kohë reale në kompjuterë dhe tableta,
• krahasojnë rezultatet me simulimet virtuale,
• ndërtojnë projekte STEAM që lidhin shkencën me teknologjinë dhe inxhinierinë.
Një orë fizike me sensorë të forcës, një eksperiment kimie i kombinuar me PhET, ose një model biologjie i realizuar përmes Labster, u jep nxënësve përvojën që teoria vetme nuk mund ta ofrojë.
Teknologjia nuk e zëvendëson figurën e mësuesit; ajo e fuqizon atë.
Vazhdimisht është investuar në trajnimet profesionale të stafeve të shkollave, duke përfshirë përdorimin e mjeteve digjitale, metodologjitë interaktive dhe menaxhimin e platformave online.
Mësuesi sot është krijues i përmbajtjes, projektues i mjediseve digjitale dhe mentor që udhëheq nxënësit drejt zhvillimit të kompetencave të shekullit XXI.
TIK-u është ura që lidh shkollën me botën. Krijon mundësi të reja për hulumtim, bashkëpunim global, kreativitet dhe inovacion. Përmes tij, nxënësit tanë përgatiten jo vetëm të jenë përdorues të teknologjisë, por krijues të saj.
Si pjesë e arsimit, angazhimi im mbetet i pandryshueshëm:
të ndërtojmë një shkollë që jo vetëm ecën me kohën, por e udhëheq atë.
Nxënësit janë e ardhmja, arsimi është misioni ynë dhe teknologjia është mjeti për ta realizuar atë.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Mësues, kush jam unë?
Metoda, strategji, planifikim për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë e të shkruarit për nxënësit me nevoja të veçanta