RISIA

Italia, vendi i parë në botë që "Ndryshimet klimatike" do e bëjë lëndë të detyrueshme në shkolla

Italia do të jetë vendi i parë në botë që do të bëjë pjesë të shkollave studimin e ndryshimeve klimatike. Lënda do të bëhet e detyruar vitin e ardhshëm shkollor. Me këtë vendim synohet që shoqëria dhe mjedisi të kryesojnë modelin arsimor italian.

Një vendim vërtetë unik është marrë nga Ministria e Arsimit në Itali. Vitin e ardhshëm shkollor, në 2020, nxënësit italian do të kenë lëndë të detyruar mësimore edhe ndryshimet klimatike. Kështu, Italia, do të bëhet vendi i parë në botë që merr nisma konkrete për mbrojtjen e natyrës. 

Këtë lajm e ka bërë publik vetë Ministri i Arsimit, Lorenzo Fioramonti. Ai ka thënë se: “E gjithë ministria po ndryshohet, për ta bërë qëndrueshmërinë dhe klimën, qendrën e modelit të arsimit”. “Unë dua ta bëj sistemin arsimor italian, të parin që vendos mjedisin dhe shoqërinë përpara gjithçkaje që mësojmë në shkollë”, deklaroi më tutje ai. 

Lorenzo Fioramonti është cilësuar si eko-luftëtari më i guximshëm i qeverisë dhe u kritikua nga opozita në shtator, për inkurajimin e nxënësve për kalimin në grevë klimatike. Sipas Fioramontit, të gjitha shkollat shtetërore do t’i dedikojnë 33 orë në vit këtij fenomeni, gati një orë në javë në shkollë, që nga fillimi i vitit të ardhshëm akademik, përkatësisht shtatorit. “Lëndët tradicionale si, gjeografia, matematika dhe fizika, gjithashtu do të studiohen nga perspektiva e zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë ministri.  


(N.A.B, Portali Shkollor) 

2,611 Lexime
4 vjet më parë