KËSHILLA

Ja disa këshilla si të jeni inspirues për nxënësit tuaj

Produktiviteti i mësuesit reflektohet në rezultatet e nxënësit të tij. Në rast se mësuesi arrin të krijojë një klimë pozitive në klasë, atëherë suksesi është i garantuar. Ja hapat që duhet të ndiqni për një mësimdhënie të suksesshme.

Mësuesi është ai i cili inspiron nxënësit përmes sjelljes së tij në klasë. Duke patur në fokus mësuesin, ju sjellim disa këshilla për mënyrën sesi puna e tij mund të jetë më produktive. Produktiviteti i mësuesit reflektohet në rezultatet e nxënësit të tij. Në rast se mësuesi arrin të krijojë një klimë pozitive në klasë, atëherë suksesi është i garantuar. Ja hapat që duhet të ndiqni:


1) Në klasë rrezikoni, provoni gjëra të reja!

Ndonjëherë ne mendojmë se të “qëndrosh në ujërat e qetë” është metoda më e mirë e mësimdhënies. Por, kjo mund të bëjë që nxënësit tuaj të mos kenë interes për orën mësiore, pra u humbet “grinta” që një orë mësimi duhet të përcjellë. Mos u frikësoni nga rreziqet dhe nga hapat e rinj që mund të ndërmerrmi. Sa më shumë të provoni gjëra të reja, aq më shumë do jenë të interesuar nxënësit për të qenë aktivë në orën tuaj.


2) Merrni në konsideratë interesat e tyre

A dëshironi që nxënësit tuaj të vijnë në shkollë çdo ditë entuziastë dhe të etur për të mësuar? Kjo do të thotë që ju duhet t'i kushtoni vëmendje mënyrës sesi nxënësit mësojnë. Disa nxënës mësojnë më mirë, disa të tjerë janë më të tërhequr. Ka nga ata nxënës që janë hiperaktivë dhe duan vetëm të eksperimentojnë. Duhet që ju mësues, t’u përshtateni secilit prej tyre. Mos i trajtoni të gjithë njëlloj. Njihuni me karakteristikat e secilit. 


3) Sigurojini nxënësve tuaj materiale si dhe orientojini ata nëpër faqe interneti

Mësuesi është mentor. Çdo material shtesë (i domosdoshëm për formimin e nxënësit) sugjerohet nga mësuesi. Kjo është mënyra si mund t’i ndihmoni ata. Ju mund t’i ndihmoni të kenë akses në faqe web-i, të cilat i ndihmojnë në lidhje me detyrat/mësimet e tyre.


4) Lavdërojeni punën e nxënësve tuaj (në rast se është e merituar)

Të gjithë mësuesit e dinë që të lavdërosh nxënësit ndihmon në vetëbesimin dhe suksesin e tyre në shkollë. Sidoqoftë, lavdërimi juaj duhet të jetë autentik. Komplimenti do të ketë më shumë ndikim nëse bëhet në mënyrë të sinqertë. 


5) Dëgjojini nxënësit tuaj

Nuk do të thotë asgjë më shumë për nxënësin sesa kur e dëgjoni vërtet atë. Pavarësisht se sa jeni i zënë, sigurohuni që të lini kohë të mjaftueshme për të dëgjuar secilin prej tyre. Kjo i ndihmon ata të ndërtojnë vetëbesim.


6) Në fund të ditës bëni një rezyme

Çdo ditë shikoni se çfarë keni bërë në klasë. Mendoni se çfarë keni bërë mirë dhe çfarë mund të përmirësoni. Nëse e keni këtë rutinë, mund të përmirësoni vazhdimisht stilin tuaj të mësimdhënies. Mund të zgjasë vetëm disa minuta në fund të ditës, por do të habiteni se sa e rëndësishme mund të rezultojë.


7) Mbani qëndrim pozitiv në klasë

Së fundmi, mos harroni se qëndrimi juaj ndikon në atmosferën në klasë. Nëse silleni negativisht nxënësi stepet, struket, nuk ndjen lirshmëri. Ndërkohë që nëse silleni pozitivisht, sjellja e tyre ndryshon. Ata janë më të hapur, më të komunikueshëm dhe më të disponueshëm. Bëjeni klasën tuaj një ambient pozitiv.



(P.Shtini; Portali Shkollor) 

8,704 Lexime
4 vjet më parë