FORMAT VLERËSIMI

Ja si mund të vlerësoni nxënësit me nevoja speciale

Më poshtë ju sjellim mënyrën si mund të vlerësoni nxënësit tuaj, në rast se jeni mësues të shkollave speciale, apo keni në klasat tuaja nxënës të cilët kanë nevoja të veçanta.

Lënda: 

Vlerësim psikoedukativ për nxënësin: XXX

Nxënësi: XXX

Datëlindja: XXX

Diagnoza: P.M.R; ADHD


Përshkrimi përgjithshëm: XXX ndjek shkollën Speciale “Luigj Gurakuqi” prej tre vitesh dhe  sot ai është nxënës në  klasën V-A. Vjen në shkollë me dëshirë, i pastër dhe i rregullt. Familja (kryesisht nëna) kujdeset për të. Është një fëmijë i zhvilluar mirë për moshën e vet, me pamje të këndshme, i qeshur. Përdor syze optike.


Sjellja: E ka të vështirë adaptimin me situata, njerëz e detyra të reja. Kërkon gjithmonë aprovimin e të tjerëve (shokë ose të rritur) duke shprehur kështu pasigurinë e tij. Njeh autoritetin. Është tepër i lëvizshëm. Qëndron në bankë me vështirësi, kërkon të tërheqë vëmendje. Është kokëfortë, i pabindur dhe me raste bëhet agresiv duke goditur të tjerët. Nuk i njeh rregullat e lojës, megjithëse i pëlqen të qëndrojë me shokët. Është mosbesues, shpesh shfaq frikë. Me raste përfshihet në aktivitete në grup duke ndjekur të tjerët. Ka filluar të tregojë interes për dy shokë duke qëndruar me ta në momentet e lira.


Komunikimi: Komunikon verbalisht ndonëse shpesh është i pakuptueshëm. Ka probleme serioze në artikulimin e fjalëve. Përdor shumë edhe mimikën kur komunikimi verbal dështon. Reagon ndaj emrit të vet. Kupton shumë pak, kryesisht gjërat tepër konkrete të shprehura me gjeste sesa me fjalë. Merr dhe zbaton vetëm një numër të reduktuar mesazhesh qe kanë të bëjnë me jetën e përditshme. Ndonjëherë emërton objekte tepër të njohura. Tregon me gisht figurat dhe emërton disa prej tyre.


Aftësia Njohëse: Njeh dhe emërton pjesët kryesore të trupit. Njeh personat e afërt si: prindërit dhe familjarët; mësuesit; shokët e klasës. Njeh 5 zanore dhe 3 bashkëtingëllore por nuk arrin të lexojë. Realizon relacione të thjeshta, kupton mesazhe me një komandë  por nuk i zbaton gjithmonë ato. Dallon 3 ngjyra, por nuk i emërton ato, 2 forma, madhësitë por nuk operon me to.  Po ta nisësh numërimin vazhdon  nga 1-10 numrat veç e veç. Ka kujtesë afatshkurtër. Nuk mban mend shumë gjatë detyrat qe në klasë i përvetëson.  


Orientimi ne kohë dhe hapësirë: Orientohet në mjedise të njohura (në shkollë, në shtëpi, në tualet).  Nuk orientohet në kohë (ditët e javës, muajt, stinët, etj)


Motorika globale dhe fine: Motorikën globale e ka të zhvilluar mirë për moshën që ka. Ecën, ngjit dhe zbret shkallët duke alternuar këmbët, vrapon mban ekuilibrin gjatë ecjes, kërcen pupthi me dy këmbë, kalon pengesa. Jo gjithmonë postura e tij është korrekte në bankë (përkulet shumë tek libri, ndoshta për shkak të vështirësisë në të parë-mban syze)

Manipulon me objekte të vogla, plastelinën. Lapsin e përdor korrekt, kopjon shkronja dhe fjalë dyrrokëshe, megjithëse nuk i njeh ato. Ngjyros brenda konturit të figurës,  (figura të mëdha dhe të mesme), përdor gërshërën (pret në vijë të drejtë jo saktë).       


Autonomia: Nevojat personale i kryen me ndihmë verbale dhe jo në mënyrë cilësore (në tualet ka nevojë t’i kujtosh të shkarkoj ujin, kur lan duart duhet ti kërkosh t’i fshijë ato , kur vishet ka vështirësi në mbërthimin e kopsave, përdor korrekt lugën por ndonjëherë përdor edhe duart dhe nuk fshihet me picetë.) Njeh, mbron dhe është i kujdesshëm për sendet personale. Ndihmon  në pastrimin dhe sistemimin e ambientit ku punon. Zhvendoset në ambientet e shkollës, njeh dhe merr autobusin e shkollës.        



(Portali Shkollor)

8,251 Lexime
4 vjet më parë