MATURA SHTETËRORE

Këngët e Milosaos (Kënga XX- fragment)-Jeronim de Rada, test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe

Ky është një model testi në lëndën e letërsisë i cili u vjen në ndihmë maturantëve për provimin në këtë lëndë. Ai është hartuar sipas modelit të testeve të Çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe për Maturën Shtetërore, Albas. Në test trajtohet Kënga XX e Këngëve të Milosaos nga Jeronim de Rada.

Test për maturantët në lëndën e letërsisë

Fragment nga Këngët e Milosaos, Kënga e XX e shkrimtarit Jeronim de Rada


Si ai që një yll të qetë

sheh e zemrën ia ngroh

yll që thot: “Vështromëni dritën,

bota nuk do të shkallmohet,

bardhëllore unë e pashë.

Vajza: - O i bardhë bir bujari,

në më merr, ku po më shpie?

Unë s’jam një zonjë e madhe

si mizorja jot kunatë.

Trimi: - Shkodra më s’thuhet qytet;

përtej malit gjejmë priftër

që të na martojnë.

Un’ me shigjetë e parmendë,

ti kasollen të më ruash,

edhe rrobat të më lash,

vetëm për mue të vetmin.


Qarkoni përgjigjen e saktë


1. “Këngët e Milosaos” është vepër:

a. epike,

b. lirike,

c. epiko-lirike,

ç. liriko-epike.


2. Koha e brendshme e rrëfimit në vepër i vendos ngjarjet në sfondin e:

a. luftës së rilindësve shqiptarë për pavarësinë e Shqipërisë;

b. shek XV, në epokën e “Motit të madh të Skënderbeut”;

c. Luftës së Dytë Botërore.


3. Mbizotërimi i elementit lirik bën të mundur që në vepër t’i:

a. kushtohet më tepër vëmendje veprimit,

b. kushtohet më tepër vëmendje efektit të ndjenjës,

c. kushtohet vëmendje përshkrimit të ngjarjes.


4. Vepra “Këngët e Milosaos” nga ana strukturore është ndërtuar:

a. me linja paralele veprimi,

b. mbi një plan të vetëm subjekti,

c. mbi subjekte që vijnë në formë zinxhiri.


5. Rrëfimi në vepër bëhet në:

a. në vetën  II,

b. në vetën  III,

c. në vetën  I.


6. Ç’do të thotë fragmentarizëm i veprës?

a. Këngët e poemës nuk kanë një përfundim të caktuar;

b. këngët e poemës nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën;

c. këngët e poemës vazhdojnë ngjarjen aty ku ka përfunduar kënga pararendëse. 

ç. kanë rend logjik e kronologjik.


7. Në vepër, dashuria si motiv romantik shfaqet si:

a. virtyt që fiton moralisht në botën e mbushur me vese;

b. ndjenjë e pasion i papërmbajtur, rreth së cilës rrotullohet gjithçka;

c. përjetim emocional që kapërcen të gjitha vështirësitë, dhe që i drejtohet, vashës, atdheut, detyrës vendlindjes, familjes etj.;

ç. të gjitha së bashku.


8. Konflikti në vepër zhvillohet më shumë:

a. pasi bie tërmeti,

b. para se të binte tërmeti,

c. pas martesës së personazheve,

ç. asnjëra nga alternativat.


9. Motivi atdhetar në poemë është:  

a. plotësues i motivit të dashurisë,

b. motiv primar që zhvillohet në vepër,

c. motiv që zhvillohet në mënyrë fragmentare.


10. Çfarë e bën Milosaon hero romantik?

a. Tërheqja në gjirin e natyrës dhe dialogimi me të dashurën;

b. ëndrrat e shpeshta të cilat paralajmëronin ngjarjet që do të ndodhnin;

c. largimi nga realiteti në të cilin ndodhej;

ç. përjetimi intensiv i ndjenjës së dashurisë;

d. të gjitha së bashku.


11. Poema është shkruar në:

a. shqipen e sotme,

b. gjuhën arkaike arbëreshe,

c. italisht e u përkthye në shqip.


12. Lakonizmi në vepër nënkupton:

a. rrëfim të ngjarjeve me detaje të hollësishme;

b. përdorim të shumë mbiemrave në rrëfim;

c. përdorim të një gjuhe të kursyer dhe të përpunuar artistikisht;

ç. përshkrim të ngjarjeve ashtu siç kanë ndodhur.


13. Me anë të përdorimit të lakonizmit, poeti:

a. synon të përcjellë objektivitet te lexuesi;

b. synon të krijojë imazhe simbolike mbresëlënëse;

c. synon ta thjeshtëzojë ngjarjen për ta kuptuar lexuesi.

ç. asnjëra nga alternativat.


14. Dialogu në fragment ka funksion që:

a. ngjarja mes dy të dashuruarve të përjetohet në mënyrë të drejtpërdrejtë;

b. të rrëfehet shkurtimisht ngjarja;

c. të zbehë vëmendjen nga konfliktet e mëparshme në vepër.


15. Cila nga figurat është e pranishme në pesë vargjet e para të fragmentit?

a. Similituda,

b. metafora,

c. epiteti,

ç. të gjitha së bashku.


16. Nga dialogu në fragment kuptojmë që:

a. tërmeti ka shkatërruar edhe dashurinë e të rinjve;

b. tërmeti ka rrafshuar gjithçka, edhe dallimet shoqërore;

c. tërmeti është ëndërr e personazhit kryesor.


17. Në vargjet: Shkodra më s’thuhet qytet/ përtej malit gjejmë priftër/ që të na martojnë, mbizotërojnë nota:

a. lirizmi,

b. epike të rrëfimit,

c. lirizmi dhe epizmi së bashku.


18. Atmosfera në fragment është:

a. tragjike,

b. e tensionuar,

c. ekzaltuese dhe e ngrohtë,

ç. e paqtë.


19. Në vargun: bardhëllore unë e pashë, gjendet një figurë e sintaksës poetike dhe një figurë e shprehjes poetike. Cilat janë ato?

a. Anafora dhe metafora,

b. epiteti dhe inversioni,

c. krahasimi dhe shkallëzimi.


20. Vargu i fundit i kësaj pjesë të poemës: vetëm për mua të vetmin, ku përsëritet  dy herë fjala vetëm, duhet interpretuar:

a. subjekti lirik dëshiron të jetojë vetëm;

b. subjekti lirik është i interesuar për atdheun e tij;

c. të tjerët nuk kanë rëndësi për subjektin lirik.


21. Në vargjet: Vështromëni dritën,/ bota nuk do të shkallmohet, kuptimi është:

a. vështrimi në sy i të dashuruarve do të sjellë shembjen e botës;

b. bota nuk do të shkallmohet, nëse ata duhen;

c. heroi është i lumtur e dëshiron t’ia thotë gjithë botës.


22. Në vargjet: Shkodra më s’thuhet qytet.... me shigjetë e me parmendë, figura artistike është:

a. metaforë,

b. metonimi,

c. simbol,

ç. antitezë.


23. Në fjalët e Rinës: O i bardhë i bir bujari, në më merr, ku po më shpie? Unë s’jam një zonjë e madhe, shprehet:

a. dallimi klasor mes dy personazheve;

b. barazia mes personazheve;

c. asnjëra nga alternativat.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

23,894 Lexime
3 vjet më parë